E kush nuk e përdor sot internetin si një mjet komunikimi? Por, a e keni menduar ndonjëherë efektin që interneti ka tek mënyra se si e perceptojmë jetën? Komunikimi në internet, është shtuar në mënyrë drastike gjatë 2 dekadave të fundit. Shumë prej nesh zotërojnë telefona celularë, kompjuterë dhe laptopë.
Faqet e medieve sociale, janë një mënyrë e mrekullueshme, për të qenë në kontakt me anëtarët e familjes dhe miqtë e largët. Ne, lidhemi në çast me njerëz që ndodhen në të gjithë botën. Është vërtet një epokë e mahnitshme për komunikimin. Por, ashtu si me të gjitha progreset, ka edhe probleme.
Askush nuk ka hartuar një etikë për përdorimin e internetit. Për shembull, cila është koha e saktë e përgjigjes ndaj një teksti apo e-maili? Për pasojë ndodhin keqkuptimet, dhe ndryshime në perceptimin tonë mbi jetën. Rrjedhimisht, teksa kalojmë gjithnjë e më shumë kohë në internet, po bëhemi gjithnjë e më të izoluar nga bota reale.
Ne, mund të kuptojmë tamam zhargonin e zakonshëm në internet me termat LMAO, LOL etj, por kjo nuk na bën të ndjehemi njëlloj, sikur të ishim duke qeshur me shpirt gjatë një bisede gazmore me miqtë tanë në një tryezë. Pra, si ndikon në jetën tonë të komunikuarit përmes internetit ?
Në këtë lloj komunikimi, nuk na ndihmon dot gjuha e trupit
Kur ne komunikojmë përmes internetit, nuk ka asnjë ndryshim në tonin e zërit, dhe ne nuk shohim dot gjuhën e trupit apo shprehjet e fytyrës së tjetrit. Për pasojë, nuk mund të vlerësojmë dot emocionet e personit që po bisedon me ne. Ky person, nuk është fizikisht i pranishëm në hapësirën tonë.
Kjo krijon një boshllëk emocional, dhe që krijon një pengesë. Mendoni për mashtruesit në internet, apo “luftëtarët e tastierës”. A do t’i thonin ata të njëjtat gjëra një personi, nëse do ta kishin ballë për ballë? Është shumë e vështirë. Por, komunikimi në internet është i ndryshëm nga jeta reale, pasi ne nuk jemi atje personalisht.
Fjalët me ngjyrë të zezë në një sfond të bardhë, janë të mprehta dhe të menjëhershme. Ato nuk kanë nuanca, asnjë qasje të butë, janë një shuplakë në fytyrën tuaj, edhe nëse doni t’i lexoni apo jo. Ju duhet ta deshifroni kuptimin e tyre, pa ndonjë nga shenjat normale të botës reale që zakonisht ju ndihmojnë.
Ne e gjykojmë një person, nga mënyra sesi ai shkruan
Kur ne komunikojmë përmes internetin, kemi luksin të marrin kohë për t’u përgjigjur, kur e gjykojmë ne të përshtatshme. Për pasojë, ne mund të jemi të kujdesshëm në lidhje me zgjedhjen e fjalëve, dhe gjuhën që përdorim. Kjo, formon një përshtypje mbi personin që e lexon atë. Ata, fillojnë t’ju japin cilësime të caktuara në varësi të gjuhës tuaj. Ata i përdorin fjalët tuaja, për të krijuar një lloj imazhi mendor mbi tipin e personit që jeni ju. Kjo, është Teoria e Përpunimit të Informacionit Social. Ajo, shfaqet kur personi vazhdon të përdorë mesazhet e tjetrit, për të zhvilluar karakteristikat e atij personi në mendjen e tij. Për shembull, nëse dikush ka bërë gabime të përsëritura drejtshkrimore, ju mund të bëni supozime rreth inteligjencës së tij. Nga ana tjetër, nëse një person përdor fjalë dhe metafora interesante, mund të mendosh se personi në fjalë është kreativ.
