ZPS kërkon që Salih Mustafa të dënohet me 35 vite burgim

16:38 | 13 Shtator 2022
L G

Prokurori Cezary Michalczuk tha se për ndalim arbitrar kërkojnë 10 vite burgim, për trajtim mizor 20 vite burgim, për torturë 25 vite burgim dhe vrasje 33 vite burgim.

“Rregulla 163 (4) kërkon nga paneli të japë një dënim të vetëm që të pasqyroj tërësinë e sjelljes kriminale të të akuzuarit, sigurisht varet nga paneli ta dënojë të akuzuarin sipas dënimeve që parashikohen lidhur me pikat 1 deri në 4 ,të marrë së bashku apo me një dënim më të lartë burgimi se sa ai që paraqitet në lidhje me çdo pikë të veçantë. Për këtë arsye ZPS kërkon që t’í jepet të akuzuarit një dënim i vetëm prej 35 vitesh burg”, tha ai.

Fillimisht, pas pauzës së drekës, prokurori Filipe Deminiqes ka thënë se provat tregojnë përtej dyshimit të arsyeshëm që viktima është vrarë dhe i akuzuari ka përgjegjësi penale.

Ai tha se të gjitha dërgojnë një konkluzion të vetëm, që viktima është vrarë dhe se Mustafa është përgjegjës për këtë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Keni parasysh se sa të ashpra kanë qenë keqtrajtimi i viktimës nga i akuzuari, ky keqtrajtim kishte të bënte me rrahje me shkopinj hekuri dhe përdorimin e thikave. E dyta, fakti që viktima nuk është liruar nga i akuzuari edhe kur të tjerët janë liruar, ishte ajo kur po largoheshin nga kompleksi i Zllashit është një moment thelbësor”, tha ndër të tjera.

Tutje, tha se duhet të merret parasysh afërsia me vendin ku është gjetur viktima me vendin në Zllash.

Ai përmendi faktin se është gjetur edhe një viktimë e dytë në varr dhe përmendi faktin se edhe një person me nofkën “Burma” nuk është liruar nga kompleksi në Zllash dhe se nga një dëshmitar del se ky person është trajtuar më keq bashkë me viktimën në fjalë.

“Shikoni në çfarë gjendje është gjetur trupi viktimës që është në përputhje me dëshmitë që kemi parë me të rrahurat dhe dëshmitë që kanë dhënë dëshmitarët. Këto dëshmi janë konsistente dhe në përputhje” , tha ai, duke theksuar se konkluzioni është se viktima është vrarë kur të ndaluarit e tjerë nuk kanë qenë aty për të qenë dëshmitarë, edhe pse nuk e dinë kohën e saktë.

Prokurori tha se nuk ka arsye tjetër për Salih Mustafën që të shtynte lirimin e tij përveç vendimit që viktima të vritej.

Ai tha se nuk kanë dëshmitarë për të provuar çka ka ndodhur në momentin e fundit të viktimës, por në rrethanat që kanë diskutuar nuk ka diskutim se viktima është vrarë nga kapësit e tij në kompleksin e ndalimit në Zllash.

“ZPS e ka akuzuar të akuzuarin me disa lloje të përgjegjësisë për krimet nga pika 1 deri në 4 dhe i kemi adresuar në dosjen tonë përfundimtare. Tani do të bëjmë disa komente tjera lidhur me përgjegjësinë e Salih Mustafës lidhur me akuzat e vrasjes që është pika 4. Salih Mustafa është përgjegjës për vrasjen si krim lufte përmes pjesëmarrjes në këtë ndërmarrje të përbashkët kriminale”, tha ai.

Sipas tij, kjo është bërë nga Salih Mustafa bashkë me pjesëtarë të tjerë të BIA-së dhe se e kanë arsyetuar se si është bërë ky krim.

Ndër të tjera, tha se synimi i Mustafës për të vrarë viktimën provohet nga komanda dhe kontrolli që ka pasur mbi kompleksin e Zllashit dhe anëtarët e BIA-së dhe se autoriteti është vërtetuar dhe se vetëm i akuzuari mund të merrte vendimin për lirimin apo veçimin e viktimës nga të tjerët.

“Provat tregojnë se i akuzuari ka qenë i pranishëm në kohën kur janë liruar të burgosurit dhe është mbajtur viktima. Teuta Hadri ka treguar këtë që e ka parë një natë përpara ofensivës serbe dhe ditën e ofensivës. Përveç synimit, Salih Mustafa ka kontribuar për ekzekutimin e planit të përbashkët që përfshinte vrasjen”, tha ndër të tjera ai.

Sipas prokurorit, Mustafa nuk i ka dhënë fund trajtimit që i është bërë viktimës, nuk i ka dhënë ndihmë mjekësore dhe ka mundësuar abuzimin deri kur viktima të mos lëvizte dot.

“Siç e kam thënë, qëndrimi ynë është se Salih Mustafa ka qenë i pranishëm në kompleksin e ndalimit në Zllash kur është vrarë viktima. Të nderuar gjykatës, edhe nëse nuk do të bindeni me këto prova rrethanore, dëshmitë që kemi diskutuar nuk do të pengojnë për të gjetur atë fajtor. Nuk është e domosdoshme të jetë prania e të akuzuarit në momentin e kryerjes së krimit për ta gjetur atë përgjegjës si ndërmarrje e përbashkët kriminale. Sipas dispozitave të ndërmarrjes së përbashkët kriminale, një i akuzuar mund të gjendet fajtor për krime të bëra nga kryerës të tjerë që kanë qenë të pranishëm dhe për këtë arsye themi se provat provojnë përtej dyshimit të arsyeshëm që Salih Mustafa ka qenë përgjegjës për tipin e parë të ndërmarrjes së përbashkët kriminale për të gjitha pikat, përfshirë vrasjen”, tha ai.

Prokurori Deminiqes tha se prokuroria në mënyrë alternative ka thënë se i akuzuari është përgjegjës edhe si ndihmës dhe inkurajues.

Në vijim, ai tha se është përgjegjës për krimin e vrasjes edhe si epror, pasi nuk ka parandaluar apo dënuar vartësit e tij që kanë bërë krim.

“Sepse e dinte që krimet ishin duke u bërë dhe nuk ka ndaluar atë”, tha ai duke shtuar se kryerësit e krimeve ishin anëtarë të BIA-së, ku Mustafa ishte komandant i njësitit.

Ai tha se dështimi i të akuzuarit për të marrë masat e duhura për të parandaluar apo dënuar vartësit e tij që kanë kryer këtë krim tregon se ai mban përgjegjësi.

“Si përfundim, i akuzuari është fajtor për pikën 4 të aktakuzës në dispozitën e ndërmarrjes së përbashkët kriminale dhe për ndihmën dhe inkurajimin e përgjegjësisë”, tha ai.

Ndërkaq, sa i përket dënimit, është deklaruar prokurori Cezary Michalczuk, i cili tha se në mëngjes prokurori i specializuar foli për kërkesën e ZPS-së për një masë të gjatë të dënimit sa i përket rrethanave të kësaj çështjeje.

“Gjatësia e dënimit duhet të jetë në përputhje me krimet e bëra nga i akuzuari, pasojat e rënda mbi viktimat, praninë e mjaft faktorëve fajësues dhe mungesën e faktorëve shfajësues”, tha ai ndër të tjera.

Prokurori Michalczuk, në gjykimin ndaj Salih Mustafës, tha se pjesa e gjashtë e dosjes së tyre përfundimtare diskuton masën e dënimit të Dhomave të Specializuara që arrin maksimumin e dënimit me burgim të përjetshëm.

“Dhe për këtë duhet marrë parasysh këto çështje, sa të rënda kanë qenë krimet e bëra, rolin e të akuzuarit, praninë e tij të drejtpërdrejt, praninë e faktorëve rëndues dhe mungesën e faktorëve lehtësues”, ka thënë ai.

Ai tha se krimet janë tejet brutale dhe të tilla janë pasojat për viktimat, e më pas u shfaqën video nga dëshmitë e dëshmitarëve gjatë gjykimit që flisnin për përjetimet e tyre.

Tutje, tha se tortura me korrent ndaj viktimave bëhej nga Kujtim Qerimi dhe një person me emrin Afrimi, vartës të Salih Mustafës, derisa tutje foli edhe për mjete tjera që janë përdorur për keqtrajtimin e tyre, ku përmendi se një dëshmitar ka thënë “më dukej se isha kafshë dhe jo një qenie njerëzore”.

Po ashtu, tha se viktimat u etiketuan si spiunë e bashkëpunëtorë, pa pasur mundësi për të kundërshtuar këto etiketime të pabaza.

Sipas tij, viktimat gjykoheshin si armiq të UÇK-së dhe tradhtarë të komunitetit dhe këto etiketime i izolonin viktimat edhe gjatë ndalimit e edhe pas lirimit të tyre.

“Pasojat e këtyre krimeve ishin shumë afatgjate si psiqikisht edhe fizikisht. Jo vetëm për viktimat, por edhe për familjet e tyre”, tha prokurori.

Në vijim, ai tha se i akuzuari urdhëroi vartësit e tij që të ndalonin dhe abuzonin viktimat, çka përfundoi me vrasjen e njërit nga viktimat.

“Ai pyeti dhe rrahu viktimë në prani të vartësve të tij”, tha ai, duke përmendur sërish rrethanën që prokuroria pretendon se i akuzuari i vuri në kokë revolverin një viktime.

Sipas prokurorisë, në disa raste i akuzuari pa keqtrajtimin e viktimave dhe i nxiti vartësit të vazhdonin dhe pas fillimit të rrahjes së viktimës 1679, i akuzuari i rekomandoi të mbaronin punë me të.

“Në përcaktimin e dënimit të të akuzuarit, paneli duhet të konsiderojë rrethanat rënduese dhe lehtësuese. Trupi gjykues ka të drejtë të gjerë të vendos për këto rrethana dhe peshën që do t’u jepet atyre. Në lidhje me faktorët rëndues, prokuroria e fton trupin gjykues të ketë të paktën tre rrethana rënduese, keqpërdorimin e pushtetit të cilësisë zyrtare nga i akuzuari, faktin që krimet janë kryer ndaj viktimave veçanërisht të pambrojtura dhe tre faktin që krimet janë kryer me egërsi të veçantë”, tha ai.

Sa i përket keqpërdorimit të pushtetit, ai tha se i akuzuari kishte pozitë të rëndësishme në UÇK, ishte komandant dhe ushtronte rol udhëheqës të rëndësishëm në njësitin BIA, por e keqpërdori funksionin si komandant i asaj njësie.

Sipas tij, viktimat ishin njerëz veçanërisht të pambrojtur dhe të vënë në një pozitë edhe më të pambrojtur si rezultat i krimeve dhe izolimit të ndodhjes shumë thellë të qendrës.

“Vazhdimisht shihnin të rrahurat e pësuara që krijoi atmosferë terrori dhe tronditje. Ishin viktima të ndaluara arbitrarisht që mbaheshin në kushte çnjerëzore”, tha ai.

Prokurori deklaroi se shkalla e vuajtjeve dhe poshtërimit shkaktuar atyre, humbja e dinjitetin janë të gjitha faktorë që rëndojnë krimet e kryera nga i akuzuari.

“Viktimat e të akuzuarit janë etiketuar si bashkëpunëtor dhe në këtë mënyrë janë privuar edhe më tej nga kërkimi i drejtësisë edhe pas lirimit të tyre”, tha prokurori.

Në vijim, tha se të gjitha këto rrethana rëndojnë edhe më tej krimet e kryera nga i akuzuari.

Ai tha se për të vlerësuar mënyrën si janë kryer krimet duhet marrë parasysh shkalla e brutalitetit, barbarizmin dhe zellin e treguar nga i akuzuari dhe vartësit e tij.

Sa i përket faktorëve lehtësues, ai tha se nuk ka rrethana që mund të zbusin dënimit që duhet dhënë të akuzuarit, veçanërisht sipas tij i akuzuari nuk ka shprehur pendesë, nuk ka treguar simpati apo keqardhje për viktimat.

Sipas tij, pavarësisht nëse e ka deklaruar veten të pafajshëm apo fajtor, ai tha se i akuzuari nuk ka shprehur ngushëllime dhe kurrë nuk ka pranuar dhimbjen dhe vuajtjen që viktimat kanë duruar.

Prokurori tha se nuk duhet t’i jepet peshë e madhe dëshmive për karakterin e mirë apo faktin se nuk ka qenë i dënuar më parë për ndonjë vepër penale.

“Të gjithë faktorët rëndues janë të rëndësishëm për caktimin e dënimit të tij. Krimet e kryera nga të akuzuarit janë të rënda”, tha prokurori.

Të ngjashme