Google ADS

A mund të mësohet feminiliteti?

14:05 | 25 Tetor 2018
Arbresh.info

Janë shumë joshëse, edhe pse jo të bukura. Ekziston një magji e hollë që disa e zotërojnë më shumë sesa të tjerat. Nga vjen? Kemi kërkuar të kuptojmë artin e joshjes, nëse është i lindur apo mësohet.

“Dua të jem më femërore”. Duket sikur është kërkesa më e përmendur nga klientët që kërkojnë konsulencë nga psikologët. Feminiliteti, realizim i vetvetes? Apo sidomos një instrument për të joshur.

Trashëgimia mëmësore

Një dëshirë absolutisht legjitime që pohohet edhe nga ekspertët: “Një grua shumë femërore, sot e përdor joshjen për të krijuar një relacion me të tjerët dhe jo vetëm për të qenë e dëshirueshme në sy të burrave”, pohon Alberto Caputo, psikiatër dhe seksolog në Milano. Por me cilin model krahasohemi sot?

Figura e parë femërore me të cilën hyjmë në kontakt është mamaja jonë. Ajo transmeton feminilitetin: të drejtë, të kursyer ose të zmadhuar. Kjo nuk do të thotë se një nënë shumë e kujdesshme për veten influencon tek e bija. Mekanizmat janë më kompleksë. Nuk është thjesht aparenca që vlen, por motivacionet e brendshme të zgjedhjeve femërore si truku, veshjet, gjestet, mënyra e të funksionuarit.

Gjithçka varet nga mesazhet e pandërgjegjshme që një nënë i jep së bijës. Një vajzë është vigjilente për të kuptuar nëse e ëma trukohet vetëm për t’u pëlqyer burrave, nëse refuzon të trukohet për mungesë vetëvlerësimi apo për një zgjedhje të lirë, duke mos e vënë në diskutim të qenit grua.

“Me mamanë time ka pasur gjithnjë një diskutim të hapur e plotësues rreth veshjeve, rreth mënyrës së të qenit. Më ka këshilluar dhe kjo bën diferencën, do të doja të plakesha në stilin e saj: e thjeshtë, sensuale, elegante”, rrëfen Ada, 37 vjeç. Përvoja e ndryshme për Elonën, 31 vjeç, e cila edhe ajo ka pasur një mama të kuruar, por pa shkëlqim: “Sot unë trukohem, kujdesem, vishem mirë, por nuk ndihem fare femërore”…

feminiliteti

Figurat e tjera femërore

Nëse mamaja përfaqëson takimin e parë ose shkëputjen me feminilitetin, edhe mikeshat, motrat, aktoret apo gratë e famshme luajnë një rol përcaktues në forcimin ose modifikimin e raportit me feminilitetin tonë. “Gratë mësojnë njëra nga tjetra”, shpjegon Maryse Vaillant, psikologe docente në Universitetin Paris VII, shkruan revista Psikologji. Janë shkëmbime të shëndetshme për krijimin e unit. Një motër mund t’i japë zë një dyshimi që priremi ta fshehim. Një mikeshe të besuar i japim autoritetin për të këshilluar një prerje të re flokësh ose të gjykojë stilin tonë të veshjes. Edhe një grua e famshme mund të ndikojë te ne…

Vështrimi dashuror

Po figura mashkullore ç’rol luan? Kontradiktor. Sipas Maryse Vaillant, feminiliteti shkëlqen kur janë tejkaluar rivalitetet edipike. “Jam 46 vjeç dhe kam dy djem të rritur, – tregon Irena. E megjithatë ndihem me të vërtetë grua, vetëm kur bashkëshorti im më sheh me dashuri. Nuk jam e veshur në mënyrë seksi, e as nuk luaj femrën fatale. Jam një tip normal, madje do të thosha pak djaloshare, por kur e ndjej se jam e dëshiruar, ndihem tjetër grua, bëhem me krahë”.

Raporti dashuror shpërthen një energji të tillë, të aftë për të ndikuar në të gjithë trupin, në gjeste, në qëndrim, në imazhin e tërë apo në mirëqenie. “Nuk ka asgjë për t’u habitur nga ky shndërrim, – thotë Caputo. Në raportin intim gjendet pohimi i specifikës sonë fizike dhe emotive, ndihet njohja nga tjetri”. Dhe është një moment tërësisht shpërblyes. /Telegrafi/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme