Zyra e BE-së: Kuvendi injoroi komentet tona për tri projektligje

17:52 | 26 Qershor 2024
E.G

Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka reaguar për mospërfilljen e komenteve të BE-së për projektligjet për Zyrtarët Publikë, Komisionin e Pavarur për Media dhe atë për Këshillin Prokurorial.

Në reagimin e tyre thuhet se komentet të cilat nuk janë marrë parasysh synonin përmirësim dhe sigurim të pajtueshmërisë me standardet evropiane, teksa këto tri projektligje do të shqyrtohen për herë të dytë nesër në Kuvendin e Kosovës.

“Komisioni i Kuvendit nuk ka trajtuar shqetësimet kryesore lidhur me këtë projektligj, të ngritura në opinione të ndryshme të BE-së, veçanërisht në lidhje me ndryshimet që sjell legjislacioni në postet drejtuese dhe në procedurat e rekrutimit, promovimit dhe performancës në shërbimin civil”, thuhet në reagim për Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Zyrtarët Publikë.”, thuhet në njoftim.

Ndërkaq për Projektligjin për Komisionin e Pavarur të Mediave bëhet me dije se s’janë përfshirë rekomandimet si: kompetencat dhe financimi i KPM-së, procedurat zgjedhore dhe kushtet e shërbimit për anëtarët e saj, dhe proporcionaliteti i sanksioneve.

“BE-ja shpreh keqardhjen që Kosova nuk kishte kërkuar nga Komisioni i Venecias një opinion pasues përkundër faktit se amendamentet parashikojnë një strukturë të re institucionale për emërimin e anëtarëve porotë me përfshirjen e Komisionit Parazgjedhues. Prandaj BE-ja përsërit rekomandimin e saj të fortë për të rikonsultuar Komisionin e Venecias për këtë projektligj. BE-ja thekson më tej me shqetësim se pavarësisht këshillave dhe mbështetjes sonë të vazhdueshme që i kemi dhënë qeverisë dhe komisioneve përkatëse të Kuvendit, komentet tona nuk janë marrë parasysh, duke përfshirë rritjen e pluralizmit dhe pavarësisë së Komisionit Para-Seleksionues për të siguruar përafrimin me standarde evropiane”, thuhet për Projektligjin aktual për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës.

Në fund të reagimit, Zyra e BE-së i bën thirrje edhe një herë Kuvendit të Kosovës rishqyrtim të amandamenteve, në mënyrë që të përmbushen standardet evropiane.

“Në fund të fundit, ligjet e drejta që përputhen me standardet evropiane dhe ndërkombëtare janë thelbësore për sundimin e ligjit në shoqëritë demokratike, si dhe për mirëqenien dhe mbrojtjen e qytetarëve”, thuhet tutje./Arbresh.info/

Të ngjashme