Zvarritet procesi gjyqësor ndaj Adem Gravovcit

08:11 | 26 Qershor 2018
M. A.

Gjykata Themelore e Prishtinës ende nuk ka caktuar seancë fillestare për ish-shefat e grupit parlamentar të PDK-së Adem Grabovcin e Zenun Pajazitin, ministrin aktual të Inovacioneve e Ndërmarrësisë, Besim Beqaj si the tetë zyrtarë tjerë të cilët akuzohen për veprën penale “shkelja e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës”, shkruan arbresh.info.

Edhe pse kanë kaluar pothuajse dy muaj që nga ngritja e aktakuzës nga Prokuroria Speciale, Gjykata Themelore nuk ka thirrur ende seancë dhe si pasojë e kësaj të pandehurit e këtij rasti siç njihet në publik “Afera Pronto”, vazhdojnë të mos dalin para gjykate.

Arbresh.info mëson se gjykatësi i caktuar në këtë rast aktualisht ndodhet në pushim mjekësor ku sipas përgjigjes që ka marrë portali nga Gjykata Themelore kjo është edhe arsyeja e mos fillimit të gjykimit.

 “Ju njoftojmë se ende nuk është caktuar seanca fillestare lidhur me këtë rast, pasi që gjyqtari i kësaj çështje gjendet në pushim mjekësorë”, thuhet shkurt zëdhënësja për media, Mirlinda Gashi.

Vonesat e tilla, sipas Kodit të Procedurës Penale paraqesin shkelje të disiplinave procedurale penale nga ana e gjykatës për shkak të mos procedimit të rastit sipas afatit të paraparë në Kodin e Procedurës Penale, në këtë rast në afatin kohor brenda 30 ditëve.

“Gjyqtari i vetëm gjykues ose kryetari i trupit gjykues cakton menjëherë shqyrtimin fillestar, i cili duhet të mbahet brenda tridhjetë (30) ditëve pas ngritjes së aktakuzës”, thuhet në paragrafin 4, të nenit 242, të Kodit të Procedurës Penale.

Genc Nimoni nga organizatë “ÇOHU” konsideron se shkeljet e tilla bien ndesh me parimet e drejtësisë për një gjykim të drejtë dhe brenda kohës.

“Shkelja e afateve të tilla, bie ndesh me parimet e drejtësisë sa i përket gjykimit të drejtë dhe brenda kohës të arsyeshme, të paraparë me dispozitat e Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, Kushtetutën e Republikës së Kosovës si dispozitat procedurale të Kodit të Procedurës si dhe Ligjit për Gjykatat. Konsideroj se shkelja e afateve të tilla dhe mosrespektimi i tyre, është shkelje e dispozitave procedurale dhe vazhdon të ketë pasojat në tejzgjatjen e shqyrtimeve gjyqësore dhe grumbullimin e vazhdueshëm më lëndë. Njëkohësisht shkelja e tillë, është shkelje e parimeve të drejtësisë për një gjykim të drejtë dhe brenda kohës së arsyeshme”, ka thënë Nimoni për Arbresh.info.

Prokurori i Prokurorisë Speciale, Sylë Hoxha, i cili është emëruar nga Këshilli Prokurorial si përgjegjës për komunikim me media, thotë se Gjykata Themelore duhet tu përmbahet afateve ligjore për caktimin e seancave.

Lidhur me pyetjen tuaj mund t’ju them se përgjigjen mund t’jua jap Gjykata Themelore në Prishtinë si gjykatë kompetente dhe ata duhet tu përmbahen afateve ligjore për caktimin e seancave si dhe prioriteteve të caktuara për lëndët e shënjestruara”.

Ndryshe, sipas aktakuzës, të pandehurit kanë keqpërdorur pozitat e tyre zyrtare duke bashkëpunuar në mes vete për dhënien e privilegjeve dhe përparësive kundërligjshëm personave të cilët kanë konkurruar në funksione të rëndësishme, siç janë: drejtor për Ndërmarrjet publike qendrore, Kryeshef Ekzekutiv i Agjencisë së Regjistrimit në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Kryeshef i Agjencisë për produkte medicinale dhe Koordinator i Qendrës së Regjistrimit Civil në Komunën e Klinës, duke mohuar dhe kufizuar liritë dhe të drejtat e kandidatëve të tjerë, të garantuara me ligj.

Në aktakuzë është trajtuar çështja penale e punësimeve dhe ndarjes së posteve, të bazuara në përkatësinë partiake dhe raporte personale, për të cilin problem për një kohë të gjatë alarmojnë qytetarët e Kosovës, Agjencitë për zbatimin e ligjit si dhe mediat dhe shoqëria civile.

Aktakuza e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), për veprën penale “shkelja e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës”, përpos Grabovcit, Pajaziti e Beqajt, ngarkon edhe ish-kryesuesin e Kuvendit të Komunës së Prizrenit, Nijazi Kryeziun, aktualisht këshilltar i kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ish-shefen e Njësisë për furnizim në Ministrinë e Shëndetësisë, Arbenita Pajaziti, ish-sekretarin e Ministrisë së Punëve të Brendshme, Ilhami Gashi, ish-zëvendësministrin e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Fatmir Shurdhaj e ish-këshilltarin politik në MPB, Sedat Gashi./Arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme