Analistët politikë në Prishtinë, kritikojnë zyrtarët e institucioneve [nga radhët e partive politike që po marrin pjesë në zgjedhje], se po lënë shumë çështje të papërfunduara në institucione dhe po marrin pjesë në fushatën parazgjedhore për zgjedhjet e 11 qershorit.
Ata thonë se me mosparaqitjen e tyre në punë, në masë të madhe dëmtohet vendi dhe bashkë me të, edhe qytetarët.
Analisti politik, Imer Mushkolaj, thotë se derisa ata zyrtarë marrin paga dhe janë zyrtarë në detyrë, do të ishte dashur t’i kryejnë obligimet ligjore që kanë dhe më pas të shkojnë në fushata.
“Ata paguhen për të kryer punën si zyrtarë të emëruar në institucione. Unë besoj se edhe në këtë rast përgjegjësia është shumë e madhe, duke filluar që nga kreu më i lartë, në këtë rast kryeministri në detyrë, por edhe zyrtarë të tjerë të qeverisë, ministra e zëvendësministra në detyrë”, thotë Mushkolaj.
Edhe analisti tjetër, Artan Muhaxhiri, mendon se veprimet e tilla janë të dëmshme për institucionet pasi, sipas tij, në shumë institucione mbesin peng plane e projekte.
“Në Kosovë është bërë traditë që me fillimin e shfaqjes së indikacioneve për zgjedhje, të gjithë ata përfaqësues të partive politike që janë në institucione, t’i lënë pas dore obligimet dhe detyrat e tyre në institucione dhe të fokusohen krejtësisht në fushatat e partive të tyre respektive”, thotë Muhaxhiri. “Për fat të keq kjo çështje nuk është sanksionuar me ligj, sepse do të duhej që ligji të ishte shumë më i qartë”, thotë Muhaxhiri.
Në Ligjin për zgjedhjet e Përgjithshme në Kosovë thuhet se “subjektet politike nuk mund të shfrytëzojnë nëpunësit civilë që përdorin pozitën, burimet, ose personelin për fushatë gjatë zgjedhjeve”. Aty, po ashtu, theksohet se “përdorimi i zyrave publike, burimeve ose personelit të cilitdo institucion në nivel qendror ose lokal, me qëllim të mbështetjes së një subjekti politik në zgjedhje, është rreptësisht i ndaluar”. /REL/
Telekomi i Kosovës mban konferencë për media, pjesëmarrës Ku...
Kina, Meksika, Kanadaja reagojnë ndaj kërcënimeve të Trumpit...
Protesta e PD-së në Tiranë, 44 të shoqëruar në komisariatet ...
Osmani pritet nga Presidenti i Kolumbisë: Mirënjohëse pafund...
Protesta e opozitës në Tiranë, lirohen 21 protestues
Antonio Costa, më 1 dhjetor zyrtarisht President i KE