Izolimi në shtëpi është i vështirë dhe anormal për të gjithë, por disa e vuajnë më shumë se të tjerët. Fëmijët me nevoja të veçanta, që janë mësuar me një rutinë e një strukturë ditore, ndihen të çorientuar dhe kanë nevojë për më shumë kujdes se zakonisht.
Një ndjekës i yni i cili ka një djalë 13-vjeçar me autizëm ndan shqetësimin e tij me ne. Djali i tij nuk e kupton situatën në të cilën ndodhemi apo arsyet pse nuk bën dot më veprimtaritë që bënte më parë: “Unë kam djalin me çrregullim të spektrit autik. Këto ditë për ne janë po aq të vështira, aq dhe të bukura. Vështirësia qëndron te mënyra e kuptimit të fëmijës të situatës në të cilën ndodhemi sepse pak a shumë të gjithë fëmijët me autizëm kanë një program ditor tyrin dhe pak t’ua ndryshosh, u prishet rutina me të cilën janë mësuar. Djali im është 13 vjeç, në klasën e gjashtë, kështu që ditën e kemi dhe pak të ngarkuar prej mësimit online dhe terapive. Të gjitha këto janë lodhje e stres për të. Por e bukura e këtij izolimi është që ai përfshihet pak më shumë në kuzhinë me mua, mundohet të më ndihmojë dhe kemi më shumë kohë për të ndjenjur bashkë.”
Për t’u ardhur në ndihmë prindërve që kanë fëmijë me nevoja të veçanta, Msc. Dea Kraja, logopede dhe Msc. Megi Lazri, terapiste ABA dhe psikologe, përpiluan një program orientues që mund të zbatohet në shtëpi gjatë kohës që jemi në izolim dhe jo vetëm.
Sigurisht, detajet varen nga niveli i fëmijës dhe fushat ku mund të veprosh. “Nëse bëhet fjalë për mosha të vogla, nuk mund të avancosh te niveli akademik,” thotë Kraja. “ Por te fëmijët që janë në një nivel tjetër mund të punohet edhe me aftësitë akademike si shkronjat, numrat, leximi etj.”
Kraja shton se programi është shumë i vlefshëm për fëmijët me autizëm pasi ndihmon familjet në ndërtimin e një rutine të re në kushtet e izolimit dhe realizimin e aktiviteteve të nevojshme.
Në program gjeni metoda si ndërtimi i një grafiku me aktivitetet e ditës për të përgatitur fëmijën për çfarë do të ndodhë me kalimin e orëve, aplikimi i përforcuesve dhe shpërblimeve për të stimuluar sjelljet e mira, përfshirjen e aktiviteteve fizike dhe shtëpiake në rutinën ditore, zhvillimin e aftësive motorike, zhvillimin e lojërave funksionale dhe aktiviteteve akademike.
Programin mund ta lexoni të plotë dhe falas duke klikuar në këtë link.
Zëdhënësja e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut: Mbledhja e pë...
Ahmeti, Qeverisë së Kosovës: Mos heshtë për shqiptarët në RM...
Të paktën 11 të vrarë, 89 të plagosur nga sulmi rus në Ukrai...
4.9 milionë vizitorë në zonat e mbrojtura në Shqipëri, Kumba...
Fshehën kokainën në lëkurë të kafshëve, të dyshuarit dalin s...
Ismaili: Sektori financiar në Kosovë stabil dhe mirë i kapit...