Postimi i imazheve pozitive, nxit sjellje pozitive
A mundet, që komunikimi në internet të na bëjë vërtet njerëz më të mirë? Merrni për shembull selfit. Njerëzit mundohen të bëjnë gjëra të pazakonta, për t’u paraqitur në mënyrën më të mirë të mundshme. Ata, kurojnë në detaje fotot që hedhin në rrjetet sociale, për të prodhuar një imazh sa më të mirë të vetes, imazh që bëhet shpejt objekt i analizave. Por, pavarësisht nga fakti se shumë vetë e shohin selfin si një formë të narcisizmit të shekullit XXI, ka shenja që selfi promovon një sjellje më të mirë tek njerëzit. Është pak e shumë, si një profeci vetë-përmbushëse. Nëse ju postoni një pamje të mrekullueshme të vetes, dhe njerëzit ju komentojnë pozitivisht, ka shumë gjasa që ju të filloni të silleni sa më pozitivisht, për të qenë në lartësinë e komplimenteve që morët. Është njëlloj, si të mbani një pasqyrë para vetes. Personi, përfiton nga krijimi i një versioni më të mirë të vetes së tij.
Ne mund ta keqinterpretojmë lehtësisht komunikimin në internet
Ju dërgoni një e-mail apo një tekst në rrjetet sociale, dhe nuk merrni përgjigje. Nisni që të shqetësoheni. Ndoshta, personi në fjalë është i mërzitur me ju? Apo, mos keni bërë diçka që e ka fyer atë? Pastaj, është rradha juaj që të zemëroheni. Ai, padyshim që po ju shpërfill. Por në realitet, personi në fjalë thjesht mund të jetë duke menduar se si të përgjigjet, dhe kjo është arsyeja se përse nuk ka reaguar ende.
Në jetën reale, nëse i drejtoni dikujt një pyetje dhe nuk merrni në çast përgjigje, ai do të thotë vetëm “Më duhet të mendohem për këtë”. Por, kur është fjala për bisedën përmes internetit, ju i keni bërë tashmë supozimet tuaja. Por, tani perceptimi juaj mbi atë që ndodh, është në fakt i shtrembëruar.
Marrëdhëniet formohen shumë më shpejt, se sa në jetën reale
Në jetën reale, kur bëhemi pjesë e grupeve të ndryshme, përfshihemi në biseda të vogla. Flasim për familjen dhe miqtë, pëlqejmë ose kemi antipati, dhe krijojnë një ide mbi tjetrin nga gjuha e tij e trupit. Ndërkohë, në internet nuk ka gjëra të tilla. Përkundrazi, ka postime, statuse dhe ripostime, të cilave njerëzit mund t’u japin “like” ose t’i komentojnë. Për pasojë, ne formojmë shumë shpejt një mendim mbi këta individëve, dhe ndiejmë një lidhje në bazë të asaj që ne e perceptojmë se kemi të përbashkët. Kjo, është teoria e identitetit social të de-individualizuar. Është vendi, ku njerëzit që bisedojnë përmes internetit, hyjnë shumë shpetj në një marrëdhenie. Ata krijojnë përshtypje të favorshme, bazuar në interesat e përbashkëta. Dhe vetëm më vonë, zbulojnë dallimet individuale.
Ky lloj komunikimi, na lejon të shkëputemi nga e tashmja
Një studim kanadez, sugjeron që komunikimi në internet, na tërheq vëmendjen nga e tashmja. Të rinjtë u pyetën rreth komunikimit në internet, dhe si ndikon ai në shëndetin dhe mirëqenien e tyre. Shqetësimi kryesor, ishte fakti se kalimi i kohës duke biseduar në internet, shkaktonte mungesë angazhimi të një personi në ambientin social përreth. Disa pjesëmarrës madje thanë, se ndiheshin si të hipnotizuar nga bisedat e tyre në internet. Dhe kjo e shtrembëronte perceptimin e tyre mbi atë që po ndodhte rreth tyre./eo/
Takohet për herë të parë grupi punues për hartimin e Strateg...
Presidentja në Kanada: Kosova nga një shtet i shkrumbuar, u ...
Eman Rrahmani tregon si qëndrojnë punët e “Familjes”, ia kth...
Gresa: Moderimi më pëlqen, ama në televizion nuk ma kanë dhë...
Mbyllet pjesa e parë në Gjilan, Llapi në epërsi ndaj Dritës
Begaj mbyll takimet për datën e zgjedhjeve: Opinionet udhëhi...