Të gjithë e kemi kaluar atë momentin kur kemi pasur një dëshirë të madhe për të ngrënë hamburger, një pako patatina apo çfarëdolloj gjëje qoftë. Por, pse kemi ndjenja të tilla urie dhe çfarë do të thonë ato?
Së pari, le të qartësojmë një mit. Besohet gjerësisht se ndjenjat e urisë janë rezultat i mungesave të lëndëve ushqyese. Dëshira për të ngrënë çokollatë, për shembull, thuhet shpesh se ndodh për shkak të niveleve të ulëta të magnezit. Por shumë ekspertë thonë se nuk ka mjaftueshëm prova shkencore që mbështesin këtë ide.
“Ka shumë pak të dhëna të bazuara në kërkime shkencore që tregojnë lidhjen mes dëshirës së madhe për të ngrënë një ushqim dhe mungesës së lëndëve ushqyese,” thonë ekspertët. Nëse dëshirat për të ngrënë lidhen me diçka për të cilën keni nevojë, atëherë pse nuk keni dëshirë të hani lakër apo mollë, po akullore dhe patate të skuqura? Në vend të këtyre, njerëzit priren të pëlqejnë ushqimet që janë të pasura me yndyra, karbohidrate dhe sheqerna. Edhe teoria popullore e çokollatës bie poshtë kur mësojmë se rreth 30 gr fara të thata kungulli kanë dy herë më shumë magnez se e njëjta sasi çokollate.
Plus që studimet kanë treguar se edhe nëse ndjekin një dietë të plotësuar nga ana e lëndëve ushqyese, njerëzit përsëri kanë dëshira për të ngrënë një ushqim të caktuar.
Kjo nuk do të thotë se ndjenjat e urisë për ushqime të caktuara nuk janë reale. Mund të ndodh që dëshira e madhe për të ngrënë pica të lidhet me nevoja emocionale – po kërkon për një ushqim që prodhon substanca kimike që të bëjnë të ndihesh mirë gjatë kohës që je e stresuar.
Studime të tjera kanë treguar se ndjenja të tilla urie mund të vijnë thjesht sepse po ndiqni një dietë monotone apo kufizuese në ushqime dhe ju doni të konsumoni atë që nuk keni.
Por, ka edhe disa dëshira për të ngrënë ushqime që sinjalizojnë për probleme shëndetësore. Ja cilat janë 3 prej tyre:
Dëshirë të madhe për të pirë ujë, edhe kur nuk jeni të etur – Diabet
Etja e tepërt është një simptomë e hershme e diabetit, por nuk është vetëm kjo. Një ndjenjë etjeje e madhe shoqërohet edhe me urinim të tepërt. Nëse vuani nga diabeti, në gjak vendoset sheqer shtesë dhe veshkat tuaja duhet të punojnë shumë fort për të filtruar dhe përthithur sheqerin. Ndonjëherë veshkat thjesht nuk mund t’ia dalin diçkaje të tillë dhe ëmbëlsia e tepërt shndërrohet në urinë. Kjo do të thotë urinim i shpeshtë dhe etje për më shumë ujë.
Dëshira e madhe për të ngrënë kripë – Sëmundja e Adisonit
Shumë njerëz konsumojnë më tepër kripë sesa kanë nevojë. Përveç atletëve, të cilët mund të humbasin shumë kripë përmes djersitjes, për pjesën tjetër të njerëzve dëshira e madhe dhe e shpeshtë për të ngrënë kripë mund të tregojë se vuajnë nga sëmundja e Adisonit, në të cilën gjëndrat veshkore nuk prodhojnë mjaftueshëm hormone. Këta hormone janë të rëndësishme sepse përfshijnë kortizolin, i cili e ndihmon trupin për t’iu përgjigjur stresit dhe aldosteronin, i cili mban nën kontroll tensionin e gjakut. Nëse nuk trajtohet, sëmundja e Adisonit mund të ulë tensionin e gjakut në një nivel të rrezikshëm, prandaj vizitohuni tek mjeku nëse keni një dëshirë të madhe për të ngrënë ushqime me shumë kripë.
Dëshira për të ngrënë akull – Mungesë të hekurit
Të pasurit dëshirë për të ngrënë produkte që nuk kanë vlera ushqyese, si akull, letër, argjilë, baltë është një fenomen i njohur si ‘pica’. Edhe pse këto fenomene nuk janë të kuptuara mirë nga studiuesit, disa studime e lidhin dëshirën për të konsumuar këto gjëra me mungesën e hekurit. Një studim i publikuar tek revista ‘Hipoteza mjekësore’, sugjeron se mania për të ngrënë akull rrit qarkullimin e gjakut në tru, për të luftuar amullinë e shkaktuar nga mungesa e hekurit.
Tragjedia në Gjermani, e përsëritur/ Sulmet terroriste në 20...
Tensionet në orët e vona, Olta: Gjesti mund ta nxirrte Xuxin...
Sulmi në Magdeburg, ambasadori i Kosovës në Gjermani: Lutjet...
Sulmi në Gjermani/Begaj: Sulmi ndaj qindra njerëzve duhet të...
Tragjedia në Gjermani: Reagojnë liderët evropianë – dërgojnë...
Tragjedia në Magdeburg po trajtohet si sulm terrorist