​Epidemia e fruthit nën kontroll

17:04 | 10 Janar 2019
Arbresh.info

Në Kosovë situata epidemiologjike me fruth është në kontroll të plotë dhe në mbikëqyrje permanente nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike.

Instituti Kombëtar në mbështetje të Ministrisë së Shëndetësisë ka siguruar doza të mjaftueshme të vaksinave kundër fruthit dhe sëmundjeve tjera vaksinë preventabile. dhe po implementon masat parandaluese e kontrolluese.

Përmes aktiviteteve të veçanta, Instituti Kombëtar dhe QKMF-të bashkë me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Ministrinë e Punëve të Brendshme po tenton të gjejë të gjithë fëmijët e komunitetit RAE të cilët një numër i tyre janë regjistruar me identitet të ndryshëm në Kosovë dhe identitet tjetër kur lëvizin në vendet fqinje. IKPSH apelon te të gjithë prindërit, të cilët për shkaqe të ndryshme nuk i kanë vaksinuar fëmijët e tyre kundër fruthit, por edhe kundër sëmundjeve tjera vaksinë preventabile, të lajmërohen menjëherë në Qendrat Kryesore të Mjekësisë Familjare në komunat përkatëse për të mbrojtur shëndetin e fëmijëve të tyre.

Ndryshe, Kosova radhitet në mesin e vendeve me përqindje të lartë të vaksinimit. Sipas statistikave zyrtare, rreth 95 për qind e fëmijëve, janë vaksinuar, sukses ky që ka parandaluar epidemitë për 10 sëmundje vaksinë preventabile. Sipas Programit të Zgjeruar të Vaksinimit, vaksinimi kundër fruthit me vaksinën MMR është i obliguar me Ligj dhe i nënshtrohen të gjithë fëmijët e moshës 12 muajsh dhe ajo 6-vjeçare me 1 dozë prej 0.5ml.

Nëse fëmija nuk është vaksinuar në periudhën kohore të caktuar, prindi është i obliguar të kompletojë statusin vaksinal të fëmijës sa më parë. Përjashtim bëjnë vetëm fëmijët që për çfarëdo arsye qoftë kanë kundërindikacion specifik për vaksinim. Sëmundja e fruthit karakterizohet me shkallë të lartë të infektimit, andaj edhe përhapja brenda territorit të caktuar është e shpejtë.

Rreziku ndër-shtetëror i importimit të sëmundjes nga vendet fqinje dhe vendet e Evropës është permanent pasi që sëmundja përhapet me ajër. Viteve të fundit sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, fruthi ka “rilindur” në Evropë, ku numri i njerëzve të infektuar që nga viti 2007, është trefishuar nga shkaku se nuk janë vaksinuar me rregull. Në shumë vende të Evropës janë regjistruar të sëmurë dhe të vdekur nga fruthi.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme