Shija mesdhetare përfshin ushqimin e kulturave të vendeve që lagen nga deti Mesdhe. Varieteti i kuzhinës mesdhetare është zhvilluar në mijëvjeçarë, me karakteristika të dallueshme ndërmjet rajoneve, që u bënë edhe më të dukshme me zbulimin e Amerikës, në shekullin e 16-të dhe gjithë produkteve të reja që solli ky zbulim.
Me gjithë shumëllojshmërinë e kulturave, lidhjet dhe bashkëveprimi midis tyre ndër shekuj, kanë bërë që në ushqim të ketë shumë elementë të përbashkët. Sa më thellë të hysh në histori, me zbulimin e fakteve të reja, kuptohet se këta popuj kanë përdorur gjithçka që ofron territori i begatë, për të krijuar pjata sa natyrale, aq edhe të veçanta në shije. Drithëra, fruta e perime, bimë aromatike, fruta të thata, bulmet, mish edhe peshk, të gjithë përbërës për kuzhinën që e pëlqen e gjithë bota. Gjithçka që përshkruhet nga dietologët si dietë e shëndetshme ushqimore gjendet në traditat shekullore mesdhetare, term që nuk përshkruan vetëm zonat gjeografike por është një mënyrë, një filozofi, një praktikë e përdorimit të produkteve që ofron territori dhe që gjenden në Tunizi, Siçili, Toskanë, malet Abruzzo, Greqi, Spanjë, Shqipëri, Afrikë e shumë popuj të këtyre trevave. Më 17 nëntor të vitit 2010 kuzhina mesdhetare i është shtuar listës së trashëgimive jomateriale të njerëzimit. Ajo përfshin aftësi, njohuri teorike dhe praktike, tradita që fillojnë nga toka e deri në tryezë, përfshirë vjeljen, korrjen, peshkimin, konservimin, përpunimin dhe veçanërisht konsumimin e ushqimit. Dieta mesdhetare karakterizohet nga një model ushqyerje që mbetet konstant në kohë dhe në hapësirë dhe konsiston në përdorimin e vajit të ullirit, drithërave, frutave të freskëta e të thata, produkteve të bulmetit, sasi të moderuara të peshkut, mishit, dhe përdorimin me shumicë të bimëve aromatike dhe erëzave. Të gjitha këto, shoqëruar me verë ose pije të distiluara, gjithmonë sipas traditave të secilit komunitet.
Gjithsesi dieta mesdhetare (diaita – vjen nga greqishtja dhe do të thotë mënyrë jetese) është më shumë sesa vetëm ushqim, ajo promovon ndërveprimin social për sa kohë që ushqimet rajonale janë themeli i zakoneve shoqërore dhe festave. Ato janë edhe burimi i një baze njohurish, këngësh, përrallash e legjendash. I tërë sistemi rrotullohet në varësi të territorit dhe bio-diversitetit dhe siguron konservimin dhe zhvillimin e traditave dhe aftësive lidhur me peshkimin, bujqësinë, blegtorinë në komunitetet mesdhetare si ai i Asturias në Spanjë, Koroni në Greqi, Cilento në Itali, Chefchaouen në Marok, etj. Edhe me lashtësinë e saj, kuzhina mesdhetare është një kuzhinë në transformim, që nuk i shpëton tregut modern ku qarkullojnë përbërës që deri tani kanë qenë të rrallë, ekzotikë ose thjesht gjendeshin me vështirësi. Përdorimi i këtyre përbërësve nuk bën gjë tjetër veçse e pasuron atë.
BIMËT AROMATIKE ndahen në dy grupe; bimë të brishta, ku hyn majdanozi, mentja, borziloku, etj, të cilat shtohen në fund të gatimit për të mos humbur vlerat dhe bimë të forta, ku hyn rigoni, sherbela, timo, dafina, etj. Këto bimë janë më të përdorshme në stinën e dimrit dhe shtohen në gatim në mes të përgatitjes që të lëshojnë aromat ngadalë.
DRITHËRAT; gruri, misri, thekra dhe tërshëra janë gjerësisht të përdorura në këtë lloj kuzhine dhe janë furnizuesit kryesorë të trupit me fibra dhe karbohidrate. Edhe orizi, megjithëse i është shtuar vonë kuzhinës, ka gjetur përdorim të gjerë në receta nga më të shumëllojshmet.
PERIMET, janë përbërësit bazë të dietës, së bashku me drithërat. Mënyrat e përdorimit të tyre janë nga më të ndryshmet në çdo kulturë, por gjithmonë super të shijshme, falë edhe përdorimit me shumicë të bimëve aromatike.
FRUTAT, të freskëta e të thata, janë gjithashtu me përdorim të gjerë jo vetëm në ëmbëlsira por edhe në pjata të kripura.
BULMETET; kosi, djathi, gjiza, salca, etj, janë produkte tipike të cilat së bashku me përbërës të tjerë, formojnë receta tipike mesdhetare.
MISHI E PESHKU përdoren vetëm dhe së bashku me përbërës të tjerë, por gjithmonë me pakicë. Kombinimet e ndryshme, sidomos me perimet, sjellin aroma të papërsëritshme.
Sot seanca e përbashkët plenare mes Kosovës dhe Shqipërisë
Moti sot i vranët dhe me shi
Lela e zbulon planin e Drilonit me Anisën, jashtë BBVK3
Republikanët arrijnë marrëveshje për të shmangur mbylljen e ...
Haziri: Abdixhiku bëhet kryeministër më 9 shkurt dhe më 10 s...
Nuk e keni ditur por krehri i flokëve duhet të pastrohet çdo...