Google ADS

Zvarritet konkursi për kryetar të Gjykatës së Gjilanit

16:58 | 1 Mars 2017
L G

Këshilli Gjyqësor i Kosovës ende nuk ka shpallur konkursin për kryetar të Gjykatës Themelore në Gjilan.

Dështimi i zgjedhjes së të parit të kësaj gjykate në fillim të janarit, pati bërë që KGJK të marr vendim për rihapje të konkursit, gjë e cila ende nuk ka ndodhur.

Arsyet e kësaj sipas, kryesuesit të KGJK-së, Nehat Idrizi, janë proceset tjera me të cilat është i ngarkuar këshilli.

Konkursi për kryetar të Gjykatës së Gjilanit ende nuk është shpallur. Arsyeja e vonimit të shpalljes ka qenë, proceset tjera me të cilat po merret KGJK”, është shprehur Idrizi për “Arbresh.info”.

Kryesuesi i KGJK-së tha se ende nuk dihet se kur do të rishpallet konkursi.

Ndryshe, Këshilli Gjyqësor i Kosovës nuk pati arritur të zgjedh asnjë nga katër kandidatët për kryetar të Gjykatës Themelore në Gjilan.  Kandidatët ishin: Aziz Shaqiri, kryetari i deri tashëm Zyhdi Hazri, Naser Maliqi  dhe Veli Kryeziu. Shumica e kandidatëve u abstenuan nga anëtarët e këshillit.

Pas kësaj, këshilli pati zgjedhur ushtrues  detyre gjyqtarin Afrim Shala deri në zgjedhjen e kryetarit. Ndërkohë, vetëm Gjykata e Gjilanit dhe ajo e Mitrovicës ka mbetur pa kryetar.

Për të parin e Gjykatës së Mitrovicës do të vendoset sipas marrëveshjes së arritur në Bruksel, mes Kosovës dhe Serbisë, marrëveshje, e nënshkruar  me 10 shkurt 2015 nga kryeministri Isa Mustafa, Aleksandar Vuçiq dhe shefja për politikë të jashtme e BE-së, Federica Mogherini.

Sipas kësaj marrëveshje, kryetari i Gjykatës Themelore do të jetë serb nga Mitrovica e veriut, ndërkaq prokurori kryesor do të jetë shqiptar i Kosovës./Arbresh.info/ G. Lushi

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme