Google ADS

ZRrE ka kërkuar shtrenjtimin e rrymës për 14 për qind, opozita: Është i papranueshëm, do rriten edhe produkte të tjera

13:03 | 11 Mars 2023
K.B

Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE), ka paralajmëruar që nga muaji prill të shtrenjtohet çmimi i energjisë elektrike për 14%.

Por kjo rritje po shihet si e papërballueshme për qytetarët.

I.B nga Prishtina thotë se kjo është e tepërt.

“Kjo çka po ndodhë në vendin tonë është e tepërt, dhe e tmerrshme. Në vjeshtë paralajmërohet për shtrenjtim të rrymës, në pranverë prapë, nuk e di si do të jetojmë me tanë këto rritje çmimesh, duhet te bëhet diçka, njerëzit janë lodhë, paga të ulëta, papunësi e tash me çmime më të larta se ne shtetet tjera”, thotë ky qytetarë i shqetësuar.

Opozita: Qeveria nuk është ka luan rol pozitiv absolutisht as te energjia dhe te asnjë sektor tjetër

Të njëjtin mendim me qytetarët ka edhe anëtarja e Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti si dhe deputete nga radhët e LDK-së Valentina Bunjaku, e cila thotë se rritja energjisë elektrike është e papranueshme.

Bunjaku për portalin Arbresh.info thotë se energjia elektrike ne vendin tonë është shtrenjtuar 100 për qind.

“Është e papranueshme për opozitën shtrenjtimi i energjisë elektrike, nëse shtrenjtohet energjia elektrike, krahasuar me energjinë po shtrenjtohen edhe çmimet bazë realisht. Qytetarëve u është bërë jeta e pa përballueshme me rritjen e energjisë elektrike me rritjen e çmimit të tatimit në pronë me rritjen e gjërave elementare e me paga të ulëta. Kjo duhet të bëhet e pamundur që të mos kemi rritje te energjisë edhe ashtu është rritë shumë energjia elektrike dhe mund të them se 100 për qind është rrit energjia elektrike me vendet fqinje”, thotë Bunjaku.

Bunjaku kritikoi Qeverinë duke thënë se deri tash nuk është tu funksionuar asgjë në asnjë sektor.

“Qeveria nuk është ka luan rol pozitiv absolutisht as te energjia dhe te asnjë sektor tjetër. Unë si deputete nuk po shoh as një sektor që është duke funksionuar karshi kohës dhe karshi qytetarëve”, tha Bunjaku.

Sa i përket shtrenjtimit të energjisë elektrike se kjo Qeveri nuk po mendon për qytetarët, thotë edhe anëtari i Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, si dhe deputet i AAK-së Pal Lekaj.

Lekaj thotë se nëse një gjë e tillë do të ndodh nga 1 prilli, “vaj halli për qytetarët”, pasi që Qeveria nuk po merr iniciativë për të dal nga kriza dhe të ua lehtësoj jetën qytetarëve.

“Ngritja e çmimit ua vështirëson shumë jetën qytetarëve, çmimet bazike janë ngritë enorme, pagat e ulëta dhe kështu edhe nëse shtrenjtohet prej 1 prilli rryma, vaj halli për qytetarët. Nëse duhet patjetër të shtrenjtohet energjia elektrike atëherë Qeveria duhet të subvencionojë, përndryshe nuk e di si do të ia dalin qytetarët. Qeveria nuk mund të ndalojë ngritjen e çmimit përpos të subvencionohet sepse ZRrE-ja është organ autonom dhe vendos sipas formulave të tyre.

Vendi po ballafaqohet me krize energjie qe dy vite e më shumë. Por Qeveria nuk po merr iniciativë për të dal nga kriza dhe të u lehtësoj jetën e qytetarëve”, thotë Lekaj për Arbresh.info

Vetëvendosje: Me subvencionimin e Qeverisë, çmimi i energjisë elektrike në Kosovë ka qenë më i liri në rajon

Ndërsa, për deputeten e Lëvizjes Vetëvendosje, dhe anëtare në Komisionin për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, Jeta Statovci, ngritja e çmimit të energjisë elektrike është e pritshme, pasi siç thotë ajo Kosova e importon energjinë elektrike.

“Lëvizja e çmimeve ka qenë e pritshme për arsye se jemi përballë me një krizë të energjisë dihet se Kosova ka një varësi të importit nga energjia. Çmimi që importohet, pastaj rregullatori tenton ta përshtatë në tarifa ne mënyrë që ta kompensojë atë”, tha Statovci.
Sipas saj, me subvencionimin e Qeverisë, çmimi i energjisë elektrike në Kosovë ka qenë më i liri në rajon.

“Ne dimë që vitin e kaluar kemi pasur te njëjtën situatë, mirëpo kemi pasur edhe ndërhyrje përmes Qeverisë përmes një subvencioni që kjo të mos të ndikoj direkt në ekonominë qytetare dhe barra e rritjes të ndahet mes Qeverisë dhe qytetarit dhe me një varg masash tjera të cilat faktikisht që energjinë elektrike e kanë bërë më të lirën në rajon dhe në gjithë kontinentin e Evropës. Çështja e rritjes nuk është në dorën e Qeverisë, nuk është një gjë që varet nga vullneti i Qeverisë. Kostoja e importit të energjisë reflekton, çështja është se si mund të i përgjigjet rrethanave të krijuara derisa vendi të ketë një pavarësi energjetike”, përfundon ajo.

Berisha: Qeveria nuk duhet ta pranoj kërkesën e ZRrE-së për rritje të rrymës

Ekonomisti, Burim Berisha thotë se me rritjen e çmimit të energjisë elektrike do të ketë ngritje të çmimeve, pasi gjithçka lidhet me rrymën.

“Propozimi i ZRrE-së, për ngritjen e çmimeve prej 14 për qind nga muaji prill, siç shihet do të ketë ngritje edhe te çmimet e produkteve tjera, pasi gjithçka është e lidhur me rrymën”, tha ai.

Po ashtu, Berisha tha se Qeveria e Kosovës nuk duhet të pranojë kërkesën e ZRrE-së për ngritjen e çmimit të energjisë elektrike, pasi qytetarët nuk do të mund të përballojnë këtë ngritje.

“Nuk do mund të mbijetohet, me këto rritje të çmimeve të rrymës dhe pas kësaj edhe produkteve tjera. Derisa pagat janë përsëri të njëjta. Qytetarëve nuk u ka mbet tjetër vetëm të luten që të kemi një kohë të mirë dhe temperatura të larta, tani si dhe në dimrin e ardhshëm”, thotë Berisha.

Për të tejkaluar krizën energjetike, nga KEDS-i si dhe Qeveria e Kosovës së bashku me ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli kanë bërë thirrje që qytetarët të ulin konsumin e energjisë elektrike./Arbresh.info /

Të ngjashme