Google ADS

Zyrtarët policor civilë ankohen për rrobat e papërshtatshme të cilat u jepen për punë

12:34 | 15 Prill 2016
Arbresh.info

Janë parë në komunikacion, ndonëse jo në uniformën që u takon por në rroba të tjera ashtu siç quhen ‘rroba civile’, policë të ndryshëm duke patrulluar ose duke kryer ndonjë aksion të rëndësishëm.

Të gjithë janë në njohuri se Policët Civilë të cilët nuk dalin në uniformë nuk do të duhej të dalloheshin që janë zyrtarë policor pasi që punët apo thënë më mirë aksionet që ata kryejnë janë të fushave më specifike, mirëpo një zyrtar policor civil në Kosovë mund ta dallosh në disa metra largësi për shkak të rrobave që përdorin.

Një gjë të tillë e ka konfirmuar edhe një burim i portalit Arbresh.info. Ai ka thënë për portalin arbresh.info se rrobat civile të cilët u jepen zyrtarëve policor civilë nuk janë të përshtatshme dhe se ata u pengojnë në detyrën që kryejnë.

“Kur vjen gardëroba civile për policët civilë ajo rrallë që pranohet nga ta sepse është shumë e papërshtatshme. Ka raste kur ato rroba që na i sjellin i marrim dhe ua falim tjerëve pasi që nuk na duhen, po ashtu në të shumtën e rasteve vet i harxhojmë paratë dhe blejmë rroba civile më të përshtatshme”, ka thënë ky burim duke shtuar se rrobat që u sillen zakonisht janë të llojit ‘Smoking’.

“Policët që punojnë në sektore më të ndjeshme si tek krimet ekonomike, në operativë u sillen rroba civile ‘Smoking’, mirëpo nuk mund t’i veshin ato sepse janë shumë të papërshtatshme për punën që bëjnë, po ashtu ata policë nuk do duhej të dalloheshin që janë policë mirëpo me ato rroba dallohen”, ka thënë ky burim.

Po ashtu ky burim i ka thënë portalit Arbresh.info se femrat të cilat punojnë zyrtare policore civile vetëm njëherë iu kanë sjellë rroba civile dhe më asnjëherë.

“Ato detyrohen vetë t’i blejnë rrobat civile sepse nuk ua sjellin, vetëm njëherë u kanë sjell dhe më kurrë”, është shprehur ai.

Në anën tjetër zyrtarë nga Policia e Kosovës i kanë thënë portalit arbresh.info se zyrtarët policor që punojnë me rroba civile furnizohen nga Policia e Kosovës me rroba elegante.

“Zyrtarët policor pajisen rregullisht me gardërobë varësisht nga nevojat dhe mundësitë buxhetore. Gjatë realizimit të furnizimit mund të ketë raste kur disa zyrtarë policor që furnizohen me rroba civile të kenë problem me mospërshtatjen në trup të rrobave për arsye të ndryshme, mirëpo kjo evitohet menjëherë sipas kontratës nga kompania furnizuese duke bërë ndërrimin dhe furnizimin me madhësi që i përshtatet zyrtarit policor”, thuhet në përgjigjen e tyre, duke shtuar se kërkesa për furnizim përgatitet nga komisioni i përbërë nga pjesëtarë të vet njësive policore.

“Kërkesa për furnizim dhe specifikacionet teknike (llojet, dizajni, përbërja e materialit, etj.) përgatiten nga komisioni i përbërë nga pjesëtarë të vet njësive policore që furnizohen, të cilët më së miri i dinë nevojat dhe llojin që u përshtatet për punë. Procedura e prokurimit realizohet sipas atyre specifikave”, ka deklaruar zyra për informim në Policinë e Kosovës.
Po ashtu në përgjigjen e Policisë së Kosovës në lidhje me kthimin e rrobave civile nga zyrtarët policor thuhet se si çdoherë dhe për çdo mall tjetër, kur arrijnë rrobe të porositura, për të verifikuar përshtatshmërinë e specifikacioneve sipas kontratës, formohet komision.

“Së paku 3 anëtarë nga njësi të ndryshme e formojnë këtë komision dhe në raste të mospërshtatjes së mallit me specifikat në kontratë, komisioni në fjalë refuzon mallin dhe malli kthehet kompanisë, dhe fillohen procedurat sipas legjislacionit në fuqi”,  thuhet në përgjigjen e zyrës për informim në PK.

Ndërsa të pyetur për mosfurnizimin me rroba të zyrtareve police civile , zyrtarë për informim në PK kanë thënë se zyrtaret policore të gjinisë femërore nuk janë furnizuar asnjëherë me rroba civile.

“Arsyeja për këtë është pasi që nga viti 2014 projekti gjendet në procedura të prokurimit dhe çdo herë ka dështuar në mungesë të ofertuesve të përgjegjshëm, mungesës se ofertave apo kur komisioni i vlerësimit (i përbërë nga zyrtare policore femra) nuk i ka vlerësuar si të përshtatshme rrobat e ofertuara, për nevoja te tyre. Tani një projekt i tillë është në procedurë të përgatitjes për tenderim duke shpresuar që këtë herë të kemi oferta të përshtatshme dhe bazuar në legjislacionin në fuqi të arrihet kontrata për furnizim me rrobe elegante për femra”, është thënë në përgjigjen e tyre.

POLICET CIVIL FOTO 02

Në anën tjetër eksperti i sigurisë Drizan Shala për Arbresh.info tha se gjendja reale në të cilën gjinden pjestarët e njësive speciale ( të drejtorive të ndryshme ) është jo e lakmueshme.

“Rrobat që ata veshin siç i potencuat ju ‘smokingat’ apo siç i quajmë  ‘katat e teshave’ për të dy gjinit nuk janë të nivelit të duhur apo në disa raste kanë vetëm 1 palë dhe kjo e veshtirëson punën nga aspekti etikë . Ndërsa lidhur me atë që femrat janë të diskriminuar në raport me kolegët e tyre meshkuj mendoj se të dy gjinitë janë të diskimiminuara në raport për ofrim të kushteve elementare për punë ku aty hyn edhe uniforma”, tha ai duke shtuar se furnizimi me uniforma civile por edhe ato të uniformuara sipas tij varet nga buxheti i Policisë se Kosovës të cilin e kanë në dispozicion mirëpo siç shtoi ai kualiteti nuk është i nivelit të lartë ashtu siç janë të parapara me standarde të aplikuara në vend tjera në rajon por edhe Europë./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme