Google ADS

Ëmbëlsira përpara bukës, trendi i ri i dobësimit

23:06 | 2 Maj 2020
Trina Galanxhi

Ëmbëlsira përpara buke është shpesh si molla e ndaluar. Ekspertët e ushqyerjes së shëndetshme, por edhe nënat apo gjyshet na kanë paralajmëruar prej kohësh që tu qëndrojmë larg ëmbëlsirave, sidomos përpara drekës.

Megjithatë, shkencëtarët pretendojnë se çelësi i të pasurit një peshë të mirë trupore, është ngrënia e ëmbëlsirave përpara shujtave. Një studim i Imperial College London doli në konkluzion se ngrënia e ushqimeve të pasura me sheqer përpara një shujte është e dobishme.

Ky studim u përqendrua tek oreksi dhe dëshira për glukozë, që gjendet tek çokollatat dhe ëmbëlsirat e ndryshme.

Përse duhen ngrënë ëmbëlsira përpara bukës?

Glukoza është gjithashtu burimi kryesor i energjisë për trurin. Në tru gjendet një proteinë e trurit që mban emrin “glucokinase”. Ajo luan rolin e gardianit të glukozës. Nëse nivelet e saj janë të ulëta, truri i thotë trupit të konsumojë më shumë ushqime të pasura me niseshte dhe sheqer. Kjo është një arsye se përpara çdo ushqimi, syri shkon direkt e të ëmblat.

Duke ngrënë në fillim ushqime të pasura me glukozë, truri do të jetë objektiv. Ai do të përcaktojë sasinë e kalorive të mbetura për të cilat ka nevojë. Në këtë mënyrë, do të jetë e vështirë ta teproni me ushqime.

Nëse ëmbëlsirat i konsumoni përgjatë shujtës, truri do ta ketë më të vështirë për të përcaktuar sa glukozë i nevojitet. Kështu, aktivizimi i sistemit të numërimit të kalorive do të vonohet. Gjasat e të tepruarit me ushqim do të jenë të mëdha.

Stili italian i të ushqyerit më i shëndetshmi

Shkencëtarët thonë se ushqime me niseshte si buka, makaronat dhe orizi janë më të pasura me glukozë dhe janë më të shëndetshme se ëmbëlsirat. Me fjalë të tjera, sekreti i të rënit në peshë është të hash si një italian.

Pjata e parë e një shujte italiane është orizi ose makaronat. Sipas shkencëtarëve të Imperial College London, ky zbulim është shumë i rëndësishëm. Ai mund të shërbejë si shtysë për krijimin e ilaçeve të reja për rënien në peshë në mënyrë natyrale.

Të dhënat e studimit të publikuara në revistën “Journal of Clinical Investigation” mund të përbëjnë pikënisjen e zhvillimit të kurave të reja për mbipeshën./koha/

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme