Çfarë duhet bërë për të përballuar stresin e vetmisë?

01:26 | 12 Shtator 2019
Trina Galanxhi

Secili prej nesh ndihet vetëm në një periudhë të caktuar të jetës. Kjo ndodh sidomos pas humbjes së një njeriu të dashur apo një ndryshimi të madh në jetë.

Njerëzit janë më të prirur të përjetojnë vetminë pas një divorci, pas daljes në pension, kur shkojnë në një pozicion të ri pune ose kur shtëpia e tyre mbetet një ‘çerdhe bosh’.

Ndërsa vetmia në jetë është e pashmangshme, mund të shndërrohet në një problem nëse njerëzit nuk mësojnë të përballen me të.
Vetmia kronike do të marrë shumë vite nga jeta jonë nëse nuk fillojmë të krijojmë lidhje me të tjerët. Në librin e saj bestseller të New York Times ‘Braving the Desert: The Quest For Belonging And The Courage To Stand Alone”, autorja Brene Brown thekson rrezikun e vetmisë së pakontrolluar.

Duke iu referuar një meta-analize studimore ajo shkruan: “Të jestosh në ajër të ndotur rrit me 5% shanset për vdekje të parakohshme. Obeziteti i rrit ato 20%. Alkooli i tepërt 30%. Dhe të jetosh në vetmi? Rrit mundësinë e vdekjes së parakohshme me 45%.

Si fillim, një ndjesi vetmie e rastësishme është normale dhe nuk do të ndikojë drastikisht në vdekshmërinë tuaj. Mundësitë që një person të përjetojë vetmi në një fazë të jetës apo në një tjetër janë shumë të larta.

Antidoti i vetmisë është një marrëdhënie. Sidoqoftë, zgjidhja nuk është të zini 20 shokë të rinj dhe të shtoni 500 persona në mediat tuaja sociale. Një lidhje e vërtetë buron nga cilësia e marrëdhënieve tona.

Brown shprehet: “Unë e quaj lidhjen si një energji që ekziston midis njerëzve kur ata ndiejnë që po shihen, po dëgjohen dhe po vlerësohen; kur ata mund të marrin dhe japin pa u gjykuar; dhe kur u buron qëndrueshmëri dhe forcë nga kjo marrëdhënie.”

Nëse ndjeni vazhdimisht vetmi, pyeteni veten “A është dikush në jetën time me të cilin mund të krijoj marrëdhënie?” Ndoshta një i afërm, një person me të cilin ndani shtëpinë ose shok i fëmijërisë mund të jetë personi i duhur.Ftojini këta persona për të ngrënë së bashku ose për të bërë një shëtitje. Një marrëdhënie e vërtetë nënkupton që secili në një bisedë të ketë mundësi të dëgjohet dhe të ndajë.

Sigurohuni të dëgjoni me vëmendje personin me të cilin po krijoni një marrëdhënie dhe jo me axhendë. Për shembull, në vend që të përpiqeni të formuloni përgjigjet tuaj ndërsa personi tjetër është duke folur, thjesht relaksohuni dhe dëgjoni.Mund ta jepni përgjigjen tuaj kur të jetë radha juaj për të folur. Mbani sa më larg telefonin dhe pajisjet e tjera për të ndërtuar një raport cilësor me dikë. Kjo gjë bën diferencën.

Nëse kërkoni lidhje sa më autentike në jetën tuaj, kujdesuni të mos humbisni miqësitë për arsye se personi tjetër është ndryshe nga ju. Tregohuni të gatshëm për të krijuar marrëdhënie me njerëz pavarësisht racës, këndvështrimeve politike, orientimit seksual, aftësive ndryshe apo faktorë të tjerë.

Ju mund të krijoni marrëdhënie cilësore në vende surprizë. Në fund të fundit, qeniet njerëzore janë të destinuara për të krijuar lidhje; ne jemi të prirur të mbështetemi tek njëri-tjetri.
Takojini miqtë, familjarët, bashkëpunëtorët tuaj. Shanset janë që ata të kenë nevojë për një lidhje autentike po aq sa dhe ju.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme