Zyrtare: Thaçi dhe Vuçiq takohen në fillim të shtatorit

11:45 | 21 Korrik 2018
M. A.

Dialogu mes Kosovës e Serbisë, me ndërmjetësimin e Përfaqësueses së Lartë të BE’së, Federcia Mogherini, ka hyrë në fazën intensive. Gjatë verës Presidenti serb Aleksander Vuciq e Hashim Thaçi u takuan dy herë. Në një përgjigje për Gazetën Express, zëdhënësja e Zyrës së Mogherinit, Maja Koçijanciq ka thënë se takimi i radhës në Bruksel do të realizohet në fillim të shtatorit.

Presidenti Thaçi gjatë kësaj jave udhëtoi në Bruksel e me vete kishte edhe liderët e tjerë institucionalë. Kur erdhi koha e takimit me Vuciqin, aty Thaçi hyri i vetëm.

Kocijanciq thotë se aty dy presidentët u morën vesh që takimi i radhës të jetë në fillim të shtatorit.

“Në takimin e fundit e Dialogut në Nivelin e Lartë, të cilin e drejtoi Përfaqësuesja e Lartë më 18 korrik, dy presidentët rishikuan progresin në marrëveshjet e deritanishme dhe u pajtuan që të ritakohen në fillim të shtatorit”, thuhet në përgjigjen e Kocijanciq dhënë Gazetës Express.

Takimet mes dy liderëve janë shpeshtuar, ndërsa palët dhe ndërkombëtarët kanë paralajmëruar një fazë intensive të dialogut deri në arritjen e një marrëveshjeje finale.

Pala kosovare edhe më tutje është larg një konsensusi të përgjithshëm dhe krijimin e një ekipi negciues gjithëpërfshirës, ndërsa rruga drejt dialogut po bëhet edhe më enigmatike.

Ka mjaftuar një deklaratë, ose më saktë një refuzim i ambasadorit amerikan, Greg Delawie, për t’u deklaruar rreth mundësisë që ndarja e Kosovës të diskutohet në Bruksel, për të rikthyer pasigurinë në vend.

Nga ana tjetër Vuciq dhe Thaçi përsëritin dhe marrëveshja finale mund të jetë shumë e dhimbshme.

Opozita, që vazhdon ta refuzojë pjesëmarrjen në dialog me Thaçin kryenegociator, thotë se është Presidenti i vendit ai i cili mund ta vë Kosovën në situata që do të vinin në diskutim integritetin territorial të vendit.

Faza finale e dialogut ka nisur në dy raundet e fundit ndërmjet Presidentit Thaçit dhe homologut të tij serb, Aleksander Vucic.

Kosova dhe Serbia kanë mbajtur tri raunde bisedimesh prej vitit 1999. Në kohën e luftës ishte organizuar Konferenca e Rambouillet për marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Dokumenti ishte nënshkruar vetëm prej palës kosovare derisa serbët kishin refuzuar duke i hapur kështu rrugë bombardimit 78 ditor të NATO’s mbi caqet ushtarake e policore serbe.

Pasluftës, kishte nisur edhe një proces negociator, ku ishte caktuar Vjena si vend ku takoheshin kosovarët dhe serbët. Marti Ahtisaari ishte caktuar ndërmjetës kryesor duke propozuar pavarësi të mbikëqyrur për Kosovën.

Një proces i tretë dialogues ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka nisur në vitin 2010 me ndërmjetësim të Brukselit dhe mbikëqyrje të SHBA’së.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme