ZYRTARE: Donika Gërvalla drejton Listën GUXO deri në mbajtjen e kuvendit zgjedhor

13:35 | 14 Shkurt 2022
arbresh.info

Donika Gërvalla do të drejtojë me Listën GUXO, parti politike që dorëzoi aplikimin ditën e sotme në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, shkruan arbresh.info.

“Në kohë krizash dimë të jemi solidar me njëri-tjetrin. Parakusht për solidaritet është barazia dhe drejtësia.  Sot jemi para jush për të prezantuar programin e partisë GUXO. Që të guxojmë t’i shtrëngojmë fort shanset që na hapen. Falënderojmë të gjithë ata që na përkrahën në zgjedhjet e 14 shkurtit”, deklaroi Donika Gërvalla, para medieve.

Arsyeja e regjistrimit si parti politike sipas saj më 14 shkurt, ka të bëjë me arritjen e jashtëzakonshme para një viti me partnerin e koalicionit, Lëvizjen Vetëvendosje.

Ajo ka folur edhe për Vjosa Osmanin si një ndër figurat kyçe që themeluan listën.

“Presidentja, Vjosa Osmani, është themeluese e kësaj liste dhe është e pazëvendësueshme, megjithatë është zgjedhur me votë masive, natyrisht se nuk është e njëjtë si me zonjën Osmani, si pa zonjën Osmani, por jemi të përkushtuar për një subjekt serioz politik”, deklaroi Gërvalla.

Sipas saj, me Lëvizjen Vetëvendosje do të vazhdojnë të jenë në një grup parlamentar.

“Kam marrë përsipër drejtimin deri në mbajtjen e kuvendit zgjedhor, por më shumë punojmë si grup, dhe jo si individë. Unë nënshkruaj, deri në mbajtjen e kuvendit zgjedhor”, deklaroi Gërvalla.

Faton Peci, nga Lista GUXO tha se aplikimi i sotëm është një dëshmi për të vazhduar angazhimet tona që kemi marrë nga 14 shkurti 2021.

“Lista fillimisht ishte “VJOSA” tash “GUXO”. I ftojmë qytetarët të na bashkohen, kudo dhe kuvendi qendror pritet të mbahet brenda gjashtë muajve”, deklaroi Peci.

Lista “Guxo” aktualisht është e pranishme edhe në Kuvendin e Kosovës, deputetët e së cilës garuan në zgjedhjet e fundit nacionale në kuadër të Lëvizjes Vetëvendosje.

Kjo marrëveshje u bë nga ish-drejtuesja e listës, Vjosa Osmani, me kryetarin e Vetëvendosjes, Albin Kurti.

Rezultati i zgjedhjeve mundësoi zgjedhjen e Osmanit si presidente, dhe Kurtit si kryeministër që në kabinetin e tij ka edhe përfaqësues të Listës GUXO./arbresh.info/

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme