Google ADS

ZRrE shqyrton sot shtrenjtimin e tarifave të rrymës

07:30 | 8 Shkurt 2022
S D

Bordi i Drejtorëve të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, do të mblidhet sot në orën 11:00, për të shqyrtuar gjashtë pika të rendit të ditës.

Në mesin e gjashtë pikave janë edhe “Shqyrtimi i Propozimit të Tarifave për OST/OT (KOSTT) për vitin relevant tarifor 2022”, “Shqyrtimi i Propozimit të Tarifave për OSSH (KEDS) për vitin relevant tarifor 2022” si dhe “Shqyrtimi i Propozimit të Tarifave për Furnizuesin me Shërbim Universal (KESCO) për vitin relevant tarifor 2022”.

Ndërkaq, kreu i këtij bordi, Ymer Fejzullahu, të hënën në një konferencë për media ka thënë se shtrenjtim të tarifave do të ketë, mirëpo nuk ka treguar se sa do të jetë ajo rritje.

“Ne jemi duke bërë përpjekje që vendimin ta marrim më herët se 20 shkurti. Është shqyrtim i jashtëzakonshëm dhe jemi të përkushtuar që ky proces të përfundoj sa më parë, duke pasur parasysh se kemi kosto shtesë në sistem dhe domosdoshmërisht ne duhet të marrim një vendim që këto kosto të mbulohen sa më shpejt prej konsumatorëve e në këtë rast edhe prej qeverisë”, është shprehur Fejzullahu.

Në lidhje me shtrenjtimin e tarifave, komente në ZRrE kanë dërguar edhe Presidentja Osmani, Lëvizja Vetëvendosje, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Komentet që janë bërë publike janë nga Sekretariati i Komunitetit të Energjisë në Vjenë, Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP), Operatorët e rregulluar KOSTT, KEDS dhe KESCO./arbresh.info/

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme