Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) njoftoi të premten se ka ngritur një aktakuzë të re kundër ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, nën dyshimin për pengim të drejtësisë, dhe se i ka arrestuar tre të dyshuar të tjerë për pengim të personave zyrtarë dhe mosbindje ndaj gjykatës.
Në një njoftim për media, ZPS-ja tha se i ka arrestuar ish-shefin e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), Bashkim Smakaj, ish-kryetarin e Komunës së Malishevës, Isni Kilaj, dhe Fadil Fazliun, përcjell Arbresh.info.
“Z. Smakaj, z. Fazliu dhe z. Kilaj u arrestuan më 5 dhjetor në Kosovë dhe u transferuan në objektin e paraburgimit të DHSK-së më 6 dhjetor, në bazë të aktakuzës së konfirmuar dhe fletarrestimeve të lëshuara nga Gjykatësja e Procedurës Paraprake e Dhomave të Specializuara të Kosovës. Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) kreu arrestimet me mbështetjen e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX)”.
“Fletarrestimi i lëshuar nga Gjykatësja e Procedurës Paraprake iu dorëzua z. Thaçi në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës më 5 dhjetor, në bazë të aktakuzës së konfirmuar”.
Ndërkohë, ish-ministri i Drejtësisë i Kosovës, Hajredin Kuçi, është urdhëruar të paraqitet në gjykatë, pasi akuzohet për mosbindje ndaj gjykatës, thuhet në njoftim.
Specialja ngre akuzë të re ndaj Thaçit, lëshon fletëthirrje për Hajredin Kuçin
“Hajredin Kuçit iu dorëzua aktakuza e konfirmuar dhe fletëthirrja për t’u paraqitur para Gjykatëses së Procedurës Paraprake, në bazë të aktakuzës së konfirmuar, për paraqitjen e parë”, thuhet në njoftim.
Sipas Aktakuzës së konfirmuar, thuhet se së paku midis 12 prillit 2023 dhe 2 nëntorit 2023, “gjatë vizitave jo të privilegjuara në objektin e paraburgimit, “zoti Thaçi u dha zotit Smakaj, zotit Kilaj, zotit Fazliu dhe zotit Kuçi informacion konfidencial në lidhje me dëshmitarë të ZPS-së, udhëzime për të ndikuar në dëshmitë e dëshmitarëve të ZPS-së dhe hollësi se si duhej ta bënin këtë”.
“Në aktakuzë më tej pretendohet se z. Thaçi bashkërendoi tri grupe të veçanta, të formuara me z. Smakaj, me z. Fazliu dhe me z. Kilaj, dhe persona të tjerë kundër të cilëve nuk janë ngritur akuza, si dhe me z. Kuçi, me synimin për të ndikuar në dëshmitë e dëshmitarëve të ZPS-së në kontekstin e gjykimit aktual për krime lufte Thaçi dhe të tjerët”.
“Në aktakuzën e konfirmuar, kundër z. Thaçi janë ngritur tri akuza për tentativë për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, me anë të pjesëmarrjes në veprimin e përbashkët të një grupi; katër akuza për shkelje të fshehtësisë së procedurës, dhe katër akuza për mosbindje ndaj gjykatës”.
“Kundër z. Fazliu, z. Smakaj dhe z. Kilaj është ngritur nga një akuzë për tentativë për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, me anë të pjesëmarrjes në veprimin e përbashkët të një grupi, dhe një akuzë për mosbindje ndaj gjykatës”.
“Kundër z. Kuçi janë ngritur dy akuza për mosbindje ndaj gjykatës”.
Në përputhje me Rregulloren e Procedurës dhe të Provave të DHSK-së, seancat e paraqitjes së parë për katër nga të akuzuarit në këtë çështje gjyqësore Thaçi, Smakaj, Fazliu dhe Kilaj, janë caktuar për të dielën, 8 dhjetor 2024, duke filluar nga ora 09:30, me paraqitjen e parë të Thaçit.
Seanca e paraqitjes së parë të Hajredin Kuçit është caktuar për të hënën, 9 dhjetor 2024, në orën 10:00.
Seancat e paraqitjes së parë do të jenë publike dhe mund të ndiqen në gjuhët shqipe, anglishte ose serbishte përmes faqes së transmetimit në faqen e internetit të DHSK-së, me një vonesë prej 10 minutash, ose nga galeria për publikun në selinë e Gjykatës./Arbresh.info/
Kush janë 16 banorët e parë të Big Brother VIP Albania 4
Drenusha-Sarës: Nuk ke ndjenja për Drilonin
“90% e prindërve kërkuan mbylljen e aksesit në TikTok”, Rama...
Policia shqiptoi mbi 1 mijë e 200 gjoba gjatë 24 orëve të fu...
I dyshuari për sulmin në Gjermani përballet me 5 akuza për v...
“Biletë kthimi e çek me para” – gjashtë avantazhet që ndodhe...