Google ADS

A duhet ngrënë mish pule çdo ditë? Njihuni me përfitimet dhe problemet në organizëm

08:27 | 14 Tetor 2020
Arbresh.info

Mishi i pulës është një produkt që nuk mungon kurrë në tryezat shqiptare.

Ai është jo vetëm një burim i pasur vitaminash, mineralesh, fibre e proteine por është edhe i shijshëm, një kombinim fitues për ata që kujdesen për peshën.

Falë këtyre vlerave, është tepër e lehtë që njeriu të nxitet drejt konsumit edhe të përditshëm të këtij mishi, gjë që shoqërohet me disa përfitime por edhe probleme serioze, të cilat do t’i gjeni të listuara në këtë artikull.

Mund të humbisni në peshë
Mishi i pulës përmban proteinë e cila kërkon më shumë kohë për tu tretur. Kësisoj një vakt i përditshëm me mish pule do ju mbajë të ngopur, më pak të fryrë dhe më të shëndetshëm. Sa më gjatë të qëndroni të ngopur, aq më të lehtë do ta keni t’i qëndroni ushqimeve të pashëndetshme e kësisoj të humbisni nga pesha.

Mund të shtoni në peshë
Tingëllon kontradiktore saktë? E gjithë kleçka qëndron tek proteina, sepse konsumi i përditshëm i saj e bën trupin të krijojë depozita proteine dhe yndyrnash dhe rrjedhimisht kilogramët shtohen me tepri. Studimet tregojnë se njerëzit që konsumojnë mbi 20% proteinë në ditë, janë 10% më të predispozuar të shtojnë në peshë se njerëzit që konsumojnë më pak se 15 përqind proteinë në ditë. Mos harroni që edhe proteina ka kalori.

Më shumë muskuj
Proteina është një nga shtyllat kryesore të mbajtjes në formë të muskujve. Mishi i pulës përmban leucinë, një amino acid që luan një rol të rëndësishëm në sintetizimin e proteinës. Sasia ideale ditore e proteinës për njerëzit që duan të forcojnë muskujt është çdo 1.6 gramë proteinë për çdo kilogramë të masës trupore.

Më shumë yndyrna dhe kripë
Duhet të dini që sasia e yndyrnave tek shpendët që i nënshtrohen modifikimit gjenetik për të nxitur prodhimin në masë, është dhjetëfishuar që nga shekulli i shkuar. Në një sasi prej 150 gramë mish pule të paketuar do të merrni 17 gramë yndyrna të plota, 5 gramë prej të cilave janë të ngopura. Nga ana tjetër, nëse ju konsumoni rregullisht mish pule të gatuar në restorante apo në pikat e ushqimit të shpejtë, atëherë përveç yndyrnave të shtuara do të merrni edhe më shumë kripë seç duhet. Këtu do të mësoni se çfarë i bën kripa e tepërt organizmit dhe trurit.

Mund të sëmureni nga zemra
Ky rast është më specifik sepse i referohet mishit të pulës të përpunuar që si në rastin e mishit të kuq, bëhet problematik për shëndetin dhe sidomos zemrën. Pra, nëse ju konsumoni sufllaqe me mish pule të përpunuar, do të përballeni me një rrezik të shtuar, 3-7%, të bllokimit të enëve të gjakut, ishemisë apo atakut në zemër.

Mund të keni probleme me jashtëqitjen
Konsumi i tepruar i proteinës dhe prishja e një regjimi të balancuar me fruta, perime, drithëra e yndyrna të shëndetshme mund të rrisë gjasat e problemeve me jashtëqitjen, veçanërisht konstipacionin. Nëse dëshironi të shmangni një gjë të tillë, ekspertët ju këshillojnë që mishin e pulës ta shoqëroni me sallata, karrota, oriz kaf dhe garnitura të tjera të pasura me fibër, e cila pastron zorrët dhe lehtëson jashtëqitjen./agroweb

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme