Google ADS

Zyrtarët e KQZ-së thonë se vepruan sipas ligjit në rastin e kontratës “Informimi publik për zgjedhjet e përgjithshme 2014”

17:00 | 17 Korrik 2018
V. S.

Zyrtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Enis Halimi dhe Nexhmi Haxhiu, në seancën e së martës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, kanë mohuar të kenë shkelur ligjin me rastin e lidhjes së kontratës në aktivitetin e prokurimit “Informimi publik për zgjedhjet e përgjithshme 2014”.

Për këto veprime, Enis Halimi në cilësinë e kryeshefit të Sekretariatit të KQZ-së, si dhe Nexhmi Haxhiu, në cilësinë e shefit të Prokurimit, akuzohen se kanë kryer veprën penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare.

Në seancën e së martës, gjatë dhënies së mbrojtjes së tyre, dy të akuzuarit kanë deklaruar se veprimet e tyre në këtë rast kanë qenë konform dispozitave ligjore në fuqi.

I akuzuari Halimi, i cili pozitën e kryeshefit të Sekretariatit të KQZ-së, e kishte filluar në prill të vitit 2013, tha se ai vazhdimisht ishte kujdesur që veprimet e tij të ishin në përputhje me ligjin.

“Veprimet e mija kanë qenë konform dispozitave ligjore. Unë nuk kam nënshkruar asgjë përtej asaj që nuk më lejon ligji. Ne kemi filluar aktivitetin e rregullt të prokurimit duke menduar se zgjedhjet do të mbaheshin brenda afateve ligjore ne muajin nëntor 2014, ndërsa me shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme kanë ndryshuar rrethanat të cilat ndikuan në shkurtimin e afateve kohore, i cili ka pasur efekt në të gjitha operacionet zgjedhore, përfshirë edhe aktivitetin që i referohet informimit publik. Këto rrethana të reja që në fakt ishin rrethana të jashtëzakonshme, kanë ndikuar në kushtëzimin e aplikimit të procedurave të shkurtuara të tenderit dhe këto procedura që janë të parapara në ligjin përkatës”, tha ai.

Sipas tij, një kushtëzim i tillë kohor kishte ndikuar që edhe procesi i përzgjedhjes së operatorëve ekonomikë të ishte proces i jashtëzakonshëm, Betimi për Drejtësin.

“Prej momentin që jam në këtë pozitë e deri më tani, asnjëherë nuk ka ndodhë që t’i nënshtrohem ndonjë procedure në lidhje me vërtetimin e përgjegjësisë për punët të cila i kryej, përkundrazi në gjitha pozicionet që kam shërbyer kam pasur gjithmonë vlerësimet maksimale”, tha ai.

Halimi tha se për fillimin e procedurave të prokurimit nevojitet nënshkrimi i kryeshefit ekzekutiv, përkatësisht i zyrtarit kryesor administrativ, si konfirmim formal i procedurës, për shkak se sipas tij, pa një nënshkrim të tillë nuk mund të procedohet më tutje me asnjë aktivitet.

Ai tha se ai si zyrtar kryesor administrativ nuk kishte qenë personi i fundit përgjegjës për realizimin e pagesave, dhe se nuk kishte pasur njohuri në lidhje me aktivitet e prokurimit që ishin zhvilluar pas konfirmimit të tij për disponueshmëri të mjeteve.

“Mendoj që në shkuarjen në procedurë të shkurtë ka qenë e kushtëzuar në bazë të rrethanave, prandaj konsideroj se aplikimi i tenderit në formën e shkurtë ka qenë në pajtim me ligjin pasi edhe ligji e parasheh këtë formë të veprimit”, tha ai.

Në këtë seancë, mbrojtjen e tij e ka dhënë edhe zyrtari i prokurimit, tani i akuzuari Nexhmi Haxhiu.

Ai tha se në vitin 2014, KQZ-ja kishte shpallur tender të hapur për aktivitetin e prokurimit në lidhje me informimin publik, ku si fillim kishte qenë tender i hapur, por më vonë për shkak të shpalljes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme, kishin ndikuar në kushtëzimin e aplikimit të procedurave të mbyllura.

“Tenderin e parë nuk e ka fituar asnjë operator për arsye se këto aktivitete janë stopuar në momentin kur presidentja ka shpallur zgjedhje të jashtëzakonshme, e sikur të mos anulohej ky tender i shpallur në mënyrë të rregullt, operatori ekonomik MDA ka qenë për dy lloto ofertuesi më i miri”, tha Haxhiu.

Ai shtoi se tenderi i hapur ishte anuluar për shkak të zgjedhjeve të jashtëzakonshme dhe për arsye të afateve të shkurta, ku edhe sipas Ligjit të Prokurimit, sipas tij, lejohej aplikimi i procedurës së shkurtër në raste urgjente,.

Sipas të akuzuarit, në këso raste njoftohen organet kompetente përfshirë Komisionin Rregullativ të Prokurimit Publik(KRRPP), dhe Agjensioni Qendror i Prokurimit.

Ai tha se i kishin njoftuar të gjitha institucionet, nga të cilat nuk kishin pasur vërejtje për aplikim të procedurës së shkurtër të tenderit.

Në pyetjen e mbrojtësit të tij, avokatit Artan Qerkini, se operatori ekonomik “Entermedia” pretendon se faqja 32 dhe 33 e aplikacionit të tenderit nuk u ishte dërguar, ai tha se kjo gjë ka mundur të ndodhte, e krejt kjo si rezultat i veprimeve të zyrtareve jo permanent të KQZ-së.

“Dosja mund të ishte ndryshuar si rezultat i kërkesave të njësisë kërkuese, e cila ka pasur të bëjë përmirësimin e specifikave teknike, në momentin kur bëhen plotësimet e njësive specifikuese atëherë ne këtu përmirësime ua dërgojmë operatorëve ekonomik, dhe një kërkesë e tillë ka ndodhur edhe në procedurën e hapur të tenderit. Këto sqarime operatoret ekonomik nga stafi jo permanent i kanë dërguar nëpërmes postës sime elektronike, për arsye se stafi jo permanent nuk ka qasje ne postën elektronikë te KQZ-së”, tha ai.

Sipas tij, dokumentacionin të operatori ekonomik “Entermedia”, përmes e-mailit të tij, e kishte dërguar stafi jo permanent i KQZ-së, përkatësisht personi me emrin Yll Sojeva.

Ai tha se kjo kompani ishte ankuar jashtë procedurave të tenderit, duke shprehur shqetësimin vetëm pas aplikimit të procedurës së negociuar pa publikim të shpalljes për tenderit.

Pasi deklaratës së të akuzuarit Haxhiu se personi me emrin Yll Sogojeva ia kishte dërguar dokumentacionin jo komplet kompanisë “Entermedia”, përmes postës elektronike të tij, avokati Qerkini ka propozuar që i njëjti të dëgjohet në cilësi të dëshmitarit.

Më këtë propozim është pajtuar edhe prokurori i rastit Feti Tunuzliu, ndërsa e ka aprovuar edhe trupit gjykues, i kryesuar nga gjykatësi Hamdi Ibrahimi.

Ndryshe, në këtë seancë ka dhënë deklaratën e tij edhe dëshmitari Ardian Jashari, i cili në maj 2014, kishte qenë në pozitën e bashkëpronarit dhe menaxherit të kompanisë “MDA”.

Ai  tha se ai e kishte përgatitur kompaninë për të marrë pjesë në tenderin e KQZ-së, por tha se ai nuk kishte qenë personi kontraktues edhe pse në aplikacionin e tenderit figuronte emri i tij.

Sipas tij, kompania “MDA” kishte aplikuar në tenderin e shpallur nga KQZ-ja, ku edhe ishte shpallur fituese dhe ishte ftuar të nënshkruajë kontratën të cilën edhe e kishte nënshkruar, ku sipas tij vlera e tenderit kishte qenë rreth 300 mijë euro.

“Nuk më kujtohet kush ka qenë nënshkrues i kontratës në emër të kompanisë për arsye se ne në atë kohë ishim në fazën e riorganizimit të brendshëm të kompanisë, ashtu që në kontratë ka mundur të jetë emri im, i Ekrem Hajdarit apo i Rinor Gjonbalajt”, tha ai.

Sipas tij, kontrata ishte realizuar 90%, për shkak të afateve të shkurtra, të cilat sipas tij, nuk e kishin lejuar ekzekutimin 100% të saj, për shkak te zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

Ai tha se i kishin plotësuar të gjitha kriteret e parapara në tenderin e shpallur nga KQZ-ja, në lidhje me materialet e zgjedhjeve të parakohshme, pasi njëri prej kritereve sipas tij, kishte qenë që ofertuesi të jetë ekonomikisht më i favorshëm.

“Nuk jam i sigurt se më sa vota kishim fituar tenderin e parë, kam qenë në dijeni se pas anulimit të tenderit të parë është zhvilluar një tender tjetër pas shpalljeve të zgjedhjeve të jashtëzakonshme. Arsyeja e anulimit të tenderit të parë ishte se presidentja e shtetit, kishte shpallur zgjedhje të jashtëzakonshme” tha ai.

Më tutje, dëshmitari tha se në media e kishte parë se kishte pasur ankesa nga kompania “Entermedia”, ku sipas tij, pronari i kësaj kompanie Leotrim Blakaj e kishte ofenduar, shantazhuar dhe kërcënuar përmes SMS-ve, duke i thënë “ose bashkëpunoni me neve ose ne do të ankohemi, nëse nuk më kontrakton mua unë do ta anuloj tenderin”.

Seanca e radhës pritet të mbahet me 17 shtator 2018, në ora 9:30.

Sipas prokurorisë, pasi drejtori i prokurimit në KQZ, Nexhmi Haxhiu ka bërë deklaratën e nevojave dhe përcaktimit të disponueshmërisë së fondeve dhe këtë e ka aprovuar Enis Halimi, si kryeshef ekzekutiv i Sekretariatit të KQZ-së në vlerën prej 472.3000.00 euro, KQZ, si autoritet kontraktues më 16 prill kishte publikuar në faqen e Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP), njoftimin për kontratë lidhur me aktivitetin e prokurimit “Informimi publik për zgjedhjet e përgjithshme 2014”.

Aktakuza pretendon se KQZ, si autoritet kontraktues, ka bërë diskriminim ndaj kompanisë “Entermedia” si operator ekonomik, duke mos i dërguar dosjen identike të tenderit me ato që i kishte dërguar operatoreve të tjerë, duke shkelur nenin 7.1 dhe 50.4, 69.7, të Ligjit të Prokurimit Publik.

Po ashtu, në këtë aktakuzë, thuhet se pas skadimit të afatit për dorëzimin e ofertave, komisioni për hapjen e ofertave, më 02.05.2014 ka rezultuar se ofertat i kanë dorëzuar 10 operatorë dhe të njëjtin regjistër ia kanë dorëzuar të akuzuarit, Nexhmi Haxhiu.

Aktakuza, vazhdon me pretendimin se i pandehuri Haxhiu, me postë elektronike i kishte njoftuar të gjithë operatorët që kishin dorëzuar ofertat e tyre dhe të dy të pandehurit kishin bërë njoftimin në KRPP, që autoriteti kontraktues ka zbatuar procedurën e negociuar, pa publikimin e njoftimit për kontratë.

Gjithashtu në aktakuzë thuhet se sipas vlerësimit të ofertave, ofertat e disa operatoreve ekonomik ishin shumë më të ulëta se sa ato të operatorit ekonomik, që është ftuar në procedurën e negocimit, e që në fakt rezulton se është më e madhe se sa ofertat e tjera për 164.064 euro, për aq sa është dëmtuar edhe buxheti i KQZ-së. /Betimi per drejtësi/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme