Në një shkresë drejtuar gjykatësit të procedurës paraprake, Nicolas Guillou, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS), ka kërkuar që Kadri Veselit, t’i vazhdohet paraburgimi.
Sipas prokurorisë, vazhdimi i paraburgimit mbetet i nevojshëm.
Ata kanë përmendur si rreziqe, rrezikun e arratisjes, pengimin e procedurave të Dhomave të Specializuara dhe rrezikun për të kryer krime të mëtejshme
Ndryshe, më 29 prill, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) ka dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit.
Prokuroria po pretendon se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Në aneksin e publikuar sa i përket krimeve që pretendohen se ndodhën në Seminishtë dhe Budakovë, prokuroria ka listuar krimet e luftës si arrestimi dhe ndalimi i paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor ose çnjerëzor, torturë, vrasje. Ndërkaq, si krime kundër njerëzimit i ka listuar burgimin, vepra të tjera çnjerëzore, torturën, vrasjen, zhdukjen me forcë e personave dhe persekutimin.
Kurse, për krimet që pretendon që ndodhën në Gjilan, si krime lufte i ka listuar arrestimi dhe ndalimin e paligjshëm ose arbitrar, trajtimin mizor ose çnjerëzor, torturën dhe vrasjen. Ndërsa, si krime kundër njerëzimit ka listuar burgimin, vepra të tjera çnjerëzore, torturën, vrasjen, dhe persekutimin.
Pas kësaj, gjykatësi i procedurës paraprake pasi ka konfirmuar akuzat e reja, ka caktuar 10 majin si datën kur të akuzuarit do të dalin para gjykatës.
Thaçi pritet të dalë nga ora 10:00 deri në 10:45, Veseli nga ora 11:15 deri në orën 12:00, Krasniqi nga ora 14:00 deri në 14:45 dhe Selimi nga ora 15:15 deri në orën 16:00.
Ndryshe, në vendimin e gjykatësit paraprak, me anë të së cilit ka caktuar datën e paraqitjes së tyre, thuhet se më 3 shtator 2021, ZPS ka paraqitur një aktakuzë të ndryshuar për tu konfirmuar nga gjykatësi paraprak.
Tutje, thuhet se më 22 prill 2022, pasi urdhëruan palët të paraqisnin dhe u mor përgjigja e mbrojtjes dhe e ZPS-së, mbi materialin mbështetës të amendamenteve që konsiderohet se përbëjnë akuza të reja që mbështesin konstatimin e dyshimit të bazuar mirë në pajtim me rregullin 86 (4) të Rregullores, gjyqtari i procedurës paraprake konfirmoi aktakuzën e ndryshuar
Kurse, thuhet se më 29 prill 2022, ZPS- ja dorëzoi një aktakuzë të ndryshuar publikisht të redaktuar dhe dokumentet përkatëse
Më 9 nëntor të vitit të kaluar, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë.
Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Selimi më 11 nëntor.
Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.
Sipas akuzës, së paku midis marsit 1998 deri në shtator 1999, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi dhe anëtarë të tjerë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët kishin qëllimin e përbashkët për të siguruar dhe ushtruar kontroll mbi të gjithë Kosovën përmes metodave që përfshinin frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e paligjshëm të atyre që konsideroheshin si kundërshtarë.
“Ndër këta kundërshtarë përfshiheshin persona që ishin, ose që konsideroheshin se kishin qenë: (a) bashkëpunëtorë ose të lidhur me forca, zyrtarë ose institucione shtetërore të RFJ-së, ose që (b) ndryshe nuk mbështetnin qëllimet ose metodat e UÇK-së dhe më vonë të QPK-së, ndër të cilët persona të lidhur me LDK-në dhe serbë, romë dhe persona të kombësive të tjera (bashkërisht, ‘kundërshtarët’). Ky qëllim i përbashkët përfshinte krimet e përndjekjes, burgosjes, arrestimit dhe ndalimit arbitrar ose të paligjshëm, akte të tjera çnjerëzore, trajtimin mizor, torturën, vrasjen dhe zhdukjen me forcë të personave”, thuhet në aktakuzë.
Tutje, në aktakuzë përmenden edhe Azem Syla, Lahi Brahimaj, Fatmir Limaj, Sylejman Selimi, Rrustem Mustafa, Shukri Buja, Latif Gashi dhe Sabit Geci.
Sipas aktakuzës, të akuzuarit bashkë me udhëheqësit tjerë të UÇK-së kontribuuan në arritjen e qëllimit t përbashkët.
“Si alternativë, disa ose të gjithë këta individë nuk ishin anëtarë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët, por u përdorën nga anëtarë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët për të kryer krime për realizimin e qëllimit të përbashkët (së bashku me anëtarët e NKP-së, bashkërisht ‘anëtarët dhe instrumentet e NKP-së’)”, thotë akti akuzues. /BetimipërDrejtësi/
OJQ-të në Serbi paraqesin kallëzim penal për spiunim
Kurti priti në takim lamtumirës ambasadorin Hovenier: Kosova...
Ndahet nga jeta ish-kryeministri indian Manmohan Singh
Manchester United vazhdon me seri negative, mposhtet edhe ng...
Osmani dhe Hovenieri bëjnë homazhe tek shtatorja e president...
Kurti dhe Nagavci takuan studentët përfitues të bursave nga ...