Zyra e Borrellit publikon agjendën për takimin Kurti-Vuçiq

15:52 | 24 Qershor 2024
L G

Përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme i BE-së, Josep Borrell do të presë të mërkurën një takim të nivelit të lartë të dialogut Beograd-Prishtinë në Bruksel.

BE ka bërë të ditur se kryeministri Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre.

“Përfaqësuesi i Lartë dhe Përfaqësuesi Special i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak do të zhvillojnë takime të ndara me liderët nga ora 15:00, pasuar më pas nga një takim i përbashkët trepalësh. Takimet do të analizojnë atë që është arritur në dialog nën udhëheqjen e Përfaqësuesit të Lartë dhe do të fokusohen në rrugën përpara”, thuhet në njoftimin e zyrës së Borrellit.

Po ashtu është bërë e ditur se para dhe pas takimit do të ketë deklaratë nga Përfaqësuesi i Lartë, Josep Borrell.

Takimi i fundit Kurti – Vuçiq në Bruksel u zhvillua më 14 shtator të vitit 2023, kur u diskutua për zbatimin e Marrëveshjes në rrugën drejt normalizimit të raporteve, por ai takim rezultoi pa ndonjë përparim.

E vetëm ditë më vonë, një grup paramilitarësh serbë të udhëhequr nga kryekrimineli Milan Radojçiq sulmuan Policinë e Kosovës në fshatin Banjskë të Zveçanit, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.

Të ngjashme