Në gjykimin e ish-sekretarit të Ministrisë së Shëndetësisë, Ilir Tolajt dhe pesë zyrtarëve të kësaj Ministrie, të akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare, janë marrë në pyetje dy të akuzuarit Zenel Kuqi dhe Bekim Fusha.
Prokuroria pretendon se Zenel Kuqi ka zhvilluar procedurat e prokurimit në kundërshtim me Ligjin dhe rregullat e prokurimit publik sa i përket planifikimit dhe alokimit të fondeve financiare.
Lidhur me këtë, Kuqi, i cili ka qenë ushtrues detyre i drejtorit të Zyrës së Prokurimit në Ministrinë e Shëndetësisë, tha se planifikimi është një dokument që përgatitet nga Zyra e Prokurimit, ndërsa kërkesat vijnë nga njësitë kërkuese.
“Sa i përket alokimit nuk ka të bëjë fare me zyrtar të prokurimit, përkatësisht me mua”, shtoi ai.
“Për rastin për asgjësimin e barnave me afat të skaduar, kërkesa më ka ardhur nga Departamenti Farmaceutik dhe në mënyrë të rregullt deklaratën e nevojave e të disponueshmërisë së mjeteve e nënshkruan ZKA dhe ZKP në kuadër të Prokurimit. Specifikimet teknike nga Departamenti Farmaceutik më kanë mjaftuar mua të udhëheq procedurat për nënshkrimin e kontratës dhe me nënshkrimin e kontratës ka përfunduar puna ime”, sqaronte Kuqi.
Ai tha se me nënshkrimin e kontratës në fjalë nuk konsideron se ka bërë shkelje, madje njëjtë do të vepronte edhe sot.
“Unë nuk konsideroj se kam bërë shkelje me nënshkrimin e asaj kontrate në asnjë mënyrë. Edhe sot po të udhëhiqej një procedurë e tillë nuk besoj se do të mund të veproja më mirë”, duke shtuar se me nënshkrimin e kësaj kontrate nuk i është shkaktuar dëm askujt.
I pyetur në sallë të Gjykatës se a ka përfituar ndonjë gjë me nënshkrimin e këtij tenderi, i njëjti u përgjigj: “Jo, në asnjë mënyrë”.
“Jam shumë i sigurt që në asnjë mënyrë me veprimet e mia i kam shkaktuar dëm Ministrisë së Shëndetësisë. Përkundrazi në raport me një vit përpara të gjitha barnat janë blerë me 30% më lirë se në vitin 2010”, u përgjigj Kuqi.
Pas tij, nga Prokuroria dhe trupi gjykues u mor në pyetje Bekim Fusha, i cili nuk ka avokat të angazhuar.
Fusha akuzohet për periudhën sa ishte ushtrues i detyrës së drejtorit të Departamentit Farmaceutik në Ministrinë e Shëndetësisë.
Në sallë të Gjykatës, Fusha deklaroi se këtë detyrë e ka kryer gjithherë me përgjegjësi të plotë.
“Unë shtetin tim e konsideroj të shenjtë. Të tillë e kam konsideruar edhe punën me aq përgjegjësi, e cila më është besuar. Këtë detyrë jam munduar me të gjithë potencialin tim që ta kryej në përputhje me bindjet e mia”, tha Fusha.
I pyetur nga njëri anëtar i trupit gjykues se pse e konsideron veten të akuzuar, i njëjti u përgjigj se ky rast ka qenë “veprim për ngut i Prokurorisë”.
“Unë konsideroj se prokuroria, pa dashur të prejudikoj, në rastin konkret mendoj se këtu jam vetëm numër dhe nuk ka asnjë përmbajtje e cila bën të mbështetet në çfarëdo lloj prove që unë kam kryer ndonjë vepër penale. Dmth që ky është vetëm veprim për nguti i Prokurorisë”, shtoi ai.
Në seancën e radhës do të vazhdohet me marrjen në pyetje të të akuzuarve të tjerë.
Aktakuza e Prokurorisë Speciale ndaj të akuzuarve përbëhet nga tri pika.
Pika e parë akuzon Ilir Tolajn, Bekim Fushën dhe Zenel Kuqin se gjatë periudhës 23. 5.2011 deri 31.12.2011 në Prishtinë, në bashkëveprim, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, me qëllim që të përfitojë dobi materiale kompania “KMI” sh.p.k. me bashkëpronarë Arion Lleshin dhe Shpend Aganin, i tejkaluan kompetencat si dhe nuk i përmbushën detyrat zyrtare të tyre.
Këto veprime të të akuzuarve kompanisë “KMI” i kanë sjellë dobi materiale në shumë prej 400.000 euro.
Në vlerë të njëjtë ata i kanë shkaktuar dëm buxhetit të Kosovës.
Për këtë Prokuroria i akuzon se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare.
Pika e dytë e aktakuzës e akuzon Zenel Kuqin se në cilësinë e menaxherit të prokurimit në Ministrinë e Shëndetësisë gjatë periudhës ndërmjet 23.05.2011 dhe 31.12.2011 i tejkaloi kompetencat e tij me qëllim të përfitimit të dobisë materiale nga kompania “ACG dhe “Standart”, për aktivitetin e prokurimit “Renovimi gjeneral i aneksit të emergjencës ekzistuese në QKUK”, kompania “Alb Architect” në aktivitetin e prokurimit “Renovimi gjeneral dhe adaptimi i katit përdhes në Klinikën Interne, në repartin e ri për dializë në QKUK”, dhe kompania “Life Farm” për aktivitetin e prokurimit “Furnizim me infuzione”, duke i shkaktuar dëm buxhetit të Kosovës në vlerën totale 276.307.97 eurove.
Me këtë në vazhdimësi sipas prokurorisë Kuqi ka kryer veprën penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar.
Pika e tretë e akuzon Valentina Haxhijajn, Remzije Thaçin dhe Florije Tahirin se gjatë periudhës kohore 23.05.2011 deri 31.12.2011, Valentina Haxhijaj në cilësinë e kryetares së Komisionit për Mbikëqyrjen e Ekzekutimit të Kontratës me Kompaninë “KMI”, sh.p.k. si dhe Remzije Thaqi e Florije Tahiri në cilësinë e anëtares, në bashkëveprim duke e shfrytëzuar autoritetin zyrtar më qëllim që të përfitojë dobi materiale kompania “KMI”, i kanë tejkaluar kompetencat dhe nuk i kanë përmbushur detyrat zyrtare duke i sjellë kompanisë dobi materiale në shumën rreth 400.000 eurove.
Me këtë në vazhdimësi Valentina Haxhijaj, Remzije Thaçi e Florije Tahiri kanë kryer veprën penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare.
Pjesë e aktakuzës ishin edhe dy biznesmenë, Arion Lleshi e Shpend Agani.
Lleshi e Agani lidhën marrëveshje për pranim fajësie me prokurorin special, të cilën më pas e pranoi edhe Gjykata.
Pas aprovimit të pranimit të fajësisë, Gjykata i dënoi Lleshin e Aganin me nga dy vjet burg me kusht dhe me nga 1,000 euro gjobë.
Po ashtu, biznesmenët u obliguan që t’i kthejnë shtetit 400 mijë euro.
Gjykimi i ish-sekretarit dhe zyrtarëve të MSh-së është rast i shënjestruar për liberalizimin e vizave. /kallxo.com
Kumbaro publikon fotografi unike: Lezeti i këtyre ditëve në ...
Presidenti ukrainas bën thirrje për forcimin e mbrojtjes ajr...
Haradinaj takon qytetarët në Istog, premton investime të shu...
Hamza takohet me Xhakën, e quan kampion dhe shembull për të ...
Prishtina dhe Ballkani ndajnë pikët në kryederbin e fundjavë...
Ky është 25-vjeçar që vdiq tragjikisht në vendin e punës në ...