Zyrtarë të lartë të BERZH-it po qëndrojnë në Kosovë

13:57 | 5 Shkurt 2019
L G

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pritur në takim një delegacion të Bordit të Drejtorëve të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), të udhëhequr nga Drejtori i Konstituencës së Holandës, Kinës, Mongolisë, Maqedonisë dhe Armenisë Frans Weekers, dhe drejtori i Bordit për Irlandën, Danimarkën, Lituaninë dhe Kosovën, Patrick Walsh, anëtarët e Bordit të pranishëm në këtë takim në mesin e tyre përfaqësuan 32 vende të botës.

Haradinaj ka falënderuar Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim që vazhdon të jetë një ndër partnerët strategjikë të Kosovës.

“Ardhja juaj në Kosovë është një mesazh i mirë dhe konfirmim i punës së mirë që kemi pasur gjatë kësaj kohe”, ka thënë kryeministri Haradinaj.

Haradinaj, gjithashtu, ka përmendur se Kosova është e përkushtuar që të vazhdojë partneritetin me BERZH-in në projektet më të rëndësishme zhvillimore të vendit, siç janë projektet infrastrukturore, të energjisë së ripërtërirë, minierave, zhvillimin e sektorit privat nëpërmjet financimit të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, si dhe mbështetjen e investimeve të huaja direkte, bëhet e ditur në komunikatën për media.

Ndër të tjera, Haradinaj u ka kërkuar përfaqësuesve të kësaj Banke që mbështetja e tyre për ta ndihmuar Kosovën të vazhdojë edhe në të ardhmen.

Drejtorët e Bordit të BERZH-it, nga ana e tyre, konfirmuan gatishmërinë e këtij institucioni ndërkombëtar të vazhdojë përkrahjen e ekonomisë së Kosovës dhe punës se Qeverisë ndaj reformave dhe përmirësimin e jetës së qytetarëve.

“Krahas projekteve në infrastrukturë dhe në energji, në këtë takim u theksua edhe rëndësia e zhvillimit të projekteve në sektorin e ujërave, minierave dhe telekomunikacionit. Kryeministri Haradinaj potencoi edhe rëndësinë që kanë projektet që janë prezantuar në samitin e vitit të kaluar të BERZH-it, disa nga të cilat janë shumë afër implementimit”, bëhet e ditur në komunikatë.

Gjatë këtij takimi u përmendën edhe masat që ka ndërmarrë vendi për ta rishikuar legjislacionin në vend, në mënyrë që t’i ndihmohet sa më shumë sektorit privat, duke evituar pengesat burokratike.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme