Çfarë rrezikojnë fëmijët nëse shohin më shumë se një orë televizor në ditë?

09:18 | 17 Maj 2017
Arbresh.info

Televizori është një mënyrë që shpesh përdoret nga familjet si një metodë për të argëtuar apo edhe qetësuar në disa raste fëmijën. Ndonjëherë koha që fëmija mund të lihet para televizorit është më e gjatë nga ajo që lejohet, gjë që ndikon negativisht në shëndetin e fëmijës.

Nënat janë të vetëdijshme tashmë se televizori nuk është i shëndetshëm për fëmijën dhe në disa raste mund të ndikojë në mënyrë të drejtpërdrejt në zhvillimin e tij, kryesisht në të folurin. Sipas studimeve ai ndikon negativisht duke e vonuar këtë proçes. Jo pa qëllim në studimet e fundit është këshilluar që nëna të stimulojë të folurin e fëmijës pa e pasur ndezur televizorin në mënyrë që fëmijë të mund të kuptojë dhe flasë më mirë një fjalë të caktuar. Nga ana tjetër televizori nuk duhet të shikohet si një mënyrë për të qetësuar fëmijën, kjo pasi ai ka nevojë të mësohet të kontrollojë ndjenjat e tij dhe për pasojë edhe të vetëqetësohet. Gjithsesi nuk mund të këshillojmë që ju të privoni fëmijën totalisht nga ndjekja e programeve televizive. Ajo që do t’ju këshillonim do të ishte të zgjidhnit mirë dhe me kujdes ato që fëmija shikon.

Do të ishte më mirë që këto programe të kishin njëkohësisht edhe muzikë, mësime në lidhje me kafshët, numrat, ngjyrat dhe ndërkohë që fëmija shikon ju mund t’ja shpjegoni duke e kthyer në një bashkëbisedim. Mënyra më e mirë për ta stimuluar atë nëpërmjet një program televiziv, do të ishte edhe duke i bërë pyetje.

Sa kohë duhet të qëndrojë një fëmijë para televizorit?

Ashtu sic e theksuam më lart gjatë kësaj kohe ju duhet të jeni gjithmonë të pranishëm dhe koha që mund të kalojë një fëmijë duke parë televizor duhet të jetë jo më shumë se 1 orë në ditë. Këto të dhëna jepen nga ekspertë të Universitetit të Miçiganit.

Përse fëmija nuk duhet të kalojë shumë kohë në televizor?

Krahas ndikimeve të mësipërme në zhvillimin e fëmijës, televizori mund të ketë pasoja negative tek fëmija duke qënë se:

• Shikimi i televizorit pakëson kohën që fëmija ka në dispozicion për të mësuar dhe zbuluar gjëra të reja;
• Televizori mëson fëmijët të arrijnë gjithçka në moment dhe pa u lodhur;
• Duke parë televizor, mendimi dhe sjellja e fëmijës mund të ndikohen nga dhuna;
• Ai mund të bëhet më pak i ndjeshëm ndaj dhimbjeve dhe vuajtjeve së të tjerëve;
• Fëmija mund të ketë më shumë frikë ndaj botës përreth;
• Ai mund të sillet në mënyrë më agresive ndaj të tjerëve;
• Shikimi i televizorit pakëson kohën për lidhje sociale.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme