Matilda është nënë e dy fëmijëve.
Ajo nuk ka pasur një jetë të lehtë dhe shkaku kryesor për këtë ishin problemet me ish-bashkëshortin, me të cilin qëndroi 9 vjet. E reja nga Tirana tregon në studio edhe për një prej periudhave të saj më të vështira, momentin kur kishte menduar të merrte vendimin fatal për veten dhe fëmijët. Por jeta e saj ndryshoi falë mbështetjes së motrës së saj Shpresa, të cilën e ka ftuar në “Ka një mesazh për ty”, në “E Diela Shqiptare”.
“Në moshën 17-vjeçare unë u fejova me shkuesi. Pimë një kafe, i dhamë llafin njëri-tjetrit dhe nuk kishim kohë që të njiheshim. Deri në Gusht të 2008-s që u martuam, pas një viti erdhi djali. Gjatë kësaj kohe çdo gjë në rregull. Pastaj pas një viti erdhi një shtatzëni tjetër, edhe aty filluan edhe debatet. Nuk ishte aq i pritur ai fëmijë, pavarësisht se im shoq e dëshironte shumë. Ishte një shtatzëni shumë e shpejtë e dyta dhe nuk e donin aq shumë. Unë isha pa punë, im shoq punonte, por nuk kishim ndonjë të ardhur të madhe. Ishte kjo fraza që ju jeni 4 vetë, ndërsa ne jemi 2 apo 3, sa ishim ne në atë kohë. Aty filloi gjithçka…”
Matilda tregon se ata jetonin bashkë me vjehrrit dhe kur nisën problemet vendosën që të ndaheshin prej tyre. “Jetonim në një shtëpi me prindërit, unë në katin e dytë, ndërsa vjehrrit në katin e parë.”
Kjo ndarje i rëndoi edhe më shumë gjërat, sepse burri të ftohej çdo ditë e më shumë.
“U ftoh me mua, më fëmijët. Ikte në orën 6 të mëngjesit dhe kthehej në 1 të natës. Pasi ndamë ekonominë, pas 6 muajve unë fillova punë. Aty e kishim punën me normë, sa të merrje. Shkoja diku tek 150 mijë lekë të vjetra në muaj. Nuk mjaftonin, por mendova që të bëhem krah shtëpisë. Pak ose shumë do ishte diçka e mirë. Bashkëshorti sa nxirrte, aq merrte.”
E reja tregon më tej se ana ekonomike ishte molla e sherrit. “Sepse me 2 mijë lekë të vjetra, unë duhet të përballoja të gjithë shpenzimet e shtëpisë. Deri kur bëmë debate dhe unë vendosa që rrogën time ta mbaj vetë”.
“Ai nuk pranonte që unë të merrja situatën në dorë. Dita ditës rëndohej më shumë situata, si çdo femër që i sheh këto largësitë e bashkëshortit, unë vendosa t’i kontrolloj telefonin. Aty zbulova se kishte një lidhje tjetër. E mblodha veten dhe për disa kohë nuk i rashë në sy, rreth 2 muaj. Kur ia thashë më tha e kam thjeshtë shoqe. Unë vazhdoja ia kontrolloja telefonin dhe kur i kapa përsëri mesazhe të tjera, i thashë: Këto nuk i shkruhen një shoqeje”.
Nga e gjithë kjo histori, Matilda thotë se pasur një moment që ka dashur t’i bënte keq vetes.
“Kam menduar të helmoj veten dhe dy fëmijët. “
E pyetur nga Ardit Gjebrea se “si është e mundur një nëne t’i shkojë në mendje të helmojë veten, për më tepër edhe dy fëmijët. Të helmosh dy fëmijët e tu duhet të jetë kulmi i dëshpërimit, i depresionit”, Matilda tha: “Sepse kisha arritur në depresion, isha dobësuar shumë, 38 kilogramë. Çdokush që më shihte habitej, thoshte kjo edhe 2 javë jetë ka”.
Ajo tregon se tentoi shumë herë të fliste me bashkëshortin, por ai e injoronte. Derisa vendosi të merrte fëmijët dhe të largohej. Por këtë e bëri pasi bisedoi me motrën e saj dhe ishte kjo e fundit që i dha forcën e vetëbesimin që Matilda kishte humbur.
“E kisha menduar dhe ia shpreha motrës që kam thërritur sot këtu. Që unë nuk kam rrugëzgjidhje tjetër dhe ia tregova sepse nuk ia kisha treguar askujt nga njerëzit e mi situatën time. U thoja jam dobësuar ngaqë dy fëmijët e vegjël. Kisha momente që s’i përballoja dot, por vendosa t’ia tregoj motrës. Ajo më tha merr fëmijët dhe hajde. Ajo ishte forca ime, atë forcë që unë e kisha humbur tashmë. Ajo më dha vetëbesim, unë e kisha humbur besimin te vetja, ajo është gjithçka”.
