Google ADS

Dikur shumë miq, fqinji i ndërton tualetin te dritarja e banesës

00:35 | 26 Mars 2018
Trina Galanxhi

Dy ish – miq, Murati dhe Zabiti bëhen pjesë e kësaj seance ndërmjetësimi në Tv Klan për shkak të një problematike të lidhur me një portë të përbashkët.

Tre familje hyjnë nga rruga në të njëjtën portë për të shkuar në banesat e tyre në fshatin Orizaj të Beratit. Në publikun e emisionit “E Diela Shqiptare” ndodhen edhe familjarët e tyre, i ati dhe bashkëshorja e Zabitit dhe i biri Muratit, të cilët shpeshherë janë përfshirë në debat.

Kam 25 vjet që dergjem për dokumente. Më kanë dhënë zotërinjtë një certifikatë, një letër dore. Shkoja për të bërë dokumentet, por ishte e pamundur. I kërkoja te kryetari dhe ish – kryetarët e komunës, që sot po përgjigjen para prokurorisë, se doja të m’i bënin dokumentet që të dija dhe unë se ku e kam pronën. Sa të jemi ne nuk të bëjmë dokumente më thonin, ndërsa unë i thoja që ka dalë vendimi i qeverisë”, shprehet Murati.

Murati tregon se pas shumë këmbënguljesh, në vitin 2016 u pajis me certifikatë pronësie për 375 metra katrorë tokë.

Asokohe fqinji i tij i ofroi t’i shiste shtëpitë, pasi i biri ndërroi jetë dhe do të largoheshin. Por këtu nis konflikti i dy protagonistëvë të kësaj seance ndërmjetësimi, pasi shtëpitë e fqinjit i mori i biri i Muratit dhe tanimë ndan një portë të përbashkët me Zabitin.

Ky i fundit e ndërpret duke thënë se më parë ishin shumë të afërt dhe konsideroheshin një familje, por miku i tij filloi t’i qëndronte ftohtë.

“Unë doja ta hiqja portën. Ajo përmblidhte këtë zotërinë që shiti shtëpinë, mua dhe vëllanë, kishim një portë. Shkonim mirë, pa cënuar njëri – tjetrin, por filloi të më mbyllte portën dhe unë aty e kuptova. Unë thërrisja (të ma

hapnin portën), ky vinte më shikonte që isha unë dhe ikte. Ç’bëja unë? I bija rreth e qark që shkoja te shtëpia ime. Kështu filloi ky muhabet. Edhe më ka ofenduar, edhe më ka sharë, edhe më ka kërcënuar, por unë asnjëherë nuk e kam denoncuar!”, thotë Zabiti.

Ai shprehet se pasi është ankuar në komunë, punonjësit kanë shkuar për të verifikuar dhe kanë vendosur piketimin, por Murati nuk ka pranuar të përgjigjet.

Murati – Po flet, por nuk thotë të drejtën.

Zabiti – Të lutem se do themi të drejtën këtu.

Murati – Mos më thuaj mua të lutem fare se më ke nxirë jetën!

Zabiti – Jetën ma ke nxirë ti mua!

Murati – Ktheji përgjigje publikut dhe zonjës Eni këtu, pa leji ato llustrat, ato fjalët e bukura

Zabiti – Më dëgjo mua! Në vend të të sillja unë këtu, më ke sjellë ti mua?

Murati – Si? Pse, kush je ti? Pse ta kam nxirë jetën?

Zabiti – Nuk më ke lënë të kaloj, më ke kapur prej fyti!

Murati – Po ti me tualetin që ke bërë aty? Ku e ke hyrjen?

Zabiti – Mua rrugën ma ka dhënë shteti, nuk e kam bërë unë!

Murati – Në momentin që bëra shtëpitë, pse më the hiqe portën e sille këtu?

I ati i Zabitit, Myrtezai ndërhyn dhe thotë se familja e tij është shpërngulur në vitin 1970 në Orizaj dhe ka marrë një truall, por në vitin 1988 hyri “vija e verdhë” dhe më pas shpjegon vendosjen e shtëpive.

Ndërsa i biri i Muratit thotë se rrugën që pretendojnë këta, ia paguan ky i fundit taksat dhe akuzon Zabitin për bashkëpunim me administratorin e njësisë, Lionelin, pasi kanë lidhje familjare.

Ndaj administratori Leonel Elezi, në lidhje telefonike me studion, tregon fillimisht se kjo problematikë ka nisur para se ai të nisë punë në këtë pozicion, ndaj nuk mund ta quajnë bashkëveprim me Zabitin. Ai shpjegon se në vitin 2015 Zabiti ka bërë kërkesë për hapjen e rrugës që ishte zaptuar dhe në vitin 2016 ka bërë një kërkesë tjetër, për të cilën administratori është konsultuar edhe me Zyrën e Regjistrimit të Pronave të Paluajtshme.

Për këtë kërkesë të Zabitit është vënë në dijeni Murati dhe avokati i tij, i cili sapo është njohur me dokumentet është tërhequr nga çështja.

“Ne kemi vazhduar procedurën ligjore, për të cilën kemi bërë njoftim dhe nuk është marrë masë nga ana e Muratit. Pastaj kemi vepruar duke ekzekutuar procesverbalin me grupin e punës të ardhur nga Policia Bashkiake, specialistë e juristë dhe unë isha i fundit që merrja pjesë”.

Juristja Eni Çobani shprehet se Murati i ka drejtuar një kërkesë Bashkisë Berat, ku pretendon se Zabiti i ka zënë me forcë 100 metra katrorë nga pasuria e parë (shtëpia) , ndërsa nga pasuria e dytë (magazina) i ka zënë rrugën me dokumente të falsifikuara.

Administratori i njësisë thotë se ka marrë masat për pjesën që i takon ligjërisht përsa i takon depozitimit të dokumenteve dhe shqetësimit që ka patur Murati, të cilat mund t’i verifikojë nëpërmjet organeve kompetente.

I pyetur nga Murati se përse e ka penguar në dokumentacion, Lioneli shprehet se nuk ka asnjë të drejtë të pengojë asnjë banor të njësisë së tij.

Murati tregon se prej 26 vitesh paguan taksat prej 375 metra katrorë dhe Zabiti ka ndërtuar një rrugë prej 2.5 metrash për të kaluar përmes shtëpive të tij dhe të të birit. Por Zabiti pretendon se ajo rrugë është publike.

Juristja Çobani shprehet se në dokumentin e pronësisë së Muratit thuhet se në tokën me sipërfaqe prej 375 metrash katrorë ndodhen 200 metra katrorë truall dhe 80 metra katrorë ndërtesë, por Murati thotë se ndërtesa ështe 110 metra katrorë.

Zabiti i agravuar i drejtohet Muratit: “Më dole edhe një herë përpara do të hedh në gjyq!

Zonja Eni i kërkon ish – miqve të qetësohen dhe të rregullojnë marrëdhënien me njëri – tjetrin, pasi janë fqinjë. Zabiti e aprovon këtë gjë, duke i kërkuar të mos hedhë poshtë të gjithë shoqërinë që kanë patur dhe të mos shkelë me këmbë respektin që ka për të, por Murati refuzon, duke i kërkuar të mos e shqetësojë.

Publiku i emisionit “E Diela Shqiptare” në këtë seancë ndërmjetësimi të rubrikës “Shihemi në Gjyq” i dha të drejtë Zabitit.

Murati shprehet se kërkon vetëm që të mos kalojnë më në mes të oborrit të tij dhe të largojnë tualetin që ndodhet pranë dritares së tyre, por Zabiti i përgjigjet se nuk kanë se ku të kalojnë tjetër.

Juristja Çobani premton se do të shkojë vetë në fshatin Orizaj për ta parë situatën nga afër për të gjetur një zgjidhje, vetëm ata duhet do të qetësohen dhe do ta presin bashkë./Tv Klan/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme