Google ADS

​Vështirë i realizueshëm vendimi për ndalimin e telefonave në shkolla

15:53 | 1 Dhjetor 2018
Arbresh.info

Sfidë e madhe po konsiderohet nga njohësit e arsimit, realizimi i vendimit të ministrit, Shyqyri Bytyqi për ndalimin e përdorimit të telefonave gjatë procesit mësimor në gjithë shkollat parauniversitare në vend.

Skepticizmin më shumë e shton mungesa e hapësirave brenda shkollave që do të mundësonte dorëzimin e telefonave.Për këto dhe shumë arsye tjera, drejtori ekzekutiv i Qendrës për Arsim në Kosovë, Dukagjin Pupovci ka thënë se zgjidhja ideale do të ishte nëse nxënësit do të lejohen që të bartin telefonin, mirëpo, ai të jetë i shkyçur dhe në çantë.Sipas tij, shkollat nuk kanë as kapacitete njerëzore që gjithë atyre nxënësve t’ua marrin dhe t’ua ruajnë telefonat.

Ndërsa, theksoi se telefoni mund të përdoret shumë mirë dhe për qëllime mësimore.Ndryshe nga ky zëvendësdrejtoresha e shkollës fillore në Prishtinë ‘Elena Gjika’, Agnesa Glloboderi, u shpreh se ky vendim i ministrit është i domosdoshëm. Sipas saj, telefoni gjatë procesit mësimor vetëm ka shkaktuar dekoncentrim dhe pengesë.

Ministri i arsimit, Shyqiri Bytyqi shprehet se këtë vendim e ka marrë pas ankesave të mëdha që ka marrë nga drejtorët e shkollave dhe vet nxënësit. Sipas tij, vendimi do të ketë ndikim pozitiv në mbarëvajtjen e procesit mësimor sepse do të ketë më shumë koncentrim dhe vëmendje.

Ministri Bytyqi theksoi se implementimi i këtij procesi do të sigurohet nga mekanizmat që ministria do t’i angazhojë, siç është inspektoriati që punon në kuadër të kësaj ministrie.Për masat ndëshkuese, tha se nuk do të jenë të lehta për ata që nuk e respektojnë vendimin, duke shtuar se mund t’iu konfiskohet telefoni.Ditë më parë Ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi deklaroi se vendimi do të hyjë në fuqi mbas datës 15 dhjetor.

Ndërsa, ka dhe vende të tjera të rajonit, përfshirë edhe Shqipërinë që kanë ndaluar përdorimin e telefonave në objekte shkollore.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme