Google ADS

Zvarritjet në Kuvend rrezikojnë funksionimin e organeve të pavarura

19:56 | 19 Qershor 2018
Arbresh.info

Në mungesë të emërimeve nga Kuvendi i Kosovës, disa nga organet e pavarura shtetërore rrezikojnë të mbeten përkohësisht jofunksionale.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, janë dy nga këto organe që mund të pësojnë për shkak të zvarritjeve në Kuvend dhe institucione tjera për emërimet e reja.

Përfaqësuesit e organizatave joqeveritare u bëjnë thirrja institucioneve kompetente që sa më parë të bëjnë përzgjedhjen anëtarëve të organeve të pavarura.

Artan Murati, analist nga Instituti Demokratik i Kosovës, institut ky që merret me monitorimin e punës së Kuvendit, tha për Radion Evropa e Lirë se vonesa dhe mosemërimi i anëtarëve në disa institucione, vjen kryesisht si pasojë e punës së ngadalshme të Kuvendit të Kosovës.

“Faktori i parë është mënyra e punës se si po e bëjnë institucionet në përgjithësi, sidomos kur kemi të bëjmë me Kuvendin”, tha Murati.

“Kuvendi po punon ngadalë nuk po arrin të jetë efikas në punën e tij dhe kjo nuk shpërfaqet vetëm tek emërimi ose zgjedhja e këtyre anëtarëve, por edhe në aspektet e tjera edhe në miratimin e ligjeve dhe mbikëqyrjen e zbatimit të tyre”, theksoi ai.

Kurse faktori i dytë, sipas Muratit, është edhe ai i kalkulimeve politike, sidomos në rastin e organeve të rëndësishme, siç është Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe Gjykata Kushtetuese.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës pak kohë më para nuk i kanë dhënë besimin asnjërit prej kandidatëve për anëtar të Gjykatës Kushtetuese. Vonesa e emërimit të gjyqtareve të rinj të Kushtetueses, ka filluar të paraqesë probleme në vendimmarrje. Gjykata Kushtetues nga data 15 qershor është pa kuorum për të punuar apo votuar për çështje të caktuara.

“Mosemërimi i gjyqtarëve kushtetues nga Kuvendi i Republikës së Kosovës ndikon në punën dhe në funksionimin e Gjykatës Kushtetuese, meqenëse me numrin aktual të gjyqtarëve, gjykata nuk e ka kuorumin e nevojshëm për vendimmarrje”, tha Veton Dula, drejtor i zyrës për informim në Gjykatën Kushtetues.

Mosfunksionimi i bordeve të institucioneve të caktuara dhe moskompletimi i tyre me anëtarët përkatës, u pamundëson këtyre organeve marrjen e vendimeve të cilat janë të rëndësishme, thotë Ahmet Isufi, shef i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, parti kjo në pushtet.

“Konsiderojmë se mungesa e tyre e dobëson funksionimin e institucioneve. Kjo duhet të jetë vërejtja ndaj institucioneve në ketë rast për Kuvendin që duhet të harmonizojë votën dhe ta kryejë obligimin e vet duke përzgjedhur kandidatët më të mirë që kanë aplikuar”, tha Isufi.

Shqipe Pantina deputete e opozitës nga Partia Socialdemokrate, tha për Radion Evropa e Lirë se një pjesë të fajit për vonesën rreth emërimit të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, por edhe të bordeve të tjera, e ka Kuvendi.

“Mendoj se një pjesë të fajit e ka Kuvendi sepse po i zvarritë proceduarat deri te përzgjedhja dhe pastaj vonesat që po ndodhin me seanca ku janë grumbulluar numër i madhe i pikave në rend të ditës. Por, pjesërisht mund të jetë edhe faji i institucioneve të tjera, ndonëse ato kanë më pak faj në hapjen në kohë të konkursit dhe ndjekjen e procedurave”, tha Pantina.

Procesi i emërimit të anëtarëve të bordeve, sipas ligjit, duhet të kryhet në procedurë të hapur, transparente dhe konkurruese, e cila ka për qëllim që të gjitha emërimet të bëhen ekskluzivisht në bazë të meritës.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme