Google ADS

ZPS thotë se Bahtjari e kërcënoi me vrasjen e djalit dëshmitarin 1 në rast se do të dëshmonte në Hagë

16:41 | 8 Korrik 2024
E.H

Është bërë publik versioni i redaktuar i aktakuzës së përbashkët ndaj Haxhi Shalës, Ismet Bahtjarit dhe Sabit Januzin me anë të secilës, ata akuzohen për pengim të administrimit të drejtësisë si dhe pengim të personave zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare.

Në një pikë të aktakuzës së ZPS-së, Bahtjari pretendohet se e kishte kërcënuar dëshmitarin 1 se në rast që do të dëshmonte në Dhomat e Specializuara të Kosovës, (DhSK) në Hagë atëherë do ta vriste atë ose djalin e tij, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Kur Dëshmitari 1 pyeti nëse ai ose djali i tij do të vriteshin nëse ai dëshmonte, Bahtiri iu përgjigj pozitivisht”, thuhet në pikën e dhjetë të aktakuzës e cila ishte dorëzuar më 12 janar 2024 por që është bërë publike në versionin e redaktuar më 3 korrik 2024.

Sipas aktit akuzues, në mes së paku të datës 5 dhe 12 prillit 2023, Shala, Januzi dhe Bahtjari në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe persona të tjerë i janë afruar dëshmitarit 1. Më pas thuhet se këtë dy të fundit, me udhëzimet e Shalës janë takuar individualisht me dëshmitarin 1 që ta nxisnin që të tërheqtë dëshminë e tij ose të mos jepte dëshmi në DhSK.

“Kjo sjellje tregon qëllimin e SHALA-s, JANUZI-t dhe BAHTIJARI-t për të minuar dhe penguar një person zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare”, thuhet me teje në aktakuzën e ZPS-së.

Më pas thuhet se më 5 prill, Shala dhe Bahtjari telefonuan Januzin dhe pas verifikimit që dëshmitari 1 ishte në shtëpi, Bahtjari shkoi në shtëpinë e tij ku i kishte kërkuar që ta tërheqtë dëshminë.

“BAHTIJARI i tha Dëshmitarit 1 që SHALA së fundmi kishte kontaktuar me të dhe e kishte dërguar për t’i thënë Dëshmitarit 1 që ai duhet të tërhiqte dëshminë e tij. Kur Dëshmitari 1 pyeti nëse ai ose djali i tij do të vriteshin nëse ai dëshmonte, BAHTIJARI iu përgjigj pozitivisht. BAHTIJARI u largua nga shtëpia e Dëshmitarit 1 dhe shkoi në një makinë aty pranë ku po prisnin dy burra, me një person të tretë në vendin e shoferit. Si rezultat i këtij afrim, Dëshmitari 1 u shqetësua për sigurinë e familjes së tij.”, thuhet tutje në aktakuzën e ZPS-së.

Në aktakuzën e ngritur ndaj tyre, ZPS- tregon se sipas saj çfarë bën tre të akuzuarit pasi Bahtjari u largua nga shtëpia e dëshmitarit 1.

“Më vonë më 5 Prill 2023, pas vizitës së BAHTIJARI-t te Dëshmitari 1, SHALA dhe JANUZI, dhe veçmas JANUZI dhe BAHTIJARI, kryen shumë kontakte me mesazhe dhe telefonata, përfshirë kontakte ndërmjet SHALA-s dhe JANUZI-t për të koordinuar një takim personal atë mbrëmje. Në ditët që pasuan, SHALA dhe JANUZI, ndër të tjerë, mbetën në kontakt, përfshirë lidhjet telefonike të paktën katër herë ndërmjet 6 dhe 9 Prillit 2023”, thuhet në aktakuzën e ZPS-së.

Ndërsa, kontakti i dytë me dëshmitarin kishte ndodhur më 12 prill kur pas një telefonate me Shalën, Januzi kishte shkuar në shtëpinë e dëshmitarit e që ky i fundit kishte kërkuar 200 mijë euro për ta tërhequr dëshminë.

“Në shtëpinë e Dëshmitarit 1, JANUZI i tha Dëshmitarit 1 që SHALA kishte kërkuar nga JANUZI të ndjekë vizitën e mëparshme të BAHTIJARI-t dhe të zbulojë çfarë planifikonte të bënte Dëshmitari 1 dhe si mund të zgjidhej çështja e dëshmisë së tij. Konkretisht, JANUZI i tha Dëshmitarit 1 që SHALA kishte kërkuar nga JANUZI të përcillte mesazhin që nëse Dëshmitari 1 tërhiqte dëshminë e tij, atëherë SHALA dhe të tjerë të panjohur do t’i ofronin ‘ndihmë.’ Dëshmitari 1 u përgjigj që nëse SHALA dhe/ose të tjerët i sillnin atij 200,000 euro, do të kishte marrëveshje. Dëshmitari 1 nuk e konfirmoi ose mohoi të ishte dëshmitar. JANUZI tha që do t’i tregonte ‘atyre’ çfarë kishte thënë Dëshmitari 1.”, thuhet në aktakuzë duke shtuar se pas vizitës së tij, Januzi kishte telefonuar Shalën.

Sipas ZPS-së, Shala, Januzi dhe Bahtjari janë individualisht përgjegjësi në dy pika të aktakuzës për pengim të personave zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare. Ndërsa, pika e tretë e aktakuzës i ngarkon tre të akuzuarit me veprën penale kundër administrimit të drejtësisë.

Ndryshe, më 8 shkurt, gjyqtari i procedurës paraprake Guillou ka miratuar kërkesën e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) për bashkimin e aktakuzave të konfirmuara në çështjen gjyqësore ndaj Ismet Bahtjarit dhe Sabit Januzit me atë të Haxhi Shalës.

Në vendimin për bashkimin e aktakuzave, thuhet se gjyqtari i procedurës paraprake ka konstatuar se dy aktakuzat e konfirmuara në rastin 10 dhe 11 i ngarkojnë tre të akuzuarit për vepra të njëjta penale duke specifikuar që kanë vepruar si grup. Po ashtu, në vendim thuhet se vërehet që aktakuzat e konfirmuara në këto dy raste lindin nga të njëjtat pretendime faktike.

Në bazë të kësaj, gjyqtari ka vendosur që ZPS-së t’i jep leje për të ndryshuar aktakuzën e konfirmuar në rastin 10 duke iu referuar amendamentit të parë, ndërsa amendamenti i dytë u refuzua.

Gjithashtu, gjyqtari Guillou udhëzoi ZPS-në që të paraqesë një kërkesë për ndryshimin e aktakuzës së konfirmuar në rastin 10 sipas amendamentit të dytë, por në përputhje me dispozitat e Rregullores 86.

Pasi u miratua bashkimi i dy aktakuzave, Guillou vendosi se çështja e përbashkët do të vazhdojë me numrin KSC-BC-2023-10, i cili do të riemërohet në atë mënyrë që të përfshihen të tre të akuzuarit.

Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) kishte dorëzuar me 12 janar aktakuzën e përbashkët për çështjen gjyqësore të Sabit Januzit dhe Ismet Bahtjarit dhe atë të Haxhi Shalës.

Në seancën e parë, para gjyqtarit të procedurës paraprake, Nicolas Guillou, Bahtjari dhe Januzi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që iu vihen barrë nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.

Aktakuza ndaj tyre është ngritur më 4 tetor 2023, me të cilën ngarkohen se kanë tentuar të bindnin një dëshmitar të mos japë dëshmi.

Ata akuzohen për përpjekje për pengim të personave zyrtarë për kryerjen e detyrës zyrtare, me anë të kërcënimit të rëndë, midis më së paku 5 dhe 12 prillit 2023, vepër penale kundër rendit publik, e ndëshkueshme në bazë të neneve 17, 21, 28, 31, 33, 35 dhe 401 (1) dhe (5) të KPK-së, dhe neneve 15 (2) dhe 16 (3) të Ligjit.

Po ashtu, për përpjekje për pengim të personave zyrtarë për kryerjen e detyrës zyrtare, me anë të pjesëmarrjes në veprimin e përbashkët të një grupi, midis më së paku 5 dhe 12 prillit 2023, vepër penale kundër rendit publik, e ndëshkueshme në bazë të neneve 17, 21, 28, 33, 35, dhe 401 (2) dhe (5) të KPK-së, dhe neneve 15 (2) dhe 16 (3) të Ligjit. Po ashtu, për përpjekje për frikësim gjatë procedurës penale, midis më së paku 5 dhe 12 prillit 2023, vepër penale kundër administrimit të drejtësisë dhe administratës publike, e ndëshkueshme në bazë të neneve 17, 21, 31, 33, 35 dhe 387 të KPK-së, dhe neneve 15(2) dhe 16 (3) të Ligjit.

Më 6 tetor, në një njoftim të Zyrës së Prokurorit të Specializuar është thënë se Ismet Bahtjari dhe Sabit Januzi janë arrestuar dhe transferuar në Hagë nën dyshimin se kanë tentuar të bindnin një dëshmitar të mos japë dëshmi.

Sipas aktakuzës, Sabit Januzi dhe Ismet Bahtjari, përmes kërcënimit të rëndë dhe veprimit të përbashkët të një grupi personash në të cilin të dy morën pjesë, tentuan të pengonin persona zyrtarë, si gjykatës, prokurorë, zyrtarë të gjykatës, zyrtarë të prokurorisë apo persona të autorizuar nga gjykata ose prokuroria, në kryerjen e detyrave zyrtare.

Kurse, në aktakuzën e 12 dhjetorit 2023, Kryeprokurorja e Specializuar, Kimberly Ëest akuzon Shalën për frikësim të dëshmitarëve, tentativë me anë të kërcënimit të rëndë për të penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare individualisht dhe me pjesëmarrje në grup.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme