Fiksimi pas dinozaurëve ua rritë fëmijëve inteligjencën

13:37 | 9 Shkurt 2019
Arbresh.info

Ndonëse prindërit kanë tendenca të besojnë se fëmijët e tyre janë shumë inteligjentë dhe të talentuar, ndonjëherë ka shumë fëmijë të mençur që ua kalojnë edhe të rriturve.

Ky është edhe rasti i Charliet nga Anglia, i cili kishte arritur t’i linte gojëhapur plotë ekspertë të muzeut.

Në vizitë me familjen e tij në Muzeun Natyral Historik të Anglisë, ky 10-vjeçar kishte vërejtur se një nga shenjat nuk kishte qenë korrekte, dhe se shenja para Protoceratops-it (lloj dinozauri) ishte emërtuar si Oviraptor(po ashtu lloj dinozauri).

Familja e kishte raportuar këtë në muze dhe më vonë kishte marrë letër falënderimi, ku ekspertët e kishin inkurajuar Charlie-n të vazhdonte interesimin e tij për paleontologji.

Kjo ka bërë që mjekët të tregojnë se fëmijët janë shpeshherë të fiksuar pas dinozaurëve dhe, siç duket, kjo mund të ndërlidhet me një nivel të lartë të inteligjencës.

Sipas ‘Psychology Spot’, njohuria e mahnitshme e fëmijëve rreth dinozaurëve bazohet në një fenomen që në fushën e psikologjisë njihet si “interesimi i jashtëzakonshëm”, që është motivim shumë i fortë për një temë specifike.

Në fakt, një pjesë e madhe e fëmijëve e zhvillojnë këtë motivim gjatë një faze të fëmijërisë së tyre, diku rreth moshës 2 dhe 6 vjeçare.

Studimet e kryera nga shkencëtarët amerikanë kanë dëshmuar se këto interesime të jashtëzakonshme mbi tema specifike janë tejet fitimprurëse për zhvillimin intelektual të fëmijëve.

Ata thonë se këto lloje të interesimit jo vetëm se e bëjnë fëmijën t’i zgjerojë njohuritë mbi një temë të caktuar, por edhe ua përforcojnë këmbëngulësinë, ua rrisin vëmendjen dhe ua zhvillojnë aftësitë e mendimit kompleks.

Kur një fëmijë është i interesuar mbi një çështje të caktuar, ai/ajo bën çmos për të mësuar më shumë mbi atë çështje, duke filluar nga leximi i librave, vizatimi i pikturave e deri te shikimi i filmave dhe emisioneve informuese. Ky përkushtim u ndihmon fëmijëve t’i zhvillojnë edhe aftësitë e zgjidhjes së problemeve.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme