​Mitrovicë: Bashkëpunim i shkëlqyeshëm i zjarrfikësve shqiptarë e serbë

08:38 | 13 Gusht 2017
Arbresh.info

Zjarret që kanë përfshirë ditët e fundit rajonin e Mitrovicës shkatërruan qindra hektarë pyje në disa lokacione të kësaj komune.

Ato kishin rrezikuar edhe shtëpitë e disa lagjeve në këtë rajon, por falë angazhimit dhe mobilizimit të njësive të zjarrfikësve shqiptarë e serbë, nga komunat jugore dhe veriore të rajonit të Mitrovicës, por edhe të vetë qytetarëve, shtëpitë janë shpëtuar pa i përfshirë zjarri.

Qytetarët lavdërojnë punën e suksesshme të zjarrfikësve, duke thënë se ky është një shembull i mirë se si mund të bashkëpunohet dhe të organizohen shërbime të përbashkëta të komunave në dobi të qytetarëve, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre etnike.

Arbenita Shala, qytetare nga jugu i Mitrovicës, konsideron të mrekullueshme punën e zjarrfikësve shqiptarë e serbë, që kanë bërë ditët e fundit në rajonin e Mitrovicës.

“Ata janë heronj të vërtetë, sepse kur është në pyetje jeta e qytetarëve dhe pronat e tyre, nuk duhet shikuar etninë, fenë etj”, ka thënë Shala.

Ajo ka uruar që një bashkëpunim i tillë mes pjesëtarëve të institucioneve të jugut dhe veriut të Mitrovicës të vazhdojë edhe në fusha tjera.

Edhe Danillo Kostiq, qytetar nga veriu i Mitrovicës, ka vlerësuar angazhimin maksimal dhe punën e madhe të zjarrfikësve nga të dyja pjesët e qytetit të Mitrovicës, të cilët kanë bërë në lokalizimin e zjarreve dhe evitimin e pasojave të rënda që kanë mundur të ndodhin.

Ndërsa, drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim në Mitrovicë, Musa Dragaj, i cili ka menaxhuar situatat vazhdimisht nga afër, ka bërë të ditur për KosovaPress se bashkëpunimi në mes të njësiteve të zjarrfikësve të komunave jugore dhe veriore të Mitrovicës, por edhe të komunave tjera përreth, ka qenë i kënaqshëm.

Sipas tij, fal punës së përbashkët janë lokalizuar me sukses zjarret e fuqishme që përfshinë mbi 100 hektarë pyje, në dy lokacione të ndryshme të Komunës së Mitrovicës, përreth kodrës së Cërnushës në fshatin Kqiq, por edhe në disa lokacione tjera.

Në lidhje me shkaqet e zjarreve, Dragaj ka përmendur temperaturat e larta, duke mos përjashtuar edhe mundësinë e faktorit njeri në disa raste.

Në anën tjetër, Besim Hoti, zëvendësdrejtor i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, ka konfirmuar bashkëpunimin e mirë në mes të njësiteve nga veriu dhe jugu i Mitrovicës.

Ai këtë bashkëpunim e quajti të natyrshëm, meqë këto njësite funksionojnë në kuadër të Institutit Kombëtar për Menaxhimin Emergjent të Kosovës.

Ndryshe, në operacionet për shuarjen e zjarreve që kanë ndodhur nga data 7 gusht në rajonin e Mitrovicës, kanë qenë të angazhuar dhjetëra zjarrfikës me automjetet e tyre nga jugu dhe veriu i Mitrovicës, Vushtrria, Skenderaj, Zubin Potoku dhe Zveçani.

Operacionet ishin të organizuara mirë dhe ekipet kanë funksionuar suksesshëm, ndërsa në shuarjen e zjarreve ishin të angazhuar edhe një numër i madh i banorëve që jetonin përreth zonave të përfshira nga zjarri.

20814019-1546678635354382-1270273638-n-6298

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme