Zyrtari amerikan: Lavdrim Muhaxheri është vrarë në Siri

20:35 | 3 Gusht 2017
Arbresh.info

Forcat e koalicionit të drejtuara nga SHBA-të kanë konfirmuar se njëri nga komandantët e Shtetit Islam, Lavdrim Muhaxheri është vrarë në Siri.

Zëdhënësi i forcave të koalicionit, kolonel Ryan Dillon, ka thënë se Muhaxheri është vrarë më 7 qershor në sulmin ajror te Majadin, jo larg Deir Ezor në lindje të Sirisë.

“Ai ishte shqiptar nga Kosova dhe lider i vetë proklamuar i luftëtarëve të huaj të Shtetit Islam nga Kosova”, ka thënë Dillon për media përmes një video-thirrjeje nga Bagdadi, transmeton AFP.

Ai ka thënë se Muhaxheri ishte “luftëtari më i njohur dhe më radikal shqiptar” në Siri, përgjegjës për planifikim sulmesh të shumta terroriste, përfshirë edhe planin e pasuksesshëm për sulm ndaj futbollistëve izraelitë në ndeshjen Shqipëri-Izrael, të zhvilluar vitin e kaluar në Shqipëri.

“Përveç Muhaxherit, në sulmin e forcave të koalicionit kanë humbur jetën edhe tetë bashkëluftëtarë të tij”, ka thënë zëdhënësi i forcave të koalicionit.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme