​Kosovarët meraklinj të armëve

11:54 | 23 Dhjetor 2018
Arbresh.info

Brenda këtij viti në Republikën e Kosovës rreth pesë mijë qytetarë janë pajisur me leje për posedim të armëve të zjarrit. Prej tyre tre mijë qytetarë morën për herë të parë leje për armë, kurse, dy mijë qytetarëve iu vazhdua leja e mëhershme.

Këtë e ka konfirmuar për KosovaPress, shefi i divizionit për armë dhe municion, Destan Mustafa, i cili u shpreh se leja për armë merret në Ministrinë e Punëve të Brendshme.Në anën tjetër, ligji për armët e përcakton se një person mund të pajiset me leje për armë nëse është i rrezikuar, si dhe nëse është pjesëtar2 i sigurimit apo punonjës i personave me rëndësi të veçantë për institucionet shtetërore.Mustafa tregon edhe kriteret që një person duhet t’i plotësojë për të pasur një armë me leje.

Sipas tij, për të marr një leje për armëmbajtje duhet dy deri në tre muaj kohë.Qytetarit të Kosovës pajisja me leje për armë i kushton rreth 300 euro, pasi që rreth 250 euro kushton trajnimi për përdorim të armës, 50 euro certifikata mjekësore dhe shpenzimet të tjera.

Ministria e Punëve të Brendshme në Kosovë ka licencuar edhe disa kompani që merren me shitjen e armëve dhe kanë poligonin e qitjes, të cilat edhe japin trajnime për qitje me armë.

Njëra ndër to është “Katana”, në Obiliq ku edhe bëhen trajnimet për armë për personat e interesuar.Osman Hajrizi nga kjo kompani tregon se numri i qytetarëve për t’u trajnuar me armë zjarri është rritur kohëve të fundit.Ai ka treguar se çfarë aftësish marrin të interesuarit gjatë trajnimit për përdorim të armës dhe kalueshmërinë për t’u certifikuar.

Poligoni i shenjëtarisë “Katana” ofron për blerje edhe lloje të ndryshme të armëve të shkurta dhe të gjata, të cilat i lejon edhe ligji për armë në fuqi.

Çmimet për blerjen e tyre shkojnë nga 200 deri 4 mijë euro, varësisht nga lloji i armës së zjarrit për të cilën klienti është i interesuar që ta posedojë.Statistikat e Policisë së Kosovës bëjnë të ditur se vetëm në vitin 2018 janë konfiskuar 1.171 armë dhe rreth 13 mijë copë municion.E agjencitë e ndryshme ndërkombëtare në Kosovë kanë raportuar se në duart e qytetarëve të Kosovës janë më shumë se 200 mijë armë ilegale.

Por me qëllim që të ofrohet siguri më e madhe publike për qytetarët e Kosovës, Ministria e Punëve të Brendshme, në bashkëpunim me Policinë e Kosovë nga 17 dhjetori kanë nisur fushatën për legalizimin e armëve, fushatë kjo e cila do të zgjasë deri më 17 qershor 2019.

Ndryshe, ligji për armët në Kosovë është miratuar në nëntor të vitit 2009. Ai specifikon në detaje se kush mund të bartë armë. Procedurat për pajisje me armë të personave fizik janë të rregulluara me akte nënligjore.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme