Zvicra kërkon të rrit kapacitetet ushtarake në Kosovë

12:31 | 29 Nëntor 2019
L G

Situata e paqëndrueshme e sigurisë në Ballkanin Perëndimor ka detyruar shtetin zviceran që të kërkojë zgjatjen e misionit të forcave të tyre paqeruajtëse në Kosovë në kuadër të KFOR-it dhe gjithashtu edhe rritjen e kapacitetit të tyre që ishte zvogëluar vit pas viti.

Siç thuhet në komunikatën e lëshuar nga Këshilli Federal i Qeverisë Zvicerane, kërkohet të rritet numri i kontingjentit të ushtarëve nga 165 në 195, dhe gjithashtu të zgjatet afati i misionit të tyre deri në 31 dhjetor të vitit  2023.

Kjo kërkesë do t’i dërgohet Parlamentit të Zvicrës për miratim.

Në këtë njoftim të shtetit zviceran gjithashtu potencohet se situata politike dhe ajo sigurisë në Ballkanin Perëndimor gjatë viteve të fundit është përkeqësuar, duke  detyruar edhe NATO-në që të braktis planin për përgjysmimin e trupave të KFOR-it në Kosovë.

“Në koordinim me mandatin aktual dhe nevojat e KFOR-it, kontingjenti maksimal në prillin e vitit 2018 ishte reduktuar nga 235 në 190 ushtarë dhe në tetor të vitit 2019 në 165. Ky reduktim është bërë brenda kornizës së tërheqjes së artilerisë së rëndë për të cilat KFOR-i s’ka pasur më nevojë”, potencon komunikata.

Rritja e kapaciteteve ushtarake planifikohet të bëhet duke filluar nga prilli i vitit 2021.

Teksa flasin për situatën politike dhe të sigurisë, përmendin përkeqësimin e raporteve Prishtinë-Beograd që sipas tyre kanë quar në rikthimin e tensioneve dhe incidenteve mes dy palëve. Megjithatë konstatojnë që rreziku për një konflikt të ri të armatosur janë minimale.

“Situata politike dhe e sigurisë në Kosovë është e tillë që prania e KFOR-it të jetë e nevojshme për të garantuar stabilitet dhe siguri”, potencohet tutje./GazetaExpress/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme