Të akuzuar se në mëngjesin e 30 prillit 2016, në autostradë, në Komoran, i kërkuan dhe i morën një vozitësi 10 euro ryshfet, zyrtarët policorë, Haxhi Vojvoda dhe Flurim Hoxha, dhanë mbrojtjen e tyre në Gjykatën e Prishtinës.
Zyrtari policor Haxhi Vojvoda duke iu përgjigjur pyetjeve të avokatit të tij Ramiz Krasniqit mohoi se i ka kërkuar dhe marrë 10 euro shoferit të automjetit.
Ai tha se veturën “Ford” e kishte ndalur për t’i dhënë vërejtje shoferit që të mos voziste shpejt për shkak të kushteve klimatike.
“E kam ndalë rreth orës 5:00 të mëngjesit, meqë koha ishte me shi për me i dhanë vërejtje mos me vozitë shpejt për shkak të rrugës dhe kushteve klimatike. Kam kërku nga vozitësi dokumentet ndërsa ai më ka dhënë vetëm patentë shoferin dhe letërnjoftimin ndërsa librezën e automjetit nuk e gjeti, prandaj shkova dhe ia dorëzova rreshterit dhe e njoftova që i njëjti nuk po e gjen librezën”, tha Vojvoda.
Tutje zyrtari policor tha se shoferi kthehet dhe e kërkon prapë librezën në veturë, të cilën më pas e gjen dhe ia dërgon rreshterit, i cili pas kontrollimit të librezës i merr dokumentet e falënderon dhe kthehet në veturën e tij.
Ndërsa rreshteri i akuzuar për marrje ryshfeti dhe keqpërdorim detyre, Flurim Hoxha, në mbrojtjen e tij deklaroi se nuk është e vërtetë se ia kanë dhënë 10 euro.
Ai tha se pasi ia ktheu dokumentet vozitësit ai e kishte falënderuar. “Shoferi më ka thënë ‘Faleminderit që na latë me vazhdu rrugën pa marrë dënim “, tha Hoxha para trupit gjykues të kryesuar nga gjyqtari Vehbi Kashtanjeva dhe Agim Kuqi e Naser Foniqi anëtarë.
Tutje shqyrtimi vazhdoi me fjalën përfundimtare të palëve.
Në fjalën e saj përfundimtare prokurorja e rastit, Dulina Hamiti, tha se është vërtetuar fajësia e të akuzuarve dhe kërkoi që të njëjtit të shpallen fajtorë.
“Nga administrimi i provave në mënyrë të plotë është vërtetuar se të pandehurit kanë kryer veprën penale për të cilën janë akuzuar, andaj mbetem në tërësi pranë akuzës dhe i kërkoj Gjykatës që të njëjtit t’i shpallë fajtorë dhe t’i dënojë sipas ligjit“, tha prokurorja Hamiti.
Mbrojtësi i të akuzuarit Haxhi Vojvoda, avokati Ramiz Krasniqi, kërkoi nga Gjykata lirimin nga akuza të të mbrojturit të tij.
“Askush nuk mund të shpallet fajtorë në bazë të dëshmitarëve armiqësorë. Asnjë provë materiale nuk gjendet në shkresa të lëndës që dëshmon që i mbrojturi im është kryerës i veprave të përmendura dhe mbi këtë bazë i propozoj Gjykatës që të njëjtin ta lirojë nga akuza“, tha avokati Krasniqi.
Njëjtë si Krasniqi, lirimin nga akuza për të mbrojturin e tij e kërkoi edhe avokati Faik Morina.
“Prokurori i shtetit nuk ka mundur të vërtetojë se është kryer kjo vepër penale. Vetë i ka propozuar 4 dëshmitarë, të cilët i kanë dalë mohues. Nuk ka prova materiale dhe përfundimisht kërkoj që ndaj të mbrojturit tim të merret aktgjykim lirues“, tha avokati Morina.
Haxhi Vojvoda dhe Flurim Hoxha akuzohen se si pjesëtarë të Policisë së Kosovës, deri sa kanë qenë në kryerje të detyrës në autostradë, në pikë kontrollin në Komoran, e kanë ndalë vozitësin Ardit Ramaj dhe nga i njëjti kanë kërkuar dhe pranuar ryshfet, shumën e parave 10 euro, për ta liruar pa i shqiptuar tiketë.
Dhimbja që “udhëton” nga shpatulla në bërryl shkaktohet zako...
Ismajli gati për hapin e madh në karrierë, ai refuzon rinovi...
Mbappe: Bilbao më bëri mirë, mund të bëj shumë më tepër
“Duhet të luftojmë”, Zelensky tregon çfarë i duhet Ukrainës ...
Të paktën 28 të vrarë nga sulmet në Gaza
Kurti mërgatës: Paramendojeni çfarë bëjmë 37 mijë votat ju m...