Google ADS

10 ilaçe natyrale për trajtimin e flokëve të thatë e të dëmtuar

09:12 | 25 Korrik 2017
Arbresh.info

Këto ilaçe shtëpiake, që nuk janë aspak të shtrenjta, do t’i shndërrojnë flokët tuaj të brishtë e të thatë në flokë të shëndoshë e me plot shkëlqim

Riparoni flokët e dëmtuar me avokado Përzieni një avokado të shtypur me një vezë dhe përzierjen e fituar aplikojeni në flokë të lagët. Avokado është e pasur me vitamina, minerale dhe acide yndyrore, që ju ndihmojnë ta riktheni shkëlqimin në flokë. Lëreni përzierjen në kontakt me flokët për njëzet minuta, para se t’i pastroni mirë flokët me ujë të ftohtë.

Bëjini masazh lëkurës së kokës me gjalpë

Trajtojini flokët e thatë e të brishtë me një sasi të vogël të gjalpit, për t’ua kthyer kështu shkëlqimin e humbur. Bëjini masazh lëkurës së kokës dhe flokëve në përgjithësi me një sasi të vogël të gjalpit dhe më pas mbështillini flokët me kapelë dushi, për t’i lënë më pas flokët e mbështjella për rreth gjysmë ore. Përfundimisht, pastrojini flokët me kujdes, për ta larguar gjalpin.

Trajtojini flokët me vaj ulliri

Kthejani lagështinë e humbur flokëve tuaj, duke ngrohur 120 mililitra vaj ulliri dhe duke e aplikuar në flokë. Mbulojini flokët me një qese plastike dhe më pas mbështillini me peshqir. Lërini flokët e mbështjellë për 45 minuta, para se t’i pastroni me shampon.

Shpëlajini flokët me çaj

Për t’ua shtuar shkëlqimin flokëve, përdorni një litër çaj të vakët, pa sheqer, si trajtim final pas pastrimit të flokëve me shampon. Biondet duhet përdorur çaj kamomili, ndërsa zeshkanet çaj të zi, meqë çaji e përforcon ngjyrën e flokëve.

Maska me uthull molle

Përzieni një lugë çaji uthull molle me 2 lugë gjelle vaj ulliri dhe të bardhtë e tri vezëve, më pastaj aplikojeni përzierjen e fituar në flokët tuaj, duke ua kthyer jetën. Mbajini flokët e mbështjellë për rreth gjysmë ore, para se t’i pastroni me shampon e me ujë të ftohtë.

Bëjeni një ‘omëletë shamponi’

Përzieni një vezë me një sasi të vogël të shamponit, pastaj aplikojeni përzierjen e fituar në flokët e dëmtuar për rreth pesë minuta, para se t’i pastroni mirë. Ky trajtim ju ndihmon që ta rrisni nivelin e proteinave në flokë.

Përdorimi i vajrave

Vajrat e ullirit, xhoxhobës dhe bajameve konsiderohen eliksire për flokët e dëmtuar. Nëse flokët tuaj janë të trashë e të rëndë, atëherë edhe vaji i kokosit mund t’ju ndihmojë. Thjesht, lagini flokët me ujë para se t’i trajtoni me ndonjërin prej këtyre vajrave dhe përfundimisht mbështillini me qese plastike.

Mbroni flokët në pishinë

Mbroni flokët tuaj nga elementet e rënda kimike që gjenden nëpër pishina, duke i trajtuar ata me një përzierje të fituar nga 60 mililitra uthull molle dhe 180 mililitra ujë. Rekomandohet që flokët të trajtohen me këtë përzierje, pak minuta para se të futeni në ujë.

Lërini flokët të lëshuar

Nëse stili juaj i preferuar i flokëve është bishtkali, atëherë ndryshojeni këtë stil për disa orë brenda ditës, duke u dhënë flokëve pak pushim brenda ditës. Gjithashtu, mundohuni që të mos i tërhiqni flokët shumë, kur t’i lidhni për të krijuar stile të ndryshme flokëve, meqë shtrëngimi i tyre i bën edhe më të brishtë.

Konsumoni omega 3

Konsumoni kapsula të omega 3 nga një deri në tri herë ditë. Këto kapsula ju ndihmojnë që të keni thonj dhe flokë më të shëndoshë, ndërsa e mira e tyre është që nuk kanë efekte anësore.

Të ngjashme