Google ADS

A ndikon vetëbesimi në vendimmarrjen për karrierë?

16:34 | 12 Shtator 2018
Arbresh.info

Vendimmarrja për karrierë influencon tërë jetën e individit dhe po ashtu e formëson të ardhmen. Ajo është një prej vendimeve më të rëndësishme që një individ e bën.

Nuk është një vendim që merret lehtë sepse kërkon mësim rreth vetes, kërkon eksplorim të opsioneve dhe testim të tyre në mënyrë që të merret një vendim për karrierën që përshtatet më së shumti me ne.

Pesë hapat e procesit të vendimmarrjes për karrierë janë: vlerësimi i vetes, identifikimi dhe kërkimi i opsioneve, vlerësimi dhe prioritizimi, marrja e veprimit, provimi i opsioneve të reja, reflektimi dhe rivlerësimi i opsioneve (Berkey, 2014).

Ndërsa, disa prej faktorëve që e ndikojnë vendimmarrjen për karrierë janë: faktorët personal, edukimi i prindërve, pritshmëritë e prindërve, pritshmëritë e mësimdhënësve, influenca e bashkëmoshatarëve dhe statusi socio-ekonomik (Su, Chang, Wu&Liao, 2016). Por, edhe vetëbesimi hyn në kuadër të faktorëve që i influencon pritshmëritë e karrierës, i parashikon qëllimet e karrierës, planifikimin dhe eksplorimin e karrierës. Po ashtu, vetëbesimi ndikon edhe në pjekurinë për karrierë (Patton, Bartrum, Creed, 2014).

Vetëbesimi ka të bëjë me mënyrën se si personi e vlerëson veten e tij, çfarë vlerash ai i atribuon vetës, qëndrimet pozitive dhe negative për veten e tij, si dhe ka të bëjë me nivelin e kënaqshmërisë që e ka personi për veten e tij. Vetëbesimi është më shumë perceptim sesa realitet. Ndër të tjerash, vetëbesimi i lartë çon tek rezultatet e mira në shkollë dhe përpjekja për të rritur vetëbesimin e nxënësve mund të përmirësojë performancën akademike të tyre (Baumeister, Campbell, Krueger & Vohs, 2003).

Brenda vetëbesimit Rosenberg (1979) identifikoi tri fusha: vetëbesimi ekzistues (çka na pëlqen ne), vetëbesimi i dëshiruar (si dëshirojmë ne me qenë) dhe prezantimi i vetës (si e tregojmë veten tonë tek të tjerët). Individët me vetëbesim të lartë bëjnë vendosmëri për karrierë më shpejtë dhe më lehtë sesa individët me vetëbesim të ulët (Beheshtifar, Esmaeli, Nasab, 2012).

Këtë e dëshmon edhe hulumtimi i Mize (2005) ku të dhënat e hulumtimit të tij tregojnë se se sa më i ulët që është vetëbesimi i nxënësve, vendimmarrja për karrierë është më e vështirë dhe sa më i lartë që është niveli i vetëbesimit, vendimmarrja për karrierë është më e lehtë./revista psika

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme