Një histori mjaft e prekëse në ” E diela shqiptare” në Tv Klan ishte ajo e Kristinës, një vajzë nga Roskoveci, e cila para 4 vjetësh e 4 muajsh ka humbur vëllanë e saj.
Për t’i bërë një surprizë, në rubrikën “Kam një mesazh për ty” është shfaqur nëna e saj, zonja Hamite, e cila mes lotësh ka treguar histotinë e trishtë sesi i biri ndërroi jetë dhe e vetmja forcë për të, tashmë ishte vetëm Kristina.
Por e bija pas vdekjes së të vëllait është mbyllur në vete duke mos marrë më pjesë në aktivitetet shkollore si dhe duke qenë gjithnjë e mërzitur dhe e ftohtë.
“Para 4 vitesh e 4 muajsh ka humbur jetën Ervini, i cili do festonte ditëlindjen e 24 pas dy ditësh. Ai erdhi nga shkolla në Tiranë për Vitin e Ri në datën 31 me djalin e vëllait dhe merr disa gjëra për të ikur tek daja. Kishin futur zgarën e qymyrit brenda në shtëpi pasi e kishin fikur dhe kishin mbyllur edhe derën, u asfiksua nga tymi i qymyrit. Kam vajzën Kristina dhe bashkëshortin. Mua nuk më dilte asnjë fjalë për më shumë se katër muaj, më mungonte Ervini. Ishte një djalë i qeshur, asnjëherë nuk e shikoja të mërzitur,”– u shpreh ajo.
Në vijim të tregimit zonja Hamite u shpreh se motiv që ajo të vazhdonte të jetonte e të niste të fliste ishte vetëm Kristina.
“Motivi që më ktheu dëshirën për të jetuar akoma ishte vajza. Një ditë më thotë:”Mami, të gjithë më thonë që je shumë sëmurë, nuk më do mua, vetëm Ervinin.” Nuk i ktheva përgjigje dhe fillova të flas me njerëzit që më qëndruan pranë, por më mbyste dhimbja. Tani është vajza, ajo që ka katër vite që nuk del më. Kristina ka mbrëmjen e maturës dhe nuk do të iki, por janë shokët dhe shoqet e klasës që i qëndrojnë pranë. Sot kam ardhur këtu vetëm për Kristinën. Unë sot jam, nuk e di sa do jem. Jam me shpirt tek Ervini, marr frymë për Kristinën. Unë jam dakord për gjithçka të mirë për Kristinën. Jam komplet e vrarë. Gëzimi i saj më bën të lëviz,”-përfundon tregimin e dhimbshëm zonja Hamite.
Por ajo nuk kishte ardhur vetëm për të bijën, pasi ishte shoqëruar nga shokët dhe shoqet e klasës së Kristinës, të cilët u shprehën se u mungonte gjallëria e shoqes së tyre. Gjithashtu ata dëshironin që Kristina t’i premtonte se do të merrte pjesë në mbrëmjen e maturës.
“Ne kemi ftuar shoqen tonë. Unë Kristinën e njoh që në klasën e parë, por në klasën e 8-të asaj i’u nda nga jeta vëllai dhe u transferua përsëri në shkollën tonë. Ajo ishte e trishtuar, rrinte ftohtë dhe nuk merrte pjesë në aktivitetet tona. Tani ajo është shumë e mbyllur,asnjëherë nuk kërcen. Pavarësisht se është e tërhequr ajo është shumë e lidhur me ne. Ditët kur ajo nuk vinte në shkollë ne e ndienim mungesën e saj. Të gjithë kemi firmosur për festën e maturës dhe mungon vetëm firma e saj. Sot kemi ardhur për të marrë një premtim që ajo të bëhet pjesë e mbrëmjes sonë, sepse nuk do të kishte kuptim pa atë.”
Pas mesazhit të nënës së saj dhe miqve Kristina pranoi dhe firmosi për të shkuar në mbrëmjen e maturës, duke përjetuar një çast tejet prekës me nënën dhe miqtë e saj./Opinion.al/
Makina del nga rruga, humb jetën shoferi në Kurbin
Kroacia synon të rivendosë shërbimin e detyrueshëm ushtarak ...
Kurti uron Krishtlindjet: Kujdesi dhe dashuria për tjetrin n...
Rusia nis një tjetër sulm në shkallë të gjerë ndaj infrastru...
Makina del nga rruga, humb jetën shoferi në Kurbin
Fenerbahce e gatshme të paguajë shifrën dyshifrore për trans...