“Shkova tek mami, atje më priste motra dhe ajo më tha se nuk ka asgjë të keqe. ‘Për çfarë duhet ta helmosh ti veten, aq më shumë fëmijët’, më tha. Ti nuk je njeri pa njeri, jemi ne, do të japim gjithë mbështetjen e duhur. E vendosa që do të vazhdoj përpara. Në atë kohë kur ika, vjehrri ishte në Itali dhe brenda javës ai u kthye. Më tha, nëse vjen, çdo gjë do sqarohet. Për hatrin e fëmijëve unë e bëra këtë përpjekje, por kur arrita në shtëpi, asgjë nuk u sqarua, vetëm sa u përkeqësuan gjërat. “
Matilda rrëfen edhe një moment tjetër, kur asaj i mbyllën derën dhe bashkë me fëmijët e vegjël u detyrua të futej nga dritarja. Kjo ndodhi në kohën kur ajo filloi një punë të dytë, pasi sipas saj, bashkëshorti nuk kontribuonte në shtëpi.
“Fillova një punë të dytë. Ishte 2 Shtator. Punova për 1 muaj punë të dytë. Një natë kur kthehem në shtëpi, më ishin mbyllur dyert. Iu luta që ta hapte derën, nuk pranoi. Pastaj vjehrri tha: A mund të sqarojmë dy llafe. Po i thashë, por kjo nuk është e drejtë. Nëse për diçka më të vogël dyshoni tek unë, ma thoni. Sepse unë ia kisha kërkuar gjithmonë këtë, sepse mbase gabimin e kisha dhe unë. Më thoni ku kam gabuar dhe unë rregulloj sjelljen, por të mos jetë ajo përgjigja juaj që ‘unë kështu dua dhe po të pëlqeu mirë, po nuk të pëlqeu…’ Unë u futa nga dritarja”.
“Unë jetova edhe rreth 4 vjet e gjysmë aty. Im shoq flinte te mami i tij, për 3 vjet e gjysmë, ndërsa unë flija me fëmijët lart”.
Ndërkohë, bashkëshorti i saj vazhdonte të kishte lidhje me një tjetër. Matilda tregon se e zbuloi vetë edhe këtë ‘tjetrën’.
“E zbulova vetë edhe këtë, me këtë tjetrën kam folur edhe vetë në messenger. Zbulova letra, fotografi të cilat ajo nuk i pranoi. Mesa më tha ajo, nuk e dinte që bashkëshorti ishte i martuar. Sepse nëpër statuset e Facebook, ai dilte beqar, ose me nipin e me mbesat, por asnjëherë me fëmijët.
Kur bashkëshorti i saj u sëmur nga shtylla kurrizore dhe u kthye në shtëpi, Matilda thotë se vendosi t’ia falte të gjitha. Megjithatë, kjo nuk mjaftoi dhe asgjë nuk ndryshoi në martesën e tyre. Pikërisht këtu vendosi të ikte. Por përpara kësaj Matilda foli edhe me të dashurën e tij. I tha që ishte bashkëshortja e tij, por ajo nuk e besoi.
“I thashë unë jam, kam 9 vjet e martuar, kemi 2 fëmijë. Ajo nuk e besoi dhe komunikon me kunatin tim. Ai i tha të vërtetën. Pas kësaj vendosa të ikja te mami. Gjatë kësaj kohe motra, ikte në punë shkonte në shpi tek bashkëshorti, i shërbente atij dhe po të them përditë vinte edhe tek unë. Çdo ditë. Më thoshte, nuk ke përse mërzitesh.”
Kur u largua Matilda mori me vete djalin e vogël, 8-vjeç, ndërsa djali i madh (9 vjeç e gjysmë) ishte në Itali me gjyshen nga babai. Ajo tregon se edhe sot, ky i fundit rri më shumë tek i ati.
“Me vendim gjykate fëmijë i kam unë. Gjyqi i Shkallës së parë mbaroi dhe u vendos që të m’i jepte mua. Ai nuk ishte dakord dhe e hodhi për Apel”.
Motra e Matildës, Shpresa e pranoi me kënaqësi ftesën për të qenë në studion e “Ka një mesazh për ty”. Mes lotëve, Shpresa tha se nuk e priste që e kishte thërritur motra e saj. “Unë nuk pres shpërblim, sepse të kam motër, të kam shpirt, sepse ke qenë motra më e vogël dhe të kam rritur vetë”, tha ajo mes të tjerash.
Arsenali e ka gjetur tek Bayern Munich lojtarin i cili mund ...
Libani dëbon rreth 70 oficerë dhe ushtarë sirianë
Supa e cila eliminon helmet dhe yndyrat nga trupi: Racion i ...
Për herë të parë, ShBA furnizon Ukrainën me gaz amerikan
Murtaja afrikane/ Autoriteti i Veterinarisë asgjëson sipas p...
Si ndikon gjumi në sistemin imunitar?