​Shteti shënon 9-vjetorin e pavarësisë një ditë më herët, thonë se Kosova po fuqizohet çdo ditë

18:08 | 16 Shkurt 2017
Arbresh.info

Edhe pse një ditë para datës së saktë të Pavarësisë së Kosovës, deputetët e Kuvendit u mblodhën në seancë solemne për të shënuar 9-Vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.

Si e do zakoni, presidenti i Kosovës mbajti fjalimin e parë për këtë ditë, mirëpo, derisa Hashim Thaçi fliste, atë nuk e dëgjuan deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje të cilët kishin vendosur ta bojkotonin atë.

Presidenti Thaçi duke u uruar përvjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës të gjithë deputetëve dhe qytetarëve të Kosovës, ka përcjellë edhe urimet që ka pranuar nga presidenti i ri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump.

Thaçi tha se janë përherë mirënjohës për miqësinë e Kosovës dhe për marrëdhënien speciale me shtetet mike. Sipas tij, këshillat dhe ndihma amerikane kanë qenë gjithmonë në thelb të progresit të Kosovës si shtet dhe komb.

Presidenti tha se e kanë dëshiruar këtë ditë, kanë duruar për këtë ditë, janë flijuar, dhe prandaj për Kosovën kjo ditë është e shenjtë.

 

“Sot, mendimi i parë, është për të gjithë ata që dhanë çdo gjë që patën që ne të gëzojmë këtë ditë. Sot jemi më afër se çdo ditë tjetër me heronjtë tanë, me dëshmorët tanë, me familjet e dëshmorëve, me familjet e të pagjeturve. Prandaj 17 shkurti është ditë e shenjtë për Kosovën. Është vetë historia e Kosovës. Është dita e Republikës… Ka përfunduar një angazhim për të filluar një tjetër. Ka përfunduar puna për lirinë dhe shtetin e Kosovës. Dhe ka filluar angazhimi për një Kosovë anëtare të NATO-s dhe Bashkimit Evropian. Për një Kosovë të ndërtuar mbi vlerat dhe parimet e lirisë, të barazisë, të drejtësisë dhe gjithëpërfshirës. Për një Kosovë të të gjithë qytetarëve të saj, në të cilën secili do të jetë i lirë të gjejë lumturinë e tij pa u cenuar nga të tjerët dhe pa cenuar të tjerët”, theksoi Thaçi.
Sipas tij, kur vlerësohen këto nëntë vjet, kuptohet se sa larg ka qenë Kosova, megjithatë, ai Thaçi tha se nga sfidat e përditshme nganjëherë nuk shihen hapat e mëdhenj që janë bërë. Dhe janë pikërisht vëllezërit dhe motrat tona nga diaspora që vijnë për vizitë në shtëpi që kujtojnë sesa shumë është zhvilluar Kosova jonë, tha ai.

Presidenti Thaçi ka veçuar edhe të arriturat, ku sipas tij, janë ndërtuar qytetet, fshatrat, janë ndërtuar shkollat dhe arat e punës, janë shtruar rrugët dhe autostradat. Por, diçka ka mbetur pa ndryshuar, tha ai, dhe kjo është dashuria e njerëzve për shtëpinë, për njëri-tjetrin. Mbi këtë dashuri për vendin tonë, po punohet të ndërtohet e ardhmja më e mirë për Kosovën dhe për gjeneratat që do të vijnë, ka thënë presidenti i vendit.

Ai pati edhe një porosi për të gjithë deputetët, duke thënë: bashkohuni për ta ruajtur shtetin tone.

Ndërsa, kryeministri Isa Mustafa në fjalimin e tij tha se është nderë për të që t’ju drejtohet deputetëve dhe qytetarëve në shënimin e këtij nëntë vjetori, datë në të cilën janë sublimuar vlerat më të larta të idealeve, aspiratave, kontributit dhe vizionit të popullit të Kosovës.

Kjo datë e kjo ditë nuk është futur në historinë tonë rastësisht, ka thënë Mustafa, duke vazhduar se ky shënim është kontribut i dekadave të punës, vizionit dhe të përkushtimit të popullit për të jetuar të lirë dhe të barabartë me kombet e botës.

Kryeministri u shprehu mirënjohje të gjithë atyre që kanë kontribuar për shtet ndërtimin e Kosovës, por edhe theksoi se në rast të provokimeve që cenojnë sovranitetin tonë, Kosova vepron me maturi si shtet kredibil.

 

“Në këtë përvjetor u jemi mirënjohës të gjithë atyre që kanë shkrirë mendjen dhe kanë dhënë jetën, që Kosova sot të frymojë e lirë, sovrane, e pavarur dhe demokratike. Ky kontribut i patriotëve shqiptarë ndër shekuj dhe dekada, kulmoi në vitet e 90-ta me Presidentin historik dhe ideologun e shtetit tonë, Dr. Ibrahim Rugova, i cili aspiratën tonë për liri, pavarësi dhe demokraci e bëri realitet dhe mori përkrahjen e miqve tanë euroatlantikë….Në nëntë vjetorin e pavarësisë, Kosova është një vend demokratik që prodhon paqe në Ballkan dhe është pjesë e të gjitha iniciativave rajonale, evropiane dhe globale që promovojnë siguri dhe prosperitet për shtetet tona. Por, në rast të provokimeve që cenojnë sovranitetin tonë, Kosova vepron me maturi si shtet kredibil”, tha kryeministri i Kosovës.
Mustafa në fjalën e tij nga foltorja kryesore e sallës së seancave të Kuvendit, tha se Kosova në këto vite, në bashkëpunim me aleatët euroatlantikë, ka konsoliduar demokracinë dhe i ka forcuar institucionet shtetërore, për të garantuar sovranitetin dhe të drejtat e të gjithë qytetarëve pa dallim.

Kryeministri tha se si demokraci e re Kosova ka dhënë dëshmi të fuqishme për luftën kundër terrorizmit dhe radikalizmit të dhunshëm, dhe kjo është thënë edhe publikisht nga miqtë amerikanë dhe evropianë, tha Mustafa.

Sipas tij, Kosova po bëhet gjithnjë e më shumë vend i mundësive të reja për të gjitha komunitetet dhe për të gjithë qytetarët e saj pa dallim etnie, fetare, apo dallime tjera.

Në këtë përvjetor, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, tha se po ndanë një lajm të mirë për Kosovën, ku në saje të rritjes së vazhdueshme ekonomike, po arrihet që këtë vit të dal Kosova nga pragu i varfërisë dhe sipas kritereve të Bankës Botërore, nga ky vit, vendi ynë do të konsiderohet vend me të ardhura të mesme.

Edhe kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, mbajti fjalimin e tij, përmes të cilit tha se 17 shkurti është data që ndan epokat dhe i jep kuptim shtetit të Kosovës, e cila shumë shpejtë do të ketë edhe ushtrinë e saj, ngase ekziston edhe vullneti i SHBA-ve.

 

“Në anën tjetër, Forca e Sigurisë së Kosovës është gati që të marrë rolin e saj të domosdoshëm në arkitekturën e sigurisë rajonale dhe globale. Kosova do t’i kontribuojë paqes dhe sigurisë globale kudo që kërkohet nga ne. Tanimë këtë e kemi dëshmuar duke qenë pjesë aktive dhe efektive e koalicionit global kundër terrorizmit. Ne kemi vizionin e qartë për t’u bërë anëtarë të NATO-s, organizatës më të madhe të sigurisë dhe rendit demokratik në botë. Ne do të jemi në NATO. Për këtë kemi garancinë e plotë të partnerëve tanë ndërkombëtarë, në krye me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në vizitën e fundit që kisha në Pentagon, pashë vullnetin e vendosur të aleatëve tanë amerikanë për të mbështetur procesin e transformimit të FSK-së në Ushtri të Kosovës. Ushtria është element bazik i një shteti, prandaj ashtu sikurse shtetin e Kosovës e kemi ndërtuar në koordinim me aleatët tanë, njëjtë duhet të veprojmë edhe me Ushtrinë e Kosovës”, tha Veseli.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, tha se ka ende shumë punë për të bërë në forcimin e shtetit ligjor, përmirësimin e klimës investive në vend, orientimin kah rinia, investimet në inovacion, në teknologjinë informative, në industrinë prodhuese dhe punësim.

Veseli ka përmendur edhe rezultatet e arritura në sport, duke kujtuar sportistët të cilët kanë dhënë rezultate të shkëlqyera në garat sportive ndërkombëtare. Ai tha se Majlinda Kelmendi e ka ngritur lart flamurin e Kosovës, duke i bërë krenarë të gjithë dhe duke i dëshmuar botës potencialin e jashtëzakonshëm që ka Kosova dhe rinia jonë.

Në seancën e sotme solemne, një ditë para datës së saktë të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, e cila këtë vit rrumbullakon nëntë vite, morën pjesë mysafirë të ndryshëm, si nga ambasadat e shteteve të huaja, ndërkohë që i pranishëm ishte edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme