Google ADS

ZPS kërkon të refuzohen kërkesat për lirimin e Veselit, Selimit dhe Krasniqit nga paraburgimi

16:52 | 9 Nëntor 2021
Arditë Shkodra

Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) ka kërkuar nga gjyqtari i procedurës paraprake që të refuzojë kërkesat për lirim nga paraburgimi, të parashtruara nga mbrojtësit e Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Ata kanë konsideruar se vazhdimi i paraburgimit për Veselin, Selimin dhe Krasniqit mbetet ende i nevojshëm.

“Vazhdimi i paraburgimit të Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit

(kolektivisht, ‘I Akuzuari’) mbetet i nevojshëm”, thuhet në shkresën e ZPS-së, raporton arbresh.info

ZPS thotë se edhe paneli i Apelit e ka vlerësuar dhe konfirmuar se vazhdojnë të ekzistojnë rreqizet nga neni 41 (6) (b).

“1 Nuk ka pasur ndonjë ndryshim përkatës në rrethanat që largojnë arsyet e përcaktuara për paraburgim.2 Përkundrazi,

Paneli i Apelit konfirmoi se rreziqet e nenit 41(6)(b) vazhdojnë të ekzistojnë”, thuhet tutje në shkresë.

Më tutje thuhet se vendimet e fundit për shqyrtimin e paraburgimit, Kolegji i Apelit ka konfirmuar gjetjet e gjyqtarit të procedurës parparake për dyshimin e bazuar se i akuzuari ka kryer krime brenda juridiksionit, dhe arsyet e artikulueshme të besojë se i akuzuari do të pengojë mbarëvajtjen e procedurës parapake dhe do të tentojë të përsërisë veprat penale.

“2. Në vendimet e fundit për shqyrtimin e paraburgimit, Kolegji i Apelit konfirmoi gjetjet e gjyqtarit të procedurës paraprake për: (i) dyshimin e bazuar se i Akuzuari ka kryer krime brenda juridiksionit të Dhomave të Specializuara (‘KSC’);4 dhe (ii) arsyet e artikulueshme të besojë se i Akuzuari do të pengojë mbarëvajtjen e procedurës penale, dhe do të përsërisë ose do të tentojë t’i përsërisë veprat penale”, u tha ndër të tjera në shkresën e ZPS-së.

Shkresën e plotë të ZPS-së mund ta gjeni KËTU

Në aktakuzën e konfirmuar thuhet se së paku midis marsit 1998 dhe shtatorit 1999 u kryen krimet e luftës të arrestimit dhe ndalimit të paligjshëm ose arbitrar, trajtimit mizor, torturës dhe vrasjes së paligjshme dhe krimet kundër njerëzimit të burgosjes, akteve të tjera çnjerëzore, torturës, vrasjes së paligjshme, zhdukjes me forcë të personave dhe përndjekjes. Krimet që paraqiten në aktakuzë u kryen në disa vende në Kosovë si edhe në Kukës dhe Cahan në Shqipërinë Veriore dhe u kryen nga anëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (“UÇK”) kundër qindra civilëve dhe personave që nuk merrnin pjesë aktive në luftime. Ndër viktimat përfshihen persona që dyshoheshin si kundërshtarë të UÇK-së dhe më vonë të Qeverisë së Përkohshme të Kosovës, konkretisht: (i) serbë, romë dhe ashkalinj; (ii) katolikë; (iii) civilë për të cilët pretendohej se bashkëpunonin me autoritetet serbe ose që pretendohej se kontaktonin me serbë; (iv) shqiptarë që ishin anëtarë ose përkrahës të Lidhjes Demokratike të Kosovës ose të partive të tjera që konsideroheshin se ishin kundër UÇK-së; (v) shqiptarë që nuk iu bashkuan ose nuk përkrahnin UÇK-në; dhe (vi) individë të punësuar ose të punësuar të mëparshëm që konsideroheshin kundër UÇK-së.

Në aktakuzën e konfirmuar pretendohet se Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi mbajnë përgjegjësi penale si individë në bazë të formave të ndryshme të përgjegjësisë penale për krimet e paraqitura në aktakuzë, që u kryen në kontekstin e një konflikti të armatosur jondërkombëtar në Kosovë dhe në kuadrin e një sulmi gjerësisht të përhapur dhe sistematik kundër personave të dyshuar si kundërshtarë të UÇK-së.

Seancat e paraqitjes së parë të Thaçit dhe Krasniqit u mbajtën më 9 nëntor 2020 para Gjykatësit të Procedurës Paraprake, Nikola Giju. Gjatë këtyre seancave, ata u vetëdeklaruan të pafajshëm në lidhje me gjitha pikat e aktakuzës.

Seancat e paraqitjes së parë të Veselit dhe Selimit u mbajtën përkatësisht më 10 dhe 11 nëntor. Të dy të akuzuarit u vetëdeklaruan të pafajshëm në lidhje me të gjitha akuzat.

Gjatë konferencës për ecurinë e çështjes në çështjen Thaçi dhe të tjerët, më 29 tetor, gjykatësi i procedurës paraprake në këtë çështje, Nikola Giju, me vendim gojor urdhëroi Zyrën e Prokurorit të Specializuar që deri më 17 dhjetor 2021 të dorëzojë dosjen e saj paraprake./ArditëShkodra/arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme