Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) i ka dërguar gjyqtarit të procedurës paraprake, Nicolas Guillou një parashtresë , ku bën të ditur se gjatë tetorit nuk do të jetë në gjendje të paraqes dosjen paraprake për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin.
Ata kanë njoftuar se dosjen paraprake do të jenë në gjendje ta paraqesin më 17 dhjetor 2021.
“ZPS kërkon që, nëse gjykatësi i procedurës paraprake ka parasysh që të caktojë afatin për paraqitjen e dosjes paraprake më 17 dhjetor 2021, që afati i fundit për dorëzimin e tabelës së Rregullës 109 (c) të caktohet për 28 janar 2021. Ose, nëse afati për paraqitje të datës paraprake caktohet për ndonjë datë tjetër, ZPS kërkon një minimum prej 30 ditësh nga ajo datë për paraqitjen e tabelës së Rregullës 109 (c)”, bëhet e ditur në këtë parashtresë, transmeton arbresh.info
Kujtojmë që në paraqitjet e para më 9 nëntor, Thaçi dhe Kransiqi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që rëndojnë mbi ta. Njëjtë ka bërë edhe Veseli në paraqitjen e tij të parë më 10 nëntor, dhe Selimi më 11 nëntor. Aktakuza ndaj të lartpërmendurve është konfirmuar më 26 tetor 2020.
Sipas akuzës, së paku midis marsit 1998 deri në shtator 1999, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi dhe anëtarë të tjerë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët kishin qëllimin e përbashkët për të siguruar dhe ushtruar kontroll mbi të gjithë Kosovën përmes metodave që përfshinin frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e paligjshëm të atyre që konsideroheshin si kundërshtarë.
“Ndër këta kundërshtarë përfshiheshin persona që ishin, ose që konsideroheshin se kishin qenë: (a) bashkëpunëtorë ose të lidhur me forca, zyrtarë ose institucione shtetërore të RFJ-së, ose që (b) ndryshe nuk mbështetnin qëllimet ose metodat e UÇK-së dhe më vonë të QPK-së, ndër të cilët persona të lidhur me LDK-në dhe serbë, romë dhe persona të kombësive të tjera (bashkërisht, ‘kundërshtarët’).
Ky qëllim i përbashkët përfshinte krimet e përndjekjes, burgosjes, arrestimit dhe ndalimit arbitrar ose të paligjshëm, akte të tjera çnjerëzore, trajtimin mizor, torturën, vrasjen dhe zhdukjen me forcë të personave”, thuhet në aktakuzë.Tutje, në aktakuzë përmenden edhe Azem Syla, Lahi Brahimaj, Fatmir Limaj, Sylejman Selimi, Rrustem Mustafa, Shukri Buja, Latif Gashi dhe Sabit Geci.Sipas aktakuzës, të akuzuarit bashkë me udhëheqësit tjerë të UÇK-së kontribuuan në arritjen e qëllimit të përbashkët.“Si alternativë, disa ose të gjithë këta individë nuk ishin anëtarë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët, por u përdorën nga anëtarë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët për të kryer krime për realizimin e qëllimit të përbashkët (së bashku me anëtarët e NKP-së, bashkërisht ‘anëtarët dhe instrumentet e NKP-së’)”, thuhet në aktakuzë./arbresh.info/
Parashtresën e plotë mund ta gjeni KËTU
Banorët këndojnë të gjithë së bashku këngën “Mora fjalë”
Disa nga banorët i zuri gjumi teksa zhvillohej ndeshja Shqip...
Sylvinhos s’i pëlqyen minutat e para të ndeshjes, hezi...
Trupat izraelite arrijnë pikën më të thellë në Liban që nga ...
Ismajli: Çekët kishin ardhur për barazim, kemi ndeshje me Uk...
Gresa, Leos: Me Lelën shkon drejt humnerës