Në Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit, Zëvendëssekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mircea Geoana, ka thënë se 50 vjet pas Auschwitzit, Aleanca e NATO-s intervenoi në Kosovë për të parandaluar një gjenocid të ri në tokën evropiane.
Në fjalimin e tij para të pranishmëve, Geoana tha se Holokausti ishte një ofendim për të gjithë njerëzimin.
“Kishte të bënte me shkatërrimin e të ndryshmëve. Dhe, ajo që na bën neve të ndryshëm, që na bën neve unikë, është ajo që na bën njerëzorë. Pas Luftës (së Dytë Botërore), vendet e lira të botës kërkuan një shteg të ri. Një shteg ky i ndërtuar duke ruajtur vlerat universale të përcaktuara në Kartën e Kombeve të Bashkuara. Vlera të tilla si e drejta për jetë, liria e fesë, dhe vetë liria. NATO-ja u krijua për t’i mbrojtur këto vlera dhe për të mbrojtur njerëzit e Evropës dhe të Amerikës Veriore nga tirania që çoi në Holokaust. 50 vjet pas Auschwitzit, NATO-ja intervenoi në Kosovë për të parandaluar një gjenocid të ri në tokën Evropiane”, tha Geoana, siç raporton ueb-faqja zyrtare e NATO-s.
Duke kujtuar Holokaustin, ai tha se më 27 janar, 1945, ushtria sovjetike liroi 7,000 shpirtra që kishin mbetur të gjallë në Auschwitz. Por, pesë vjet para kësaj ngjarjeje, së paku 1.1 milion njerëz ishin mbytur prapa rrethojave me gjemba.
“Nazistët vranë më shumë se 6 milionë hebre, por edhe romë, homoseksualë, njerëz të hendikepuar dhe Dëshmitarë të Jehovait. I vranë jo për atë çfarë kishin bërë, por për çfarë ishin”, tha Zëvendëssekretari i Përgjithshëm i NATO-s.
Ai tha se duhet kujtuar gjithmonë arsyen e formimit të NATO-s.
“Duhet të jemi gjithmonë vigjilentë. Dhe gjithmonë duhet të jemi të përgatitur për të vepruar. Për shtatëdhjetepesë vjet pas Holokaustit, antisemitizmi vazhdon. Këtë ne s’mund ta pranojmë”, shtoi zëvendësi i Stoltenbergut, Mircea Geoana.
Ai bëri thirrje që në këtë ditë përkujtimi të shikohet përpara dhe të ndërmerren veprime të nevojshme për të garantuar që “të mos biem kurrë më në kurthin e lehtë të urrejtjes ndaj ‘të tjerëve’”.
Rritet çmimi i gazit dhe elektricitetit në Britani/ Inflacio...
Droni i policisë iu heq nga duart shqiptarëve 2.8 milionë pa...
Riker: Mbyllni procesin e dialogut dhe zgjidhni problemet
Përhapja e fenomenit të bullizmit në shkolla
Një i lënduar në aksidentin që ndodhi në pjesën e autostradë...
Policia del me njoftim për aksidentet e ndodhura për shkak t...