Google ADS

Gjashtë persona kërkojnë ndihmë mjekësore pas kundërshtimit të aksionit policor

11:30 | 13 Tetor 2021
Përparim Bublaku

Të mërkurën, më 13 tetor qytetarët në veri të Kosovës po kundërshtojnë një aksion të Policisë së Kosovës kundër kontrabandës së mallrave.

Sipas drejtorit të Qendrës Shëndetësore në Mitrovicë të Veriut, Zllatan Ellek gjashtë persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore pasi kanë kundërshtuar aksionin policor.

Ai nuk specifikoi për çfarë lëndimesh bëhet fjalë sepse sipas tij, “pacientët janë në fazën e diagnostikimit”.

“Lëndimet janë shkaktuar nga bombat zhurmuese, ata aktualisht janë në departamentin e pranimit në kirurgji. Ekzaminimi është duke u zhvilluar, që do të thotë lëndime nga bomba zhurmuese dhe gaz lotsjellës”, tha Ellek për Radion Evropa e Lirë.

Gazetarët e Radios Evropa e Lirë, që gjenden në Mitrovicën e Veriut po raportojnë se në këtë komunë gjatë gjithë kohës po dëgjohen sirenat e kamionëve të zjarrfikësve dhe autoabulancave. Qytetarët thonë se për më shumë se një orë është duke u dëgjuar edhe sirena e emergjencave në këtë komunë.

Policia e Kosovës u vendosën edhe para farmacive në veri.

Gaz lotsjellës është hedhur në drejtim të qytetarëve, për t’i shpërndarë ata pasi ishin nisur drejt policisë.

Në Mitrovicë të Veriut turmat janë shpërndarë, ndërkaq aksioni i Policisë vazhdoi edhe në Zveçan.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme