​Vendos edhe Apeli: Lokalet breg Katedrales i takojnë Kishës Katolike

17:40 | 27 Shkurt 2018
M. A.

Një dekadë pas, kontesti pronësor mes Komunës së Prishtinës dhe Ipeshkvisë së Kosovës po zgjidhet. Gjykata e Apelit ka vërtetuar që 7655 m2 të tokës breg objektit të Katedrales “Nënë Tereza” në Prishtinë, në pjesën e lagjes “Pejton”, i takojnë Kishës Katolike. Kjo gjykatë ka hedhur poshtë pohimet e Komunës së kryeqytetit se toka nuk i takon Kishës, si dhe pretendimet e kësaj të fundit se ka edhe më shumë se një hektar në pronësi të saj.

Objektet afariste, punimet e të cilave kanë mbetur në gjysmë, dhe prona breg Katedalës “Nënë Tereza” në Prishtinë, që ndodhen në krahun e shtëpisë së kultit katolik, përfundimisht i takojnë Ipeshkvisë së Kosovës, raporton Gazeta Express.

Gjykata e Apelit, ka gati dy javë që kur ka vendosur që 7655 m2 të ish-pronës komunale, breg rrugës “Perandori Justinain” të lagjes “Pejton”, i takojnë në pronësi Kishës Katolike të Kosovës. Këtë kolegji i Apelit e ka bërë përmes aktgjykimit, me anë të të cilit ka konfirmuar vendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës, që më 21 korrik të vitit 2015 vendosi që prona në krahun e rrugës së lagjes “Pejton” të Prishtinës kah Katedralja t’i takojë Ipeshkvisë.

Gjykata e Apelit, të martën ka konfirmuar për Gazetën Express se kolegji i saj tashmë ka marrë vendim për kontestin mes Komunës së Prishtinës dhe Ipeshkvisë, por duke mos bërë të ditur përmbajtjen e tij.

“Gjykata e Apelit e Kosovës, ka vendosur lidhur më këtë rast. Vendimi do të bëhet publik, pasi t’u dërgohet palëve në procedurë”, thuhet në përgjigjen e Apelit për këtë rast.

Se nuk kanë vendim, ka treguar edhe zëdhënësi i Ipeshkvisë së Kosovës, Don Fatmir Koliqi.

“Ne nuk kemi marrë asgjë zyrtare nga gjykata në lidhje me çështjen”, tha për Express famullitari i Prishtinës.

Gazeta merr vesh se aktgjykimi i këtij rasti është dërguar nga Apeli në Gjykatë Themelore të kryeqytetit, e cila obligohet t’ua shpërndajë palëve dokumentin.

Por, përkundër se palët ende nuk kanë marrë aktgjykimin e plotë, Gazeta Express e ka parë këtë shkresë të Apelit, që është vulosur gati dy javë më parë.

Aktgjykimi të cilin e ka siguruar Gazeta thotë se Gjykata e Apelit vërteton aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë të datës 21 korrik 2015.

Themelorja, në shpalljen e saj, kishte vërtetuar se “Administrata Apostolike e Prizrenit (Ipeshkvija e Kosovës) është bartëse e së drejtës së shfrytëzimit afatgjatë, të ngastrës nr.7355-0, ZK Prishtinë, me sipërfaqe 7655 m2, në bazë të kontratës 01.nr.353-34, të datës 02.07.2007, të lidhur me Komunën e Prishtinës”.

I njëjti aktgjykim, vërtetonte se Kisha Katolike e Kosovës është shfrytëzuese faktike e sipërfaqes në fjalë e cila shtrihet nga ana veriperëndimore dhe perëndimore me rrugën “Perandori Justinjan”, nga ana lindore me rrugën “Bulevardi Dëshmorët e Kombit”, dhe nga ana jugore me rrugën “Bill Klinton”.

Po ashtu, Gjykata Themelore e Prishtinës, gati tri vite më parë kishte refuzuar si të pabazuara pretendimet e Ipeshkivsë së deri në 1,30 hektarë të tokës përreth Katedrales “Nënë Tereza” i takojnë kishës. Ndaj, edhe Apeli në aktgjykimin e këtij muaji ka refuzuar të njëjtin pretendim të Ipeshkvisë, sikurse ka rrëzuar edhe ankesën e Komunës së Prishtinës dhe Ndërmarrjes Publike Banesore se as 7655 metra katrorët e tokës që ia ka njohur Gjykata Themelore nuk i takojnë kishës.

Rrjedhimisht, përmes aktgjykimi të saj, Gjykata e Apelit obligon Komunën që e drejton Shpend Ahmeti që pronën t’ia njohë Katedrales që i kushtohet shenjtores shqiptare, Nënë Terezës, t’ia lejojë Ipeshkvisë së Kosovës regjistrimin e paluajtëshmërisë me matje gjeodezike të përshkruara sipas dimensioneve dhe koordinatave që i ka përcaktua Gjykata Themelore e Prishtinës, në aktgjykim e saj.

Gurthemeli për ndërtimin e Katedrales “Nënë Tereza”, që ndodhet në mes të kryeqytetit kosovar, ishte vënë në vitin 2005 nga ish-presidenti i ndjerë i Ibrahim Rugova dhe ipeshkvi, po ashtu i ndjerë, imzot Mark Sopi. Ky objekt kulti, i pari në botë i kushtuar humanistes shqiptare Shën Nënë Terezës, është shuguruar më 5 shtator të vitit të kaluar, 12 vite pas vënies së gurthemelit, dhe një vit pasi Nënë Tereza u shenjtërua nga Papa Francesku në Vatikan.

Prona në të cilën ndodhet objekti i katedrales, e edhe ajo që deri me tash ka qenë në kontest, e gjitha deri në gurthemel i ka takuar Komunës së Prishtinës, dhe në të ndodhej gjimnazit “Xhevdet Doda”, i cili u zhvendos në një objekt të ri, që në vitin 2010 u përurua në lagjen “Lakrishtë” të Prishtinës.

Gazeta Express të premten ka provuar të marrë qëndrim edhe nga Komuna e Prishtinës, por ka qenë e pamundur.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme