ZYRTARE| Vota për Albin Kurtin është e pavlefshme

13:19 | 5 Shkurt 2021
S D

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të zgjedhjeve, Valmir Elezi, ka bërë të ditur se kur mund të shpallet fletëvotimi i pavlefshëm, pas paqartësive të krijuara në lidhje me kandidimin e Albin Kurtit.

“Pra, nëse një subjekt politik ka të certifikuar 4 kandidatë dhe në fletëvotim janë shënjuar 5 numra, në FLLK evidentohen këto 5 shënjime, por ato nuk barten të gjitha në Formularët e Rezultateve të Kandidatëve. Në këta formularë bartën vetëm votat e kandidatëve të certifikuar”, bënë të ditur Elezi, duke nënkuptuar se vota për Albin Kurtit do të jetë e pavlefshme.

Sipas tij, pas përfundimit të votimit, anëtarët e Këshillit të Vendvotimit, të cilët përfaqësojnë subjektet politike, numërojnë fillimisht votat për subjektet politike, duke krijuar dengje me votat e vlefshme për secilën prej tyre.

“Pas këtij procesi, Këshilli i Vendvotimit numëron pjesën tjetër të fletëvotimit: votat e kandidatëve. Këto të dhëna paraqiten në Fletat Llogaritëse të Kandidatëve (FLLK) për secilin fletëvotim. Në këto fleta paraqiten të dhënat për çdo numër. Pas kësaj, bëhet bartja e totalit të votave për secilin kandidat të certifikuar,” shprehet Elezi për arbresh.info.

Rrjedhimisht vota për partinë nuk humbet, vetëm për kandidatin.

Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme, i ndryshuar në vitin 2010, ka qartësuar mënyrën e votimit.

Sipas nenit 110, paragrafi 4, votuesi pajiset me një fletëvotim në zgjedhje dhe a). e shënjon atë me votën për një subjekt politik, dhe b) mund që po ashtu të shënojë atë me vota për deri në 5 kandidatë nga lista e subjektit politik.

Ndërsa, në paragrafin 5 theksohet se “nëse një fletëvotim shënjohet për më shumë se 5 kandidatë, atëherë numërohet vetëm vota e hedhur për subjektin politik”. Pra, votuesi duhet të zgjedhë vetëm 1 subjekt politik dhe më së shumti 5 kandidatë nga ai subjekt politik./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme