8 hapa për të mbijetuar në shkollë

10:49 | 26 Gusht 2020
Trina Galanxhi

Vera po përfundon dhe shkollat tashmë kanë hapur dyer pothuajse në të gjitha qytetet. Sidoqoftë ka ende pak kohë për t’u përgatitur (sidomos psikologjikisht) për fillimin e vitit të ri shkollor. Në fund, duke qenë se nuk mund t’i përvisheni shkollës, ia vlen që ta nisni me filozofi dhe të mendoni për aspektet pozitive të saj.

  1. Trauma nga zgjimi

Rifillimi i shkollës do të thotë të rifilloni të zgjoheni herët. Mos u shqetësoni, për të evituar çfarëdolloj parehatie filloni disa ditë më parë të vendosni alarmin 15 minuta përpara çdo mëngjes. Për shembull, nëse gjatë verës orari i zgjimit ishte ora 9, nesër vendoseni alarmin në orën 8:45. Në këtë mënyrë do të zbusni efektin negativ të zgjimit në orën 7, duke u mësuar kështu pak nga pak me zgjimin herët.

  1. Mos i jepni fund pushimeve

Jeni në tokë sepse keni lënë prej pak kohësh detin, miqtë e pushimeve dhe gjëja e vetme që duhet të bëni është të ktheheni ku keni qenë vetëm dy javë më parë? Organizoni fotot që keni bërë dhe merrini me vete në shkollë. Tregoni fije për pe atë që keni bërë. Kjo gjë do t’ju bëjë të ripërjetoni pak pushimet. Dhe është akomë më mirë nëse keni marrë me vete ndonjë kujtim për miqtë tuaj!

  1. Çanta e qëllimeve të mira

Me të zbrazur çantën e udhëtimit duhet të bëni gati çantën e qëllimeve të mira. Fillon një vit i ri shkollor: bëni një listë të qëllimeve të mira për muajt që do të vijnë! Nuk bëhet fjalë vetëm për të “përmirësuar notat në shkollë”, por edhe për gjërat që dëshironi të bëni, për shembull, të filloni një kurs gjuhësh të huaja.

  1. Pastrohuni

Viti i ri, koha për të bërë pastrim! Sistemoni gjërat e shkollës, hidhni në kosh ngjyrat e thara dhe stilolapsët e thyer dhe mendoni se si të rregulloni sirtarin me aksesorët e shkollës. Është gjithmonë argëtuese të bëni blerje të reja, mjafton që të mos shpenzoni shumë!

  1. I dashur mik, po të shkruaj për…

Herët a vonë do të ndjeni pak nostalgji për miqtë e pushimeve, të cilët tashmë janë larg. Megjithatë mos u shqetësoni: sot për të komunikuar ka shumë mënyra. E-mail, mesazhe, telefonata, chat… Dhe me internetin pa limit, mund të mbeteni në kontakt pa shpenzuar asnjë lek! Ndaj shkruani, nisni foto, dërgojini mesazhe njëri-tjetrit. Në këtë mënyrë, do të mbani gjallë miqësitë tuaja.

  1. Pushime në minutën e fundit

OK, shkolla ka filluar, por as pushimet nuk kanë mbaruar përgjithmonë! Ndaj shfrytëzoni gjithë kohën e lirë që keni për të ndenjur jashtë shtëpisë: shijoni kohën e bukur që ende nuk ka mbaruar, hani akullore, bëni gjërat që ju pëlqejnë më shumë dhe që zakonisht nuk mund t’i bëni plotësisht gjatë vitit shkollor.

  1. Miq të vjetër dhe të rinj

Nëse keni ndryshuar shkollë, mos mendoni për shokët e vjetër. Nëse janë miq të vërtetë do të kthehen gjithmonë pranë jush. Më mirë mendoni për miqtë e rinj që do të takoni. Pa dyshim do të gjeni dikë që ju pëlqen me të vërtetë! Nëse jeni në të njëjtën shkollë dhe klasë, përse të mos organizoni një dalje me miqtë? Do të jetë shumë argëtuese të takoheni sërish pas muajve të verës.

  1. Lamtumirë shqetësim!

Gjatë verës keni dëgjuar të njëjtën muzikë dhe tani, sapo e dëgjoni sërish ju kap nostalgjia? Ësht koha të bëni një listë të re këngësh. Mblidhni gjithë muzikën energjike, atë që ju jep më shumë energji dhe dëgjojeni vazhdimisht. Nuk ka gjë më të mirë se sa një vijë melodike argëtuese, në mënyrë që ta filloni sa më mirë vitin e ri shkollor!/revistapsikologjia/

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme