A është gjithçka ashtu siç duket?!

00:16 | 9 Tetor 2017
Trina Galanxhi

Molly Lensing, gruaja amerikane, nënë e tre vajzave përkatësisht 4, 3 dhe një 1 vjeç, do të kthehej ndër personazhet më të urryer të rrjetit gjatë vitit të shkuar.

Histeria kolektive do të arrinte deri në atë pikë sa nënës së re t’i bëhej në mënyrë të padrejtë një gjyq virtual dhe mediatik duke e shpallur si të papërgjegjshme, që luante në telefon ndërkohë që foshnja rrinte shtrirë përdhe.

Ndërkohë që fotoja u publikua në mënyrë anonime në një sit, Molly do të përballej përveç akuzave të shumta edhe me kërcënime serioze. Por, tashmë, ajo ka treguar më në fund të vërtetën që po bën xhiron e rrjetit dhe pyetja që shtrojnë prestigjiozet ndërkombëtare është: “A po gabojmë në rrjet, duke gjykuar shpesh pa të drejtë e duke kryqëzuar njerëz, historia e të cilëve e shkëputur nga konteksti merr tjetër kënd?”

Kjo mama që në komentet e përdoruesve u fye me fjalët më të fundit e ka treguar ndryshe të vërtetën. Sipas saj, në gushtin e 2016-ës, kompania ajrore “Delta Air Lines” kishte patur probleme në sistem duke anuluar për tre ditë rresht disa nga udhëtimet, duke u krijuar kështu konfuzion mes udhëtarëve.

Dhe sipas mamasë Lensing, ajo kishte kaluar tre ditë me të bijën në aeroport duke fjetur në dysheme dhe duke e mbajtur foshnjën në krah. Në momentin që është shkrepur fotoja, ajo po përpiqej të komunikonte me familjarët, për t’i thënë që ishte mirë, dhe e kishte lënë vogëlushen në tokë për pak momente, që të mund të shtriqej dhe shpihej nga orët e gjata në krahët e mamasë.

Ajo thotë se gjithçka që ndodhi ishte e padrejtë për të dhe familjen e saj, dhe se këtë histori ajo e përjetoi shumë keq, pasi sulmet, mesazhet dhe vreri që mori nga të gjithë ishin të paimagjinueshme.

1507198627_1 1507198635_2 1507198638_3 1507198643_5

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme