Zyberaj: Asnjë zyrtar serb nuk është lejuar dhe nuk do të lejohet të hyjë në Kosovë

19:34 | 3 Tetor 2019
A. B.

Këshilltari i ministrit të Jashtëm, Behgjet Pacolli, Jetlir Zyberaj, është shprehur se Serbia po tenton të destabilizojë Kosovën para zgjedhjeve.

Zyberaj nëpërmjet një postimi në Facebook ka thënë gjithashtu se të gjitha kërkesat për vizita nga zyrtarët serbë janë refuzuar dhe asnjë nuk do të aprovohet.Sipas tij, qëllimi i Beogradit është destabilizimi i Kosovës dhe shantazhi mbi serbët lokalë e ndërhyrja në zgjedhjet e 6 tetorit.

“Në dy ditët e fundit ka pasur përpjekje të vazhdueshme nga Beogradi për të destabilizuar Kosovën para zgjedhjeve.Të gjitha kërkesat për vizita në Kosovë nga zyrtarët serbë janë refuzuar dhe asnjë nuk do të aprovohet”, ka shkruar Zyberaj.

“Qëllimi i Beogradit është të destabilizojë Kosovën, të kërcënojë dhe të shantazhoj serbët lokalë dhe të ndërhyjë në procesin zgjedhor. Ky vendim merret pas një konsultimi të ngushtë me institucionet e sigurisë në Kosovë. Ky vendim është në interesin e Kosovës dhe mbron të gjithë qytetarët që të bëjnë zgjedhjen e tyre të lirë për udhëheqësit e tyre të ardhshëm”

Tutje ai ka bërë edhe një postim tjetër ku ka kujtuar rastin e arrestimit të Marko Gjuriç, i cili ishte futur në territorin e Kosovës pa leje.

“Në mars të vitit të kaluar kur përpjekjet e Beogradit për të destabilizuar Kosovën dhe për të provokuar tensionin u përgjigjën nga urdhrat tanë për të arrestuar Marko Gjuric i cili tregoi mosrespektim ndaj ligjit dhe autorizimit të qeverisë së Kosovës në veri të Kosovës, shumë dyshuan në aftësinë dhe forcën e institucioneve tona”, ka shkruar ai.

“Jemi krenarë që drejtuam operacionin më të suksesshëm për të kundërshtuar provokimin e Serbisë kundër sovranitetit të Kosovës. Kjo është thelbësore për vendin tonë dhe jo mashtrime. Edhe sot përpjekjet e Beogradit vazhdojnë për inskenuar tensione dhe provokime, por ngjarjet e marsit 2018 i kanë dhënë një mësim Beogradit që ata kurrë nuk do të guxojnë të shkelin sovranitetin e Kosovës, sepse ata e dinë përgjigjen që marrin nga ne”, shtoi Zyberaj.

https://www.facebook.com/jetliri88/posts/10214961294201648

